NOT/ Të shtunën, në pishinën 50 m “Taq Dafa” në Durrës starton Kampionati Kombëtar, Presidenti i FSHN-së Agim Çiraku tregon për pritshmëri në gara
Agron KAJA

Muaji gusht 2025 do mbyllet me një veprimtari të rëndësishme verore për sportin e Notit në Shqipëri. Një veprimtari e cila pritet të jetë edhe si një test i mbylljes së sezonit veror në pishinën 50 m. Të shtunën dhe të dielën, në pishinën “Taq Dafa” do të zhvillohet Kampionati Kombëtar, i cili përfshin të gjitha moshat dhe kategoritë që do përfaqësojnë ekipe nga veriu e jugu i Shqipërisë, ndërkohë që në pritje janë edhe garues nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Por, ky është edhe një event që zhvillohet në pishinën me emrin e të Madhit “Taq Dafa” dhe matjet e kohës bëhen me tabelë elektronike, dhe ku veç bukurisë e rivalitetit në gara, nuk kanë munguar edhe rekordet kombëtare për të gjitha moshat. Për gjithçka që sot pritet në këtë kampionat, për gazetën “Telegraf” i tregon edhe Presidenti i FSHN-së Agim Çiraku, i cili shprehet se kampionati do ta ndryshojë atmosferën në dy ditët e garave, për ta sjellë Taq Dafën në madhështinë e tij si notar, por edhe si një Polisportist në Shqipëri. Biseda me zotin Çiraku e sjell Kampionatin edhe më pranë lexuesit të gazetës.

Nga Maratona në Liqenin e Pogradecit, të shtunën zbrisni në pishinë, në veprimtarinë e parë në 50 m, si ndjeheni?
Unë ndjehem një president që kam fatin e madh të jetoj të tilla emocione që sjellin veprimtaritë hap pas hapi. Tashmë ndryshon garimi, sepse është pishina verore 50 m “Taq Dafa” në Durrës, e cila do presë këtë event madhor vjetor.
Çfarë keni menduar se do sillni ndryshe në këtë kampionat ju si FSHN?
Do jetë një kampionat ku do marrin pjesë një numr i konsiderueshëm notarësh, meshkuj e femra. Dhe më e veçanta është se, matjet e kohës gjatë garave do të bëhen me tabelën elektronike, e cila i ndihmon notarët në administrimin e garës.
Ku e mendoni të veçantën kryesore që sjell ky kampionat, për notarët dhe trajnerët e tyre?
Në çdo kampionat që është zhvilluar në Durrës në 10 vitet e fundit, risitë kanë qënë të shumta, të ndryshme, të larmishme dhe me efekte pozitive për të gjithë notarët në gara. Është një veprimtari ku notarët tregojnë vlerat më të mira në pishinë 50 m.
Ky kampionat vjen edhe pas relasksimit që notarët kanë bërë gjatë pushimeve të verës, si i mendoni pritshmëritë?
Nuk besoj se notarët dhe notaret kanë bërë pushime dhe të kenë lënë pas dore stërvitjen periodike. Nga informacionet që kam, gjatë muajit gusht të gjithë ekipet i kanë patur në process stërvitor notarët, edhe me ndonjë mungesë prej tyre.
Organizimi dhe zhvillimi i këtyre garave nga ju si federatë, çfarë pritshmëri ka për një aktivitet konkurrues?
Patjetër që po, pritshmëritë tona janë për rezultate të mira në këtë event. Sepse ne jemi federatë që bashkëpunojmë me skuadra dhe individë, të cilat në objektin e punës e synimet e tyre kanë ambiecien dhe konkurrimin sa më cilësor në gara.
Në kampionatin e kaluar në pishinën “Taq Dafa” u thyen disa rekorde kombëtare, i prisni edhe këtë herë?
Këtë pyetje me rekordet kombëtare ma keni bërë shpesh dhe unë ndjehem mirë në përgjigje, sepse ato i kanë shtuar notarët me kohët rekord. A do ketë edhe këtë herë rekorde? Unë besoj e shpresoj që notarët të ma lexojnë këtë “merak” profesional.
Ky kampionat është i fundit në pishinë të hapur 50m, është kjo një stinë e vakët për notarët shqiptarë?
Ne nuk kemi një pishinë të mbyllur 50m dhe stina për garimin e notarëve mbetet e vakët. Por edhe pishina 25m në Resortin “Te Stela” besoj se na e plotëson paksa këtë boshllëk. Kjo është një problematikë që me kalimin e kohës do gjejë zbatim.
Në Shqipëri ka vetëm një pishinë 50 m, nuk ka mundësi për të tjera impiante të tilla në qytete të tjera?
Në sezonin e kaluar jam shprehur se, Asambleja e KOKSH-it na tregoi një projekt të Qeverisë shqiptare për ndërtimin e një qëndre sportive afër Rinasit, ku është parashikuar edhe një pishinë 50 m me kapacitet 2 mijë vënde. Ne si federatë kemi besim dhe po e pesim.
Në këtë kampionat në Durrës, çfarë do ti uroni garuesve e trajnerëve?
Urimi është tradicional në çdo event. Të zhvillohen gara me rivalitet në çdo disiplinë, notarët të jenë si gjithmonë shëmbull në garë e jashtë saj. Do tu kërkoja durrsakëve e pushuesve që të vijnë në pishinën “Taq Dafa”, nuk do zhgënjehen.

Ekipet pjesëmarrëse
AN “Te Stela”; FC Tirana; Teuta; Vlora Not; Partizani; Vllaznia; Butrinti; Tradita; ….
KATEGORITE
Fëmijë (M+F)
Kat-A 2011-2012
Kat-B 2013-2014
Kat-C 2015-2016
Të Rinj (M+F)
Datëlindja 2007-2010
Të Rritur ( M+F)
Kategoria Absolute

ÇMIMET
Notari dhe notarja më të mirë
Fëmijë, Të Rinj dhe Të Rritur
KUPA E TITULLIT KAMPION
Për ekipin më të mirë (M&F)
KUPA E EKIPIT KAMPION
Për klasifikimin ekipor (M&F)
Bazuar në normat ipas pikëzimit
Për çdo garë, tre të parët (M&F)
NDEROHEN ME MEDALJE
Medaljet ndahen çdo dy gara

PIKËT NË GARË
Vëndi i parë 10 pikë
Vëndi i dytë 8 pikë
Vëndi i tretë 6 pikë
Vëndi i katërt 5 pikë
Vëndi i pestë 4 pikë
Vëndi i gjashtë 3 pikë
Vëndi i shtatë 2 pikë
Vëndi i tetë 1 pikë

VEPRIMTARITË E MBETURA, VITI 2025
Veprimtaritë kombëtare
1.Kampionati Kombëtar për Fëmijë, të Rinj dhe të Rritur, Durrës 30-31 gusht
2.Maratona Mbarëkombëtare, Sarandë 7 Shtator
3.Kupa Pavarësia, Tiranë 22-23 Nëntor
4.Kupa “Klavio Meça”, Tiranë 20 Dhjetor
Veprimtari ndërkombëtare
1.Kampionati Europian në pishinë 25 m, Poloni 2-7 Dhjetor
RREGULLORJA E KAMPIONATIT


FSHN-ja organizon në datat 30 dhe 31 gusht 2025 Kampionatin Kombëtar për Fëmijë, të Rinj dhe të Rritur (M+F). Ky kampionat u rezervohet notarëve dhe notareve të teseruar në ekipet e federuar në FSHN. Në këtë veprimtari mund të marrin pjesë edhe notarë (M+F) nga Kosova dhe notarë (M+F) anëtarë të LEN dhe FINA pa të drejtë kualifikimi. Kjo veprimtari do të zhvillohet në pishinën me përmasa olimpike 50 m me 8 korsi, “Taq Dafa” në Durrës. Garat e këtij kampionati do të zhvillohen me tabelë elektronike dhe çdo ekip ka të drejtë të marrë pjesë në një garë të vetme me tre notarë, për kategorinë Fëmijë, të Rinj dhe të Rritur.
“Duel” i trajnerëve kampionë-para garave
Arjan Fetishaj: Tirana do jetë skuadra model dhe pretendente

57 notarë
Tirana do të prezantohet në kampionat me 57 notarë (35 M+22 F), në të gjitha kategoritë
Si është përgatitur Tirana për kampionatin kombëtar që do zhvillohet në Durrës?
Ky Kampionat është një aktivitet shumë i rëndësishëm, edhe për faktin se aty do të marrin pjesë të treja kategoritë e moshave. Kjo nënkupton se pjesëmarrja do të jetë e madhe nga të gjitha klubet e Shoqatat e Notit të Shqipërisë.
Cila do jetë pjesëmarrja e ekipit tuaj në këtë veprimtari të rëndësishme verore?
Tirana do të prezantohet në këtë Kampionat me 57 notarë (35 M+22 F), në të treja kategoritë, gjë që e bën edhe më konkurruese skuadrën tonë. Kishim më shumë notarë në aktivitet, por me këtë numur menduam se do jemi më konkurrues.
Ku mendoni se do të jeni superiorë në këto gara të këtij kampionat?
Superiorë së pari do të jemi në pjesëmarrje, ku pretendojmë që në të gjitha displinat të kemi podium fituesish në të treja kategoritë, si për meshkujt ashtu edhe te femrat. Edhe si individë, edhe si skuadër synojmë kupat e kampionatit.
Cilët mendoni se do jenë rivalët tuaj në këto gara të Kampionatit?
Për ne si Tiranë, rival tradicional në të gjitha garat është AN Te Stela, por edhe Durrësi, Partizani e disa të tjera. Te Stela janë konkurrues në çdo garë, por Tirana është bërthama e Kombëtares dhe do ketë cilësinë e rezultateve në shumë displina.
Kjo është veprimtaria e fundit verore në pishinën 50 m, si mendoni se do ta mbyllni?
Me rezultatet më të mira të të gjitha aktiviteteve që janë zhvilluar gjatë vitit 2025. Për ne si FC Tirana, ky është kampionati që të tregojmë se jemi skuadra model. Me keqardhje e them se ne nuk kemi një pishinë për përgatitje dimërore!
Mendoni se do të ndikojë negativisht moti i nxehtë, apo do jetë favorit?
Nuk mendoj se moti do ketë ndonjë ndikim negativ për garuesist, edhe pse parashikimi është për rreshje shiu. Tashmë temperaturat janë pjesë e procesit dhe e sakrificave që notarët do kenë në sport. Shpresoj të na favorizojë moti pa rreshje.
Noti shqiptar do garojë në pishinën që mban emrin e notarit të madh Taq Dafa, është kjo një motiv për ju?
Kam notuar edhe vetë në atë pishinë, dhe në momentin që notarëve u kam thënë se do të zhvillohet kampionati në Durrës, ju kam folur atyre edhe për Taq Dafën si simbol i notit shqiptar.
ÇMIMET PËR FITUESIT E SEZONI 2024
Notari më i mirë – M Notarja më e mirë – F
Reidi Resuli-Teuta Stela Gjoka-Teuta
Ekipi fitues – M Ekipi fitues – F
Teuta Durrës Tirana (8 Medalje Ari)
Teuta ekipi Kampion
Eduart Cane: AN Te Stela do ta mbyllë me fitore stinën e verës

55 notarë
AN “Te Stela” ka seleksionuar 55 notarë garues, 30 djem dhe 25 vajza
Si është përgatitur Te Stela për kampionatin kombëtar që do zhvillohet në Durrës?
Nuk kemi bërë përgatitje shumë të madhe fizike, dhe kjo nga pushimet verore. Por disa sportistë që kanë qënë dhe gjatë verës me shkëputje shumë të vogël, mendojme se do të kenë një përmirësim shumë të mirë të rezultateve.
Cila do jetë pjesëmarrja e ekipit tuaj në këtë veprimtari të fundit verore?
Si ekip, AN Te Stela do marrë pjesë me 55 notarë, 30 djem dhe 25 vajza, në të gjitha kategoritë: Fëmijë, të Rinj dhe të Rritur.Një numur jo shumë i madh pjesëmarrjeje, për arsye të sezonit veror dhe mungesave të notarëve në stërvitje.
AN Te Stela do ta synojë edhe këtë kampionat me fitore në të gjithë treguesit?
Mendojmë se jemi gati për rekorde në stafetat e vajzave. Si gjithmonë objektivi i AN Te Stela është fitorja, dhe për atë do luftojmë në këtë kampionat. Por do doja të shoh notarët tanë që të kalojnë bukur, dhe të kënaqen duke notuar shpejt e mirë.
Cilët mendoni se do jenë rivalët tuaj në këto gara, individë dhe ekipe?
Ka disa vite që rivaliteti në të gjitha garat kombëtare ka qënë mes nesh (AN Te Stela) dhe Tiranës. Sepse në përbërjen e saj Tirana ka notarë që bëjnë diferencën, ndërkohë që edhe ekipet e tjera kanë individë, të cilët besoj se do jenë protagonistë.
Kjo është veprimtaria e fundit verore në pishinën 50 m, si mendoni se do ta mbyllni?
Mendojmë ta mbyllim këtë stinë të verës me fitore. Kemi arritur të fitojmë kampionatin në pishinën 25m, fituam Kupën e Shqipërisë 50 m (F+M), do ta mbyllim me fitore edhe në Durrës me Kampionatin. Ky mbetet synimi ynë.
Mendoni se do të ndikojë negativisht moti i nxehtë, apo do jetë favorit?
Nuk mendoj se moti do jetë pengesë, madje nuk ka të bëjë fare për ecurinë e garave, edhe nëse do ketë rreshje shiu. Unë them se me më shumë ndikim do jetë mangësia e përgatitjeve në punën stërvitore të notarëve.
Noti shqiptar do garojë në pishinën që mban emrin e notarit të madh Taq Dafa, është kjo një motiv për ju?
Natyrisht që emri i Taq Dafës mbetet një shëmbull për të gjithë ne, jo vetëm në këto gara. Ai ka qënë dhe do mbetet ikona e notit shqiptar, dhe ky brez i ri shpresoj të shkojnë në këtë rrugë, edhe pse deri tani shënjat nuk janë.
ORARI I GARAVE
Datë 30 gusht 2025
PARADITE
Nxemje 09:00-10:00
Garat 10:00
PASDITE
Nxemje 15:30-16:30
Garat 16:30
PROGRAMI I GARAVE
Dita e parë, 30 gusht 2025
PARADITE
200 m Stil i lirë M+F
100 m Flutur M+F
50 m Bretkocë M+F
400m Katërnotim M+F
50 m Shpinë M+F
PASDITE
50 m Stil i Lirë M+F
200m Katërnotim M+F
50 m Flutur M+F
800 m Stil i Lirë M+F
Stafetë 4X100 m Mix
Miks M+F
Dita e dytë, 31 gusht 2025
PARADITE
1500m Stil i Lirë M+F
100 m Bretkocë M+F
200 m Flutur M+F
100 m Shpinë M+F
Stafetë 4X100 m
Stil i Lirë M+F
PASDITE
100 m Stil i Lirë M+F
200 m Shpinë M+F
400 m Stil iLirë M+F
200 m Bretkocë M+F
Stafetë 4X200 m
Stil i Lirë M+F



















