Jeta Dedja: Dritëhijet e një kryeministri të pasigurt dhe frikacak

1154
Sigal

Nga Jeta Dedja

Diku Erich Fromm ka thënë se “një nga faktorët kryesorë të autoritarizmit është pasiguria”. Kjo gjendje shoqërohet me ndjenjën e frikës, ankthit, mungesën e besimit te vetja, dyshimit tek aftësitë. Njerëzit me nivel të lartë pasigurie e shfaqin këtë në aspekte të ndryshme të jetës si në marrëdhëniet personale, apo në impenjimet e punës pasi ata e perceptojnë veten si të papërshtashëm për atë rol. Për shkak të pasigurisë këta tipa mendojnë se do të ndihen të papranuar nga të tjerët në një situate, dhe kur kjo ndodh ata mund të reagojnë edhe me bullizëm.

Për ilustrim mund të përdorim sjelljet e kryeministrit të pasigurt Edi Rama, i cili panikohet sapo i rrezikohet autoriteti. Në një sallë mbushur me studentë, e dominuar nga foltorja prej kryeministrit, papritmas dëgjohen zëra rinorë kundër autoritetit.

Dhe si e përballon këtë kërcënim të autoritetit Kryeministri i pasigurt? Sigurisht me dhunë. Pasi autokratët si ai kanë frikë të përballen me fjalën e lirë.

Rama nga pozitat omnipotente zgjodhi t’i përgjigjej të rinjve me forcën e pushtetit. Ai shfrytëzoi auditorin e diplomantëve që ishin aty për të celebruar arritjet disavjeçare të edukimit të tyre dhe aspak të përgatitur për të prishur këtë festë. Kryeministri vendosi t’ua përlyente ditën me praninë e tij të tepërt, ashtu edhe me ndërhyrjen e tij të papërshtatshme. Dy studentë guxuan ta kundërshtojnë figurën e tij duke e paguar këtë akt me arrestim, ironikisht në ditën e përvjetorit të hedhjes së monumentit të diktatorit.

Nuk i fajësoj shokët e tyre për mosreagim adekuat. Të marrësh vendim në grup nuk është e lehtë. Jo të gjithë reagojnë me shpejtësi në situata spontane. Disave u duhet kohë të mendojnë, disa kanë nevojë për një Bari, e të tjerë pëlqejnë të mënjanohen në një strehë kur moti sjell stuhi.

Fajin e ka burri me mjekër të thinjur që supozohet të reflektojë maturi dhe inteligjencë emocionale. Por fatkeqësisht ky njeri këto cilësi nuk i ka, sepse nuk është lider në kushte demokracie, por një kleptokrat që ka vjedhur çdo pushtet dhe si një hajdut ai nuk mund të sillet veçse si një ordiner.

Ju e dini, vjedhësit jetojnë me frikën e kapjes. Ata i gëzojnë të mirat në një gjendje pasigurie konstante. Ata e dinë që çka kanë nuk e kanë prej punës, por prej bashkëpunimeve nën mjegullën e paligjshmërisë. Dhe ç’bëjnë ata për të luftuar frikërat e tyre. Me siguri nuk shkojnë te psikiatri, por vazhdojnë e kontribuojnë çdo ditë të shtojnë çetën e hajdutëve. Hajduti i moçëm me shokë shumë.

Por nga e ka burimin pasiguria e Ramës? Kleptokracia nuk është burimi i tij i vetëm i ankthit. Pasiguria mund të shtrihet thellë në fëmijërinë e largët, atëherë kur Edvini i vogël ka patur frikërat e para si të gjithë fëmijët e tjerë. Nuk mund të spekuloj me aftësitë prindëruese të krijuesve të tij, duke aluduar për ngjarje traumatike në fëmijëri, probleme atashimi me prindërit apo neglizhencë emocionale e fizike ndaj tij. Këtë nuk mund ta bëj se nuk ka as ndonjë fakt të publikuar.

Por më vonë, në rininë e hershme, thuhet se Edvini i ri ka patur shenja të forta pasigurie në lidhje me marrëdhëniet sentimentale e më tej martesore e atërore. Kjo pasiguri i thelloi Edvinit ankthin në marrëdhëniet ndërpersonale duke ia shtuar dozën e agresivitetit dhe kompleksin e superioritetit si mekanizma të çlirimit të ankthit. Këto ai i përsosi përgjatë viteve në pushtet, duke besuar se pasiguria dhe ankthi mund të mbahet nën kontroll jo vetëm me kokainë, siç thonë disa, por me dhunë, arrogancë, pushtet absolut.

Kështu Kryeministri arriti të shpërfaqë plotësisht personalitetin narcisist, i cili i ka rrënjët në pasigurinë e “bukurisë”. Për t’i mbushur mendjen vetes dhe botës sa i sigurt është Edi në madhështinë, fuqinë, inteligjencën, talentin, aftësitë e tij, ai çdo ditë provokon shqiptarët duke ua fyer botërisht urtësinë.

Me një mungesë të theksuar empatie, ai nuk ndalon dy minuta të dëgjojë të rinjtë e papunë, por ua përçmon shkollimin, guximin dhe ëndrrat. Ai tmerrohet nga kritikat dhe nuk toleron mendimin kundër. U largohet si një frikacak dhe një lider i pasigurt zërave të lirë. Ai beson se është unik, i zgjedhuri i popullit, shpëtimtari i krizave dhe fatkeqësive dhe kërkon ta ndjekin pas me bindje, pa gëk e mëk. Ai hiqet si lider modern që duhet adhuruar për modën, artin, filozofinë, stilin e jetës, qëllimet, por në fakt është një narcisist i mjerë që i duhet një diagnostikim i thellë dhe terapi e personalizuar për ca vite derisa të ketë ymër.

Uroj që ndonjë nga studentët e sallës së djeshme ta marrë përsipër në një të ardhme të afërme.