Përmbysje e çmendur në tri minuta, Tirana i rrëmben kreun Kukësit

680
Sigal

Tirana është kryesuesja e re e Kategorisë Superiore dhe do të shkojë në derbin e kryeqytetit të javës së ardhshme si e tillë. Skuadra e drejtuar nga Emanuel Egbo ka fituar me një përmbysje të çmendur 2-1 përballë verilindorëve të cilët tashmë mund të thuhet se po kalojnë përsëri një minikrizë.

Në një sfidë shumë të luftuar në “Air Albania” të dy skuadrat luajtën hapur, por pa arritur që të krijonin shumë raste para portave. Bardheblutë u shfaqën më thumbues në pjesën e parë me Xhikën i cili shpëtoi disa herë katërkëndorin e tij me ndërhyrje vendimtare, ndërsa në fund të pjesës ishte Rroca që fali para portës së Likës.

Pa kaluar shumë minuta në pjesën e dytë, erdhi goli, ose më saktësisht autogoli i Vangjelit, ky i fundit devijoi një pasim të Mustës në portën e vet duke i dhënë avantazhin verilindorëve. Bardheblutë u hodhën me ngulm në kërkim të barazimit, por e gjetën në rrethana që pakkush i mendonte në minutat e fundit. Pas një faulli që solli kartonin e dytë të verdhë të Teqjes, Batha ekzekutoi saktësisht një goditje dënimi duke mposhtur Xhikën e barazuar shifrat. Vetëm 3 minuta më vonë, erdhi goli i fitores bardheblu me Torasën që tundi rrjetën e verilindorëve të tronditur,.

Ata patën 7 minuta shtesë për të reaguar por nuk ia dolën dhe humbën njëkohësisht ndeshjen dhe vendin e parë në Superiore që i shkon Tiranës, tashmë me të drejtë kandidate kryesore për të fituar titullin kampion.

Kukësi-Tirana 1-2
52′ (ag) Vangjeli / 85′ Batha, 88′ Torasa