Rekorde të reja të notarëve tanë në Shkup dhe një apel për MAS-in

540
Sigal

Sporti i notit në Shqipëri financohet nga prindërit e fëmijëve dhe disa persona që e adhurojnë atë

Në garat ndërkombëtare të notit që u zhvilluan para pak ditësh në Shkup, notarët e vegjël nga Tirana shënuan rekorde të reja. Në këto gara morën  pjesë rreth 421 garues të grupmoshave të ndryshme, përfaqësues nga Bullgaria, Shqipëria, Serbia, Rusia, Izraeli, Kosova dhe mikpritësi Maqedonia. “Partizani”, i vetmi klub shqiptar që përfaqësoi vendin tonë në këto gara ndërkombëtare fitoi nëntë medalje, nga këto gjashtë ari, një argjendi dhe dy bronzi. Një yll që shkëlqeu në këto gara është Ledia Allaraj, 10 vjeçe, nxënëse e shkëlqyer e klasës së IV-t në shkollën “Kosova”. Ledia u përball me dinjitet me notare më të medha në moshë nga të gjitha klubet e Maqedonisë, Serbisë, Bullgarisë, Rusisë, Izraelit etj dhe fitoi një medalje ari.  Në 50 metra delfin, koha e saj, një rekord i ri kombëtar, 36 sekonda 00. Një rekord tjetër që do të kujtohet gjatë nga Ledia, trajneri i saj Dash Bregu dhe babai Gezim Allaraj, ishte ai 50 metra stil i lirë në 33”34 sekonda; po ashtu vijojnë rekordet e Ledias 10-vjeçare: 100 metra stil i lirë, një minutë 15 sekonda 09 dhe 100 metra katërnotim 1’25”12. 10-vjeçarja Ledia Allaraj, në gjashtë gara arriti të vendosë gjashtë rekorde të reja kombëtare. Një notare me të ardhme të shkëlqyer në sportin e preferuar të notit, me të cilën krenohet në radhë të parë familja e saj, por dhe gjithë ekipi “Partizani” të cilit ajo i përket aktualisht. Duhet theksuar qe medaljet janë të konkretizuara. Ajo shpreh e entuziazmuar lumturinë e saj duke qenë krenare për këto rekorde të reja në gara ndërkombëtare.  “Ky ishte një eveniment shumë i rëndësishëm për mua, ku në gjashtë gara që unë morra pjesë, u kurorëzova me 6 rekorde”, shprehet Ledia e impresionuar. Lidhur me këto rezultate impresionuese të saj, trajneri Dashamir Bregu shprehet se “Puna e mirë e prindërve të Ledias në shtëpi dhe puna stërvitore e saj në pishinë janë elementët e duhur që e bënë Ledian të arrijë këto rekorde. Po ashtu Sonja Kapedani, 9 vjeçe arriti rekord kombëtar në garat 50, 100 dhe 200 bretkosë.

Ergi Veli, një tjetër notar kampion, vetëm 12 vjeç do të shquhej në garat 50, 100 dhe 200 bretkosë. Ai dëshmoi për një të ardhme të sigurt në sportin e notit. Në Shkup ai garoi me mosha më të mëdha se vetja duke i lënë shumë pas ata. Në të tre këto gara vendosi rekorde kombëtare, të cilat do ju duhen të gjithë trajnerëve shumë vite punë për ti arritur. Kjo ishte edhe një paraqitje shumë e mirë e notarëve të ‘”Partizani”-t dhe me përmirësimin e infrastrukturës sportive në këtë degë sporti mund të pritet ngritje e cilësisë dhe përmirësoi i rezultateve në disiplina të notit në përgjithësi. Trajneri Dashamir Bregu, pas një pune 2 vjeçare është shumë optimistë për të ardhmen e këtyre notarëve të vegjël. Kjo për faktin se këto arritje shumë cilësore vijnë vetëm në një hark kohor dy vjeçar, me stërvitje intensive shkencore, ndonëse pa përkrahjen e  duhur nga instancat përkatëse. Këtu, pa dyshim që vend të veçantë zë trekëndëshi prind – sportistë – trajner, të angazhuar totalisht për t’i çuar në kulme të reja arritjet në sportin e notit. Në këtë këndvështrim, trajneri Bregu evidenton mbështetjen dhe ndihmën e madhe të tre prindërve, respektivisht: Gëzim Allaraj, Jovan Veli dhe Erion Kapedani. Gëzim Allaraj, njëherësh dhe një biznesmenë i suksesshëm ndjehet krenar me të bijën Ledian dhe premton se edhe në të ardhmen do t’i përkushtohet totalisht talentit të saj në sportin e notit. Ato që i bëjnë këto notarë të vegjël të jenë kampion, përveç stërvitjes së tyre të vazhdueshme janë edhe prindërit e tyre që i ndjekin në çdo stërvitje duke i përkrahur në kampionate. Trajneri Bregu shprehet për rekordet kombëtare që tregojnë ecurinë që ka pasur noti në Shqipëri por gjithsesi, notarët e “Partizani”-it kanë një shpirt konkurrues që të mos ndalen edhe në kompeticionet e tjera të radhës. Kjo edhe pse infrastruktura nuk është në mbështetje të zhvillimit të këtij sporti pasi çdo gjë kjo skuadër e ka ndërtuar vetë duke marrë parasysh të gjitha kushtet e nevojshme për t`u stërvitur.

“Ekipi i “Partizani”-t ka dhe shumë notarë të tjerë cilësorë dhe mendojmë që në një bisedë tjetër t’i përfshijmë dhe ata për t’i motivuar në të ardhmen sepse meritojnë shumë”, -shprehet me modesti trajneri Dashamir Bregu. Sporti i notit në Shqipëri financohet nga prindërit e fëmijëve, trajnerët dhe disa persona që e adhurojnë këtë sport. Pikërisht për të arritur rezultatet e dëshiruara, trajneri Bregu dhe prindërit e fëmijëve kampionë apelojnë për më shumë mbështetje financiare nga Federata dhe nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

 Futsal, Shqipëria fiton turneun “Arbën Xhaferri”

 Ekipi kombëtar i futsalit fitoi turneun përkujtimor “Arbën Xhaferri”, të zhvilluar në Tetovë të Maqedonisë. Në këtë turne që u zhvillua në data 20 dhe 21 nëntor, morën pjesë katër skuadra: Ekipi kombëtar i Shqipërisë, ekipi kombëtar i Kosovës, ekipi kroat “Alumnus” i Zagrebit dhe ekipi maqedonas SEEU. Në ndeshjen e fundit ekipi ynë kombëtar ka barazuar me ekipin nënkampion të Maqedonisë SEEU me rezultatin 1-1. Pas gjuajtjeve të 11-metërshave, ekipi ynë ka fituar 5-4 dhe është shpallur fitues i turneut “Arbën Xhaferri”.