PROFIL/ Notari absolut në Stilin e Lirë, Hysen Haxhija (Kitra), rrëfehet në gazetën “Telegraf” për pasionin, vështirësitë dhe të veçantat si notar e trajner i sukseshëm.
Nga Agron KAJA
Sporti i Notit ka qënë shumë tërheqës në qytetin tuaj në shekullin e kaluar, ju kampionët e rekordmenët si ndjeheshit në ambientin qytetar?
Unë jam ndjerrë si njeriu më i nderuar në ambientin qytetar, por edhe atë shtetëror. Kudo ku shkonim, respekti ka qënë maksimal dhe na hapeshin dyert nga të gjithë. Durrësi mendoj se këtu, në respektin ndaj historisë sportive është më i veçantë në gjithë Shqipërinë.
Kjo ka qënë arsyeja që ushtruat pikërisht notin, dhe jo me ndonjë sport tjetër?
Unë me notin kam një histori familjare. Duke qënë se isha djalë i vetëm, babai nuk më lejonte të merresha me sport, por unë fshehur e nisa sportin, sepse e kisha shumë pasion. Aq sa gjatë karrierës time, nuk kam munguar asnjëherë në stërvitje.
Pasi ju lindi dëshira për t’u ushtruar në not, kur e nisët garimin tuaj zyrtar?
Zyrtarisht, garimi im ka nisur në pishinën e Korçës në vitin 1962, në garën 1500m Stil i Lirë. Dhe e kujtoj atë garë, pasi munda notarin e shquar shkodran Selami Brahimi, i cili deri atëhere ishte kampion në këtë garë.
Në kujtesën tuaj, cila ka qënë gara e parë zyrtare që ju keni zhvilluar dhe ku është zhvilluar ajo?
Garën e parë zyrtare e kam zhvilluar në vitin 1962 në Korçë, gara 1500m Stil i Lirë. Emocionet ishin të mëdha, por unë nuk e njihja lodhjen dhe presionin që krijohej para gare, sepse isha trim, jo frikacak emocional.
Trajneri dhe skuadra juaj e parë, si vijnë sot në kujtesën tuaj?
Trajneri im i parë ishte Sul Tufa, një nga më të mirët që ka patur trajningu durrsak në sportin e notit. Ai ka qënë njeri i drejtë, fjalëpak dhe punë shumë e këto cilësi na i kultivoi stërvitje pas stërvitjeje, ku edhe rezultatet erdhën në ngjitje.
Në garat që ju keni zhvilluar, cili ishte stili juaj më i preferuar dhe më rezultativ?
Gjatë gjithë karrierës sime si notar, stili më i preferuar dhe më rezultativ gjatë garimit ka qënë Stili i Lirë. Me këtë stil unë i kam fituar të gjitha garat ku kam marrë pjesë: në 100m, 200m, 400m, 1500m dhe në Maratonë.
Ju kujtohen rivalët tuaj në garat kombëtare që keni zhvilluar, cilët kanë qënë?
Kam pasur disa rivalë në garat ku kam marrë pjesë, por më shumë rival unë kasha veten. I përmënda më sipër disa emra dhe rivaliteti që kam pasur me ta, por unë luftoja më shumë me veten time që në çdo garë të shënoja kohë të reja dhe rekorde.
Si e kujtoni rekordin e parë kombëtar që ju keni thyer në karrierën si notar, stili dhe gara?
Më kujtohet që ka qënë viti 1965 kur në Durrës zhvilloheshin garat e Kampionatit Kombëtar. Unë garova në disa gara, gjithmonë në Stilin e Lirë, porn ë garën e 1500 metrave thyeva rekordin kombëtar, i pari në karrierën time të bukur si notar.
Në karrierën tuaj si notar kampion e rekordmen, cilët ndani si momentet më të mira, dhe nëse keni, edhe momente jo të mira në karrierë?
Momenti i bukur ka qënë në vitin 1966 në Sarandë, kur në 800m Stil i Lirë thyeva rekordin kombëtar të notarit shkodran Zek Shestani. Ai e thyeu atë ditë rekordin tim, dhe të nesërmen unë thyeva tre rekorde kombëtare në 400, 800 dhe 1500 m Stil i Lirë”. Moment jo i mirë ishte largimi nga aktiviteti si notar.
Po infrastruktura në sportin e notit në Durrës, si ka qënë gjatë periudhës që ju e ushtruat këtë sport?
Gjithë aktiviteti im si notar është besnik i detit, natyrisht jo gjithë stinor. Ndërsa kur më pas filluam edhe në pishinë, përshtateshim me vonesë. Për ta bërë sa më mirë përshtatjen, ne shkonim dy ditë para në qytetin ku do zhvilloheshin garat.
Pas largimit nga aktiviteti si notar, ju e vazhduat marrëdhënien me notin edhe si trajner, trajningu është pasion apo si një detyrim i rrugëtimit sportiv?
Edhe trajningun në sportin e notit e kam pasur shumë pasion, I cili natyrisht vinte edhe si një detyrim në këtë rrugëtim sportiv. Në harkun e viteve 1981-1992 kam qënë trajner me Fëmijët e Lokomotivës e Teutës, dhe në vitin 1984 dolëm kampion kombëtar në Sarandë.
Në gjithë karrierën tuaj si notar e trajner, si e përshkruani evolimin në sportin e notit në gjithë Shqipërinë?
Në krahasim me periudhën kur unë ushtrova sportin e notit me këtë sot, ka një ndryshim shumë të madh. Sepse ne stërviteshim vetëm 90 ditë në vit, ndërsa tani stërvitshmëria është në 365 ditët e vitit. Ka evolim më konkret se ky?
Keni marrë vlerësime e tituj sportivë si notar, po si trajner, cili ka qënë vlerësimi për trajningun tuaj?
Si notar unë mbaj titujt sportivë Mjeshtër Sporti dhe Mjeshtër i Merituar i Sportit, ndërsa për gjithë karrierën jam nderuar edhe si Qytetar Nderi i Durrësit, Mirënjohje e Qytetit të Durrësit dhe me Medalje Nderi në Notin Shqiptar.
Nisur nga mosha juaj sot, mendoni se do ta vazhdoni gjatë trajningun në sportin e notit?
Jo, sepse më ka humbur durimi të trajnoj fëmijë sot. Sepse fëmijët kanë qënë më të bindur dhe me më shumë pasion vite më parë, ndërsa sot janë shumë më ndryshe. Ndoshta edhe metodat stërvitore kanë ndryshuar, por edhe mosha nuk më jep shumë forcë.
Ndërkohë, ka 10 vite që funksionon Shoqata Kombëtare të Veteranëve të Notit në Shqipëri (SHKVN), si e vlerësoni aktivitetin e saj?
Ngritjen dhe funksionimin e Shoqatës Kombëtare të Veteranëve të Notit në Shqipëri, unë e quaj një kryevepër. Organizatori dhe drejtuesi i saj, Pupi (Sadik Mema), me këtë nisiativë hyn te zotninjtë e notit. Na ka sjellë shumë mbresa e kujtime të veçanta.
Biseda jonë po kryhet, ndërkohë që u mbyllën ndeshjet e Kampionatit të 17 Europian të futbollit, si e vlerësoni fituesin?
Asnjëherë fituesi nuk gjykohet. Them se Spanja ishte skuadra më e mirë e këtij Europiani dhe e meritoi fitoren në finale. E kam ndjekur Europianin dhe duke ju referuar rrugëtimit të Spanjës, dukej se ajo shkonte drejt finales me sukses.
Koleg dhe mik, Jani Kurti flet për Kitrën: Notar dhe njeri Legjendë!
Jani Kurti është një ndër ish-kolegët e afërt të Kitrës, me të cilin kanë ndarë emocione, mes të cilëve ata kanë gjetur edhe miqësinë mes tyre. Kurti tregoi edhe të veçanta, që edhe vetë Kitra nuk na i kishte thënë në këtë bashkëbisedim. “A e dini ju pse i thërrasin Hysen Haxhijës Kitra? Trajneri Koço Afezolli i thërriste Ketër, se në fëmini ai ishte shumë i lëvizshëm. Më pas i thirrën Kitra, dhe kështu i ka mbetur ka mbi 60 vjet. Por njohja ime me Kitrën nis që nga fëminia, dhe unë kam shumë për të folur, ndaj dhe ndjehem krenar. Sepse ai, përveçse ishte një sportist i shkëlqyer, ishte edhe një njeri me zemër të madhe. Kemi mbi 60 vite njohje e rritur bashkë dhe e kujtoj se në garë ai rivalizonte me veten, sepse të dytin e linte shumë pas. Ne tani jemi në një moshë madhore, por kujtimet për një shok, një mik e një notar të madh, asnjëherë nuk mund të hiqen nga kujtesa. Kitra mbetet nga Legjendat e Notit shqiptar. Sot nuk kam dëgjuar të ketë një në përmasat e tij”.
Ish-notari durrsak kampion dhe rekordmen, Hysen Haxhija (Kitra), për periudhën kur ai garoi me Lokomotivën, dhe më pas me Partizanin, startin e ka me trajnerin Sul Tufa, që në Durrës kujtohet si një ndër më të mdhenjtë e trajnigut në Notin shqiptar. Për periudhën kur garoi, Kitra i takoi një brezi të artë notarësh durrsakë, të cilët edhe pse në atë periudhë ishin në mbyllje të karrierës së tyre sportive, mbetën frymëzim edhe te Kitra, i cili u kthye më pas në një kampion absolut në të gjitha garat e Stilit të Lirë, por edhe në Maratonat Kombëtare. Nuk i dilte kush përpara në vitet 1962-1973. Respekte, sa më jetëgjatë KAMPION!
TË VEÇANTA NË KARRIERË
Shestani dhe Kitra, rekord pas rekordi
Hysen Haxhija Kitra, sjell në kujtesën e tij një rekord kombëtar që i ka mbetur gjatë në memorrje. Në vitin 1966 në dy ditë gara, së bashku me Zef Shestanin e Vllaznisë kanë thyer njëri pas tjetrit disa herë rekordin kombëtar në 800m Stil i Lirë. “Kujtoj vitin 1966 në Sarandë kur në 800m Stil i Lirë thyeva rekordin kombëtar të notarit shkodran Zek Shestani. Ai e theu atë ditë rekordin tim, dhe të nesërmen unë theva tre rekorde kombëtare në 400, 800 dhe 1500 m Stil i Lirë”.
Gjashtë medalje Ari në një Spartakiadë
Kujtesa e Hysen Haxhisë shkon në Spartakiadën Kombëtare të vitit 1969. Sepse aty ai ka një nga kulmet e karrierës së tij si notar duke fituar 6 Medalje Ari. “E kujtoj shumë shpesh Spartakiadën Kombëtare të vitit 1969. Atëhere Lokomotiva e Durrësit u përfaqësua edhe me ekipin e Notit. Unë pata sukses në gara dhe morra 6 Medalje Ari: Në garat 400m, 800m, 1500m Stil i Lirë, në stafetat 4X100m dhe 4X200m Stil i Lirë, dhe në Vaterpol. Ky sukses nuk do më hiqet nga kujtesa”.
KONSIDERATA E VLERËSIME
SADIK MEMA, MJESHTËR I MADH
Kitra e meriton ta quash Legjendë e Notit shqiptar
Në të gjitha Profilet që gazeta “Telegraf” po shkruan për historinë e notarëve e notarëve shqiptarë nder vite, Mjeshtri i Madh Sadik Mema, si ideator e nisiator ka bërë lidhjet me të gjitha figurat që kanë gjetur pasqyrim në këtë gazetë. Kështu edhe për Mjeshtrin e Mertituar të Sportit Hysen Haxhia (Kitra), të cilin e konsideron si një nga Legjendat e Notit shqiptar. “Unë që në fillim do të thoja se Kitra hyn tek të mëdhenjtë, si një Legjendë e notit shqiptar. Edhe pse e kam parë në pak vite kur ai garonte, kujtoj se në garën 1500, notarin e dytë e linte deri në 100 metra prapa . Kaq i fortë fizikisht ishte. Por gjatë notimit punën me këmbë e kishte të veçantë, pasi i nxirrte shumë mbi ujë. Në të tilla vlerësime thuhen fjalë të mira, por Kitra ishte i admiruar si sportist e trajner, sepse gjithçka e ka merituar. Si trajner ai përgatiti shumë fëmijë si notarë, aq sa nga trajningu i tij Lokomotiva nxorri shumë kampionë e rekordmenë. E di që ende noton dhe i uroj jetë të gjatë mes familjes dhe detit”.
PETRIT GUMA, MJESHTËR I MADH
Kitra është djepi i filizave të notit në Durrës
Mjeshtri i Madh Petrit Guma, e përshkruan Hysen Haxhinë (Kitrën), si një notar të përmasave të mëdha. Sipas tij, nuk ka notar në Durrës që të mos ketë kaluar nga trajningu i Kitrës. “Me Kitrën kemi ndarë bashkë shumë momente të bukura. Ai ka qënë përgjegjës në pishinë kur unë garoja, dhe aty krijuam një miqësi sportive, sepse ai ka që një nga notarët që e merrnim si shëmbull. Ai është djepi i filizave të notit në Durrës e më gjërë, sepse nuk ka notar në Durrës që nuk ka kaluar nga duart e Kitrës, apo edhe të mos e imintonte Kitrën. Stili e forma që notonte kishte të veçantë, e dukej si një përbindësh. Por ai ishte një njeri shumë i mirë me shumë kulturë, një mik i mirë që mua më ka dhënë përfimtim teknik e moral. Notit shqiptar i mungon një talent i tillë si Kitra. Se të bësh 1500m notim krol me gjashtë goditje këmbësh, vetëm Kitra e ka bërë. Si e niste dhe e përfundonte garën. Unë kam thyer një rekord kombëtar të tij në vitin 1983 në Maratonën 6 km, dhe për këtë ndjehem mirë sportivisht”.
CV sportive HYSEN HAXHIJA (KITRA)
Datëlindja: 23 dhjetor 1948 Vendlindja: Durrës Vendbanimi: Durrës
Arsimi: Të Mesmen Profesioni: Zyrtar në SK Lokomotiva dhe SK Teuta Sporti që ka ushtruar: Notin Gara e preferuar: Stili i Lirë Karriera si sportist: Në vitin 1962 me Fëmijët, në vitin 1963 me të Rinjtë dhe me të Rriturit Ekipi ku ka garuar: Lokomotiva në vitet 1963-1969, në vitet 1969-1972 me Partizanin, në vitin 1972-1974 me Lokomotivën Gara e parë në karrierë: Në vitin 1962 në Korçë, gara 1500m Stil i Lirë Rekordi i parë kombëtar në karrierë: Në vitin 1965, munda ish-notarin e Vllaznisë Selami Ibrahimi Sukseset si notar: Çdo vit ka thyer rekorde kombëtare në çdo garë, në vitin 1966 në 800m Stil i Lirë thyen rekordin e Zef Shestanit të Vllaznisë Garat Ndërkombëtare në karrierë: Nuk ka patur mundësinë e garave ndërkombëtare Tituj e trofe në karrierë: Në vitet 1962-1973, kampion kombëtar dhe rekordmen në garat 400m, 800m, 1500m Stil i Lirë, dhe në Maratonë Gara e fundit në karrierë: Në vitin 1977 në garën e stafetës 4X100 m Stil i Lirë me Lokomotivën Rekordi i fundit në karrierë: Në vitin 1974 në garën 800m Stil i Lirë Tituj personalë në sport: Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Merituar i Sportit, Qytetar Nderi i Durrësit, Mirënjohje e Qytetit të Durrësit, Medalje Nderi në Notin Shqiptar Karriera si trajner: Në periudhën 1981-1992, trajner me Fëmijët e Lokomotivës e Teutës, kampion kombëtar në vitin 1984 në Sarandë Detyra në institucione sportive: Zyrtar në SK Lokomotiava dhe SK Teuta Aktualisht: Në pension
Treguesit e Kitrës notar, askush nuk i ka arritur
Gjashtë Medalje Ari të fituara në një Spartakiadë Kombëtare, me 12 vite karrierë si notar dhe 12 vite të tjera si trajner i brezave të rinj të Lokomotivës, këto ishin vlerat që i dhanë Kitrës vlerësimet e merituara, si Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Merituar i Sportit, Qytetar Nderi i Durrësit, Mirënjohje e Qytetit të Durrësit, Medalje Nderi në Notin Shqiptar. Notar i veçantë që notonte në 1500m krol me gjashtë goditje këmbësh, askush deri më sot nuk e ka arritur në shpejtësinë e tij, që ashtu si e niste edhe e përfundonte garën. Ai vlerësohet si trajneri që nxorri shumë notarë të rinj kampionë e rekordmenë dhe deri sa doli në pension, ka qënë zyrtar në KS Lokomotiva dhe si pjesë aktive në përgatitjen e brezave që në atë periudhë bënë histori në Notin shqiptar.