Reali e bën edhe më të mirë Ançelotin, ja rekordi i veçantë i italianit me “Los Blancos”

128
Sigal

Me më shumë vuajtje nga sa mund të pritej, Karlo Ançeloti ka zgjatur dhe më tej rekordin e tij në ndeshjet e para të sezonit falë suksesit në Almeria. Humbja ndaj Bolonjës, në gusht 2008, vazhdon të jetë e vetmja në 27 debutimet e Ançelotit në elitë. Rekordet e karrierës së Karletos janë të jashtëzakonshme në të gjitha klubet ku ka drejtuar në karrierë, por në asnjë ekip sukseset e tij nuk janë aq të shkëlqyera sa te Reali i Madridit.

Në 177 ndeshje si trajner i skuadrës së bardhë, fitorja e Almerisë ishte e 130-ta. Kjo e vendos përqindjen e tij si trajner i Realit të Madridit në 73.45%. Kjo është shifra më e lartë mes 10 skuadrave që italiani ka drejtuar. Shifrën e 70% suksese, Karlo Ançeloti e kishte regjistruar me Bajernin e Mynihut. Interesant është fakti se përqindjen më të ulët të fitoreve ai e ka me Rexhanën në Serinë B: 41.46%, që i mjaftoi kësaj skuadre të renditej e katërta në Serinë B duke siguruar ngjitjen në elitën e futbollit italian. Të shtunën e ardhshme në “Balaidos” të Vigos, Karlo Ançeloti do të barazojë Zhoze Murinjon në kuotën e 178 takimeve në stolin e Realit. Kjo e rendit atë mes 6 trajnerëve që e kanë drejtuar më shumë në histori këtë klub.

Në krye shfaqet figura imponuese e Migel Munjoz me 605 ndeshjet e tij në 16 sezone. Por ajo që ka rëndësi është përqindja e fitoreve dhe këtu nuk ka njeri që ka bërë më mirë se Ançeloti. Me 73.45% fitore, rekordi i italianit është gati i pabesueshëm. Më pranë tij është Murinjo me 71.9% fitore në 178 takime, teksa me të tjerët si Zidan, Benhaker, Munjoz, Molovni dhe të tjerë, diferencat thellohen.