Andrea Petro Milo/ Kënga polifonike himarjote  lindja dhe refleksionet e saj në periudha të ndryshme

900
Sigal

Kënga himarjote e polifonisë do rinovohej nga legjendari, i pakrahasueshmi, feniksit të këtyre brigjeve, Neço Muka.

Poezia është kënga e shpirtit e si e tillë ajo lind për të mbartur e përcjellë në rrjedhën e kohës, atë botë të brendshme njerëzore, atë gjendje emocionale që përjetohet qoftë në periudha e momente të përcaktuara historike e sociale më pikante, ashtu dhe ato bëma jetësore që lenë mbresa, pigmentizohen e diferencojnë nga e zakonshmja. Duke e parë në këtë sfond poseduesi i parë i saj, është ai, krijuesi, poeti, që ka dhuntinë e talentin për të gjetur përmes këndvështrimit origjinal detajin që stimulon receptorët , që imponojnë perceptimin  të ngjizet për të&liruar shtjellën poetike. E, kjo, poezia joniane, pa e shkëputur nga kënga, paçka se shtrihet në të njëjtin rrafsh, e spërkatur nga ujërat e kaltra jonike, e dritëzuar prej vetëtimave të Akrokerauneve, mendoj se ka të njëjtin tharm, por me karakteristika e shije degustive që e dallon njërën nga tjetra , atë të bregut jonian të trevës së Himarës me përfaqësimin e shtatë fshatrave, dhe atë të pjesës tjetër që përfshihet nga Borshi e deri tej Sarandës. Kënga polifonike e krahinës së Himarës ka disa veçori  që e bëjnë atë unikale, autentike, që e dallojnë nga grupimet e tjera të këngës polifonike labe. Askush nuk e di se ku, kur dhe kush e lindi, ashtu siç nuk njeh, e mbetet anonim, shpesh herë autorin e poezisë dhe këngës, megjithatë,  kur e dëgjojmë, me bindje themi se kjo këngë i takon kësaj apo asaj treve, dhe kjo pikërisht nga karakteristikat e veta dalluese. Kënga polifonike himarjote, siç thuhet, është kënduar herët, është kënduar nëpër dasma e festa, është kënduar nëpër ditë gëzimi e çmalljeje, është kënduar dhe në momente relaksi shpirtëror diku në një shkëmb anës së detit, apo në një lëndinë shpatë malit…Ajo është një nga mbartësit e fenomeneve historike, figurave e portreteve  të trimërisë e të mençurisë, të vuajtjeve e mjerimit, të dashurisë e urrejtjes… Dhe këto në pjesën dërrmuese të tyre, autori ishte anonim, derisa në fillimet e viteve të shekullit që kaloi, kënga polifonike do të merrte ngjyra të reja. Do fitonte veçori të tjera, timbri i saj do ndryshonte dhe do të shtoheshin element  të rinj, pra, kënga himarjote e polifonisë do rinovohej.

 Neço Muka

Dhe sigurisht që merita për gjithçka në këtë lëmë i takon legjendarit, të pakrahasueshmit,  feniksit të këtyre brigjeve, Neço Muka. Ai lindi në kapërcyell të shekullit të nëntëmbëdhjetë, datimi 21 tetor të 1899, kur në Shqipëri mbizotëronte në pjesën dërrmuese të popullsisë, terri i analfabetizmit, kur gjuha shqipe përpëlitej nën inkuizicionin turk, i cili pengonte me të gjitha mënyrat hapjen e shkollave shqipe, kur skamja e varfëria ishte ulur këmbëkryq në krejt vendin… Megjithatë, populli gëzonte një sërë cilësish e virtytesh, fal genit të trashëgimisë dhe kultivimit të tyre për ta ndjerë veten krenar. Ai gëzonte krenarinë kombëtare,  ushqyer nëpër beteja e luftëra për të mos u asimiluar, ai ishte fisnik e trim, mikpritës e i çiltër, ishte bujar e besnik,  ishte mirësjellje e i ashpër kur duhej, me pak fjalë manifestonte cilësitë më të mira njerëzore. Duke u rritur në këtë mjedis, kur fillimi i shekullit të njëzet përfshihet nga sërë lëvizjesh patriotike, vijim i përpjekjeve të shumta për liri, si dhe thellimi i plagës së mërgimit-kjo plagë ishte e vazhdueshme për himarjotin , i cili ku nuk kishte shtegtuar për një jetë më të mirë ekonomike- s’kishin si të mos linin vragën e vet dhe te djaloshi Ne&o, mbrujtur dhe brenda familjes së tij me ndjenjën e atdhedashurisë. Përpos këtyre, në shpirtin dhe mendjen e tij Himara e bukur, siç e thotë dhe kënga “Kush është lule vilajeti/ Himara në breg të detit”, përjetohej jo vetëm si një perlë, por dhe  me atë trashëgimi historike e kulturore të pashoqe, që siç e kishte cilësuar e vlerësuar dhe arkeologu francez Leon Rei.  “Nëse Shqipëria ka me se të mburret, ajo në radhë të parë duhet të mburret me historinë e Himarës”. Dhe në fushën e letrave kjo krahinë nuk mbetet pas, ku poezia e parë dhe shkrimet e para përfaqësohen me Lekë Matrënga e Dhimitër Lekën… I solla këto radhë për të krijuar një tablo sadopak të qartë se ku do gjente shtratin e vet polifonia himarjote dhe ku do të mbështeste  dhuntinë, fantazinë dhe talentin poliedrik, për ta rilindur e çuar atë në shtigje të reja, apostulli i këngës himarjote Neço Muka. Ai shpalosi vlera të tilla artistike, në poezinë e tij të kënduar, që e rendisin ndër figurat më të rëndësishme të artit  jo vetëm në krahinë, por dhe në shkallë kombëtare për kohën që jetoi. Ai ka një  vitalitet të tillë krijimtarie, me një spektër të mahnitshëm, falë kulturës që gëzonte  dhe talentit, i cili nuk ishte një shkëndijë, por një flakadan që do reflektonte zjarrminë e tij nëpër vite e dekada. Përqendrohem tek kjo figurë për vet faktin se kënga e sotme polifonike himarjote vjen brilante pasi ai shtroi rrugën dhe i dha dritë përmes novacionit që mban firmën e vulën e tij.

Pasi mbaron shkollën fillore në vendlindje, ai shkon me studime në Greqi, në degën mekanike për mirëmbajtjen e trenave, ku ndeshet me kulturën e lashtë. Është i etur pas librave, punon për të përballuar ekonomikisht studimet, por dhe pajiset me kulturë të gjerë. Në vitin 1916 kthehet në Himarën e tij ku nis të shpërthej talenti në disa kahje: ai shkruan dhe këndon. Pasi formon grupin polifonik me pjesëmarrës tenorin e mrekullueshëm, të paharrueshmin, Koço Çakallin (marrës), Andrea Balën (kthyes), i cili njëkohësisht është dhe shoferi i grupit që krijon mundësinë më pas të lëvizjes së grupit) dhe Pano Kokaveshin (hedhës),  një element i ri ky që nuk ishte më parë. Janë të paharrueshme këngët e para “Më njëzetetetë  Nëntor” dhe “ Nëntëqind e dhjetë viti”, ku ai shfaqet si autor i tekstit, si kompozitor i saj,që i jep këngës kompozicionin , tonacionin, variacionin, kaskadat me uljet e ngritjet virtuoze,  si këngëtar, duke sjell një mënyrë të re të kënduarit,  që siç e thamë pak më sipër, instalohet zëri i tretë, pra, tashmë do kemi marrësin, kthyesin  dhe hedhësin, që së bashku më mbushësit formojnë portretin e ri të këngës polifonike himarjote. Por kënga e re himarjote, nuk do oazohej në një teren të ngushtë. Neçua, tashmë, i dhënë tërësisht pas artit, organizon variete muzikore, librete humoristike, pjesëza teatrore dhe, me shoferin e grupit, nisen për Sarandë e gjetkë duke i dhënë jehonë këngës polifonike himarjote. Dhe artit himarjot ai i jep ngjyresa të tjera duke shkruar e vene në skenë pjesë humoristike, librete e pjesë dramatike, si  “Marrëset e përgjithshme”, etj…. Në vitet e mëpasshme, kur ai tashmë është maturuar plotësisht në planin poetik  dhe të polifonisë, niset për të marrë pjesë në takimin ndërkombëtar të grupeve folklorike në Paris dhe arrin me sukses të paraqes programin e tij. Më pas ai qëndron në “Qytetin e dritave”. Atje përthith kulturën evropiane dhe i krijohet  mundësia të njihet me njerëz të nivelit të lartë të artit, talente të mrekullueshëm, shqiptare e të huaj, si: Tefta Tashkon, Dhimitër Rambon, Llambi Turtulli, Kleo Georga, Tulla Paleollogun. Formohet një grup i plotë, që shkëlqen brenda një kohe shumë të shkurtër. Këngët himarjote do të ishin repertori kryesor i tyre, por tashmë artistit himarjot, kishte hidhur një hap më tej në gjithë formimin e  tij. Ai kompozon këngë qytetare si  “O moj Korçare…”, Sarandjotja”, Gjirokastritja” etj,…(duke u cilësuar kështu si pionieri i parë i këngës së kultivuar qytetare), veç kësaj, ai paraqitet dhe si instrumentist duke i rënë violinës me virtuozitet dhe veglave të tjera muzikore… Sukseset e grupit ndjehen jo vetëm në “Qytetin e dritave”, në Paris, por dhe në Sente-tien, ku ishin shumë bashkatdhetarë e bashkëkrahinorë të emigruar e që punonin nëpër miniera e Francës, por ato përhapen me shpejtësi dhe në Shqipëri, e sidomos në pjesën jugore. Ai, pra, Neço Muko tashmë bëhet mit i këngës polifonike himarjote dhe asaj qytetare. E në këtë moment duhet theksuar se grupi  i polifonisë himarjote, ndoshta nuk do ta kishte të plotë identitetin, me freskinë dhe madhështinë e saj, në qoftë se nuk do të kishin fatin, falë këtij artisti, që të regjistroheshin 12 pllakat e para të gramafonit PATHE, që do t’i dhuroheshin prej tij Himarës së tij të dashur. Në to do përfshiheshin këngët brilante  “ Vajza e valëve”, “Hyri prilli u shkri bora”,  “Moj Katina nina-nina”, Doli hëna dritëegjënda”, “Moj nëpërka pika – pika”, “Ç’u nise për kurbet”, “28 nëntori”, etj… Duke dashur ta përforcoj këtë fakt, po citoj fjalët e shkrimtarit të kësaj krahine, Andrea Varfit: Gjithë krijimtaria e tij teatrore, përkthyese, humoristike, e veçanërisht muzikore, dallohet nga karakteri kombëtar. Jo më kot në pllakën ku u inçizua himni i flamurit, në anën tjetër të saj, u regjistrua kënga e Neço Mukës “Shqipëria”. Ato këngë nuk ishin dëgjuar kurrë më parë në mënyrën e dhënë, nga melodia, përmbajtja, niveli etj.. Kënga polifonike himarjote për nga struktura e vet muzikore ka origjinalitet dhe është e çliruar nga variantet e tjera; ajo ka thellësi e shtrirje jo në planin e rrafshët. Ajo është këngë që rrapullohet prej majave të maleve, sjell gjëmimin e dallgëve,  por gjithmonë me një harmoni mahnitëse që të ngërthen e të pushton krejt qenien. Kjo tregon forcën e madhe sugjestionuese të joneve muzikore, të forcës së fjalës, të figuracionit artistik poetik… Po të spektrosh këngën polifonike himarjote, aty do gjesh të gjithë elementët natyror, se si ato kanë penetruar e shkrirë në shpirtin e karakterin e bregasve, se si ato janë pjesë përbërëse e refleksioneve jetësore, të bisedave, të virtyteve të mrekullueshme…