Pragsfida me Kukësin, Mehmeti: Partizani është legjendë, Skuka të jetë më altruist

215
Sigal

Partizani luan nesër në 16:45 me Kukësin në “Air Albania”. Sfida vlen për javën e 23-të të Superligës, ndërsa është komentuar edhe nga trajneri i Demave, Dritan Mehmeti. Numri një i pankinës së kuqe tregon për dëmtimin e Hadroj, ndërsa edhe Skuka ndjen shqetësime. Gjithashtu Mehmeti i ka tërhequr veshin sulmuesit, duke dashur më shumë altruizëm në fushë.

“Mënyra sesi e shoh unë futbollin, nuk jam për të gjykuar arbitrin. Gabimet jaën evidente. Na kanë anulluar dy penallti në minutat 6 dhe 40 me Dinamon. Dua të fokusohem në mënyrën sesi sillen lojtarët në fushë. Junior luan larg portës, Skuka duhet të rritet, të jetë më rezultativ para porte dhe të jetë altruist.

E respektojmë Kukësin, ka individë të mirë. Çdo kundërshtar na inponon respekt. Nesër historia e kësaj ndeshjeje do jetë ndryshe. Kemi marrë masa për pikat e forta të tyre, ia dimë edhe të dobëtat.

Futemi në fushë për të marrë pikët maksimale, ne jemi Partizani. Filozofia ime është të jemi dominues taktiksiht dhe të imponojmë ritmin. Dua një lojë të shpejtë dhe me raste. Skuadra jonë nuk duhet t’i japë inisiativë kundërshtarit, e vendosim ne lojën.

Dëmtimet? Hadroj ka probleme me një dëmtim disa javë para, e shfaqi edhe dje. Edhe Skuka po ashtu. Besoj se sot do vendosim për Hadroj, rrezikon shumë se ka shkallë dëmtimi të lartë. Do flas me stafin për të vendosur për të dy.

Do bëjmë gabim nëse nuk vlerësojmë Kukësin, të jemi cinikë. Të shohim punën tonë. Gjetja e justifikimeve nuk i bën mirë skuadrës. Të mësojmë nga gabimet tona, nuk na falet. Kemi shpërdoruar shumë. Në ndeshjet e fundit kemi humbur shumë para porte, mos kemi probleme në finalizime.

Golat? Mënyra sesi unë bëj formacionin, e bëj nga lojtarët që kam. Kallaku është ai që na jep pasin e fundit. Skuka e ka vështirë në zona të ngushta, nuk është e lehtë të përshtatet. Malën e kam pozicionuar në linjat e qendrës sepse është shumë mirë nga ana teknike, na jep cilësi. Janë manovra që kam dashur t’i bëj. Futbolli është i vështirë. Duhen gjetur elementët e duhur. Duhet të jemi më të qetë para porte. Nxitimi të çon në gabim para porte.

Dy ndeshjet e radhës? Është shumë e rëndësishme që të shkojmë te rezultati para lojës së mirë, të jemi cinikë për mënyrën si kërkojmë fitoren. Jemi imponuar te kundërshtarët, para porte të respektojmë veten.

Presion? Partizani është skuadër legjendare dhe do jetë në presion. Pavarësisht momentit, klubi, trajneri dhe lojtarët të kuptojnë se çfarë peshe ka fanella e Partizanit. Të hyjmë në fushë me mentalitet fituesi”, tha Mehmeti.