KATEGORIA E PARË/ Trajneri i Burrelit Samuel Nikaj, e ka të qartë se ku duhet ndryshuar në vazhdimin e sezonit
Agron KAJA

Futbolli i Kategorisë së Parë ishte prezent në ndeshjet e 1/8-ve të Kupës së Shqipërisë, ku edhe skuadra e Burrelit luajti në Tiranë ndaj Partizanit. Humbja nuk ishte problem për matjanët, ndërkohë që trajneri Samuel Nikaj e quan një test në prag të nisjes së gjysmës së dytë të sezonit. Dje, për gazetën “Telegraf” tekniku shkodran i bëri një analizë edhe ndeshjeve që ka zhvilluar Burreli në 17 javët e kampionatit. “Duke e nisur nga ndeshja e Kupës së Shqipërisë me Partizanin, unë mendoj se skuadra bëri paraqitje dinjitoze, edhe pse humbi 0-3. Kjo ndeshje ishte edhe një test i mirë për skuadrën, pasi në fundjavën e ardhshme do të nisë kampionati dhe ne presim në fushën tonë Apoloninë. Ndërsa në 17 javët e kampionatit, Burreli ka luajtur ndeshje të mira, por edhe ndeshje të dobëta. Nuk kemi patur shumë stabilitet në lojën tonë, pasi kemi një skuadër me përbërje shumë të re”, kështu e nisi bisedën tekniku i Burrelit, i cili më pas tregon edhe pikat e dobëta që skuadra ka treguar gjatë sezonit në vazhdim. “Mendoj se ka qënë konsolidimi me vonesë i skuadrës, sepse kanë ardhur 8 futbollistë të rinj dhe skuadra e do një kohë që të përshtatet plotësisht në vlerat e saj. Por një pjesë tjetër e këtyre mangësive që janë shprehur në 17 javët e luajtura në kampionat, është edhe përballimi i dobët i golave të pësuar. Këtu, dhe këto tregues negativë jemi duke punuar që ti përmirësojmë në pjesën tjetër të kampionatit”. Gjatë kësaj periudhe, edhe te skuadra e Burrelit janë përgatitur për tu paraqitur më mirë në javët e tjera të kampionatit, ku sipas teknikut Nika, synohet objektivi që të renditen në gjashtë skuadrat e para. “Kjo përgatitje dimërore ka qënë një periudhë e shkurtër, por që gjithsesi, na ka ndihmuar të shohim se ku duhet të përmirësohemi. Dhe këtu është ana psikologjike, e cila sikur po stabilizohet, njëherësh edhe konsolidimi i skuadrës në pritje të sfidës së javës së 18-të ndaj Apolonisë. Në treguesit që nuk ecëm mirë në pjesën e parë të sezonit, po punojmë në vazhdimësi për përmirësimin e tyre. Dhe këty hyjnë edhe përgatitjet për ndeshjen me Apoloninë. Do jetë një ndeshje e vështirë sepse jemi edhe afër në renditje. Do jetë ndeshje e forte, por ne do dalim me fitore. Synimi i Burrelit është që në pjesën e dytë të jetë më konstat, për të qënë në 6 skuadrat e para në tabelën e renditjes”, ishte kjo panorama e Samuel Nikajt për situatën e skuadrës së Burrelit.
LEGJIONARËT
Sirena europiane për Mario Mitajn, nga Spanja dhe Anglia

Mbrojtësi i majtë i Al-Ittihad, Mario Mitaj, pritet të largohet nga klubi saudit gjatë afatit kalimtar të janarit. Mitaj ka tri ndeshje që nuk aktivizohet për ekipin, të parën për shkak pezullimi, dhe dy të tjerat si vendim i trajnerit Serzhio Konseisao dhe ndoshta edhe i drejtuesve. Burime pranë klubit bënë dje të ditur se Mitaj nuk është më pjesë e planeve aktuale të skuadrës. Ndërkohë që sipas informacioneve, në Premier League dhe në La Liga ka interes serioz për 22-vjeçarin, dhe klubi po e ndjek nga afër situatën e tij. Nga trajneri ai është lënë jashtë skuadrës për ndeshjen e tretë radhazi, çka ka shtuar zërat për një përçarje mes lojtarit dhe drejtuesve të klubit. Al Itihad pagoi 4 milionë euro për kartonin e Mitaj, i cili tani besohet se vlen 5.5 milionë euro, ndërsa nuk duhet harruar se ka një rrogë të lartë prej 3 milionë eurosh në sezon, madje pa taksa.
Dëmtim serioz për Gjimshitin, vizita tregoi se nuk ka thyerje

Berat Gjimshiti po e ndihmonte ekipin e tij, Atalantën, e cila filloi të ngrihej në lojë e në rezultate në Serinë A. Por pikërisht në momentin më të mirë të tij i erdhi një goditje e fortë, pasi kapiteni i kombëtares u lëndua në duelin Atalanta-Torino, ku skuadra e tij fitoi pastër 2-0. Në fundin e pjesës së parë Gjimshiti pësoi dëmtim në skëtë sfidë, kur në minutën e 42-të mbeti përtokë pas një përplasjeje me një futbollist kundërshtar, duke e detyruar që të dalë nga fusha e lojës. Sipas mjekëve të ekipit bregamask, problemet dukeshin të mëdha, saqë u nxorr me barrellë dhe menjëherë u dërgua në spital. Por për fat, vizita e parë dje tregoi se nuk ka thyerje apo krisje në kockat e legenit, por një lëndim muskulor. Ndërkohë që mediat italiane shkruajnë se Gjimshiti ka probleme me muskujt e barkut, por duhet të ketë vizita më të specializuara në ditët në vazhdim.
Kampionati rinis më 17 janar, java e 18-të, me dhe pa drita
Pas ndërprerjes në gjysmën e parë të sezonit në vazhdim 2025-2026, Kategoria e Parë do të kthehet me javën e 18-të, pikërisht në datën 17 janar 2026. Të gjitha ndeshjet luhen në të njëjtën ditë dhe orë, 13:30, përjashtuar sfidën në Korçë, Skënderbeu-Luftëtari, e cila është planifikuar të nisë në orën 16:00. Skuadra korçare e mbylli si “kampione e dimrit”, ndërsa Kukësi mbylli tabelën e renditjes.

KATEGORIA E PARË
SEZONI 2025-2026
Ndeshjet-Java e 18-të
E shtunë, 17 janar 2026
Laçi-Kukësi 13:30
Pogradeci-Besa 13:30
Iliria-Kastrioti 13:30
Lushnja-Korabi 13:30
Burreli-Apolonia 13:30
Skënderbeu-Luftëtari 16:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 17 40
2.Laçi 17 33
3.Pogradeci 17 32
4.Kastrioti 17 24
5.Besa 17 23
6.Burreli 17 23
7.Apolonia 17 22
8.Iliria 17 22
9.Korabi 17 20
10.Lushnja 17 16
11.AF Luftëtari 17 11
12.Kukësi 17 9
Kukësi në “eksod”, ka vetëm largime!
Pa trajner të parë dhe me shumë largime lojtarësh, skuadra e Kukësit duket se po shkon drejt falimentimit. Me largimin e kapitenit Redon Dragoshi, duket se “eksodi” nuk do ndalet këtu. Edhe Rei Pecani, Argel Avdiu, Eni Imami dhe Plarent Fejzaj, tashmë zyrtarisht të larguar. Në ditët e para të muajit janar 2026, kjo skuadër ende nuk ka dhënë sinjale përgatitore, ndërsa për merkato në hyrje nuk bëhet fjalë. Skuadra vijon të drejtohet nga një staf kujdestar, me në krye drejtorin Asuel Dervishaj, ndërkohë që nisja e kampionatit më 17 janar e vendos këtë skuadër përballë Laçit.





















