Perlat Musta: Me Kilin e Suedinë, dy miqësore kolauduese për Kombëtaren

20

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-portieri e kapiteni kuqezi, Perlat Musta: Dy ndeshje teste.

Sigal

Agron Kaja

Nga 20 nëntori i vitit të kaluar, Kombëtarja nuk ka patur aktivitet zyrtar. Është kjo hapësirë e gjatë pa ndeshje e grumbullime, apo e kushtëzuar?

Nuk mendoj se ka qënë hapësirë e gjatë, edhe për faktin se lojtarët kanë qënë në aktivitet te skuadrat e tyre dhe besoj se gjëndjen fizike e kanë optimale. Këto dy ndeshje bëhen, që të shikohen edhe ata që nuk kanë luajtur me Kombëtaren.

Në karrierën tuaj nuk e kishit fatin e Kombëtares sot. Si e shikoni këtë rritje të skuadrës kuqezi?

Janë shumë vite dhe jeta ka evoluar edhe për lojtarët e Kombëtares. Ata luajnë në skuadra të mëdha dhe natyrshëm vijnë edhe këto kualifikime, si në Euro 2024. Rritja ka ardhur edhe nga drejtimi me profesionalitet që i ka bërë FSHF-ja kësaj kombëtareje.

Cili është ndryshimi mes Kombëtares të kohës tuaj dhe Kombëtares sot?

Ndryshimet janë në vite, janë në metodologjinë e stërvitjes, por edhe në faktorë të tjerë. Sepse kanë ndryshuar shumë gjëra, aqsa në kohën nuk lejohej që gjatë ndeshjes e stërvitjes të pije ujë. Vetëm ky detaj e zbardh ndryshimin.

Listën e lojtarëve që Silvinjo ka grumbulluar për dy miqësoret, me Kilin e Suedinë, e mendoni të plotësuar?

Trajneri Silvinjo është më afër me lojtarët që ka grumbulluar dhe mendoj se ka bërë listën më të mirë. Prandaj bëhen edhe këto miqësore, për t’i parë më mirë lojtarët e rinj, por edhe për të kuptuar fizionominë e lojës që do të luajnë në Europian.

Janë disa emra që nuk janë futur në listën e Silvinjos, duket si një largim i tyre nga Kombëtarja?

Nuk mund të flas unë për këtë, sepse është një pyetje që duhet t’i përgjigjet vetëm trajneri. Këto janë ndeshje miqësore ku trajneri do të shohë sa vlejnë më të rinjtë, që ai mendon t’i ketë në skuadër, ndërsa në qershor do bëhen zgjedhjet e plota.

Me Kilin luajmë për herë të parë në histori, cilët lojtarë mendoni se do jenë të besuarit si titullarë?

Janë pjesë e zgjedhjes së trajnerit, në bazë të politikave e taktikave që ai mendon t’i përdorë gjatë ndeshjes. Sepse kështu ai përgatitet edhe për përballjen me Kilin, por edhe për të gjetur “shtigjet” ku duhet të punojë me lojtarët aktualë.

Nëse kjo miqësore do të luhej në Tiranë, mendoni se tifozeria kuqezi dhe qytetaria shqiptare do ishin të shumtë në stadium?

Patjetër që po, dhe kjo nuk diskutohet. Sepse tifozeria jonë e ka treguar se me sa dëshirë e përkrah Kombëtaren. Edhe nëse do të kishim stadium me 40 mijë vënde, do ishte mbushur plot në Shqipëri. Por edhe në Itali do shkojnë shumë shqiptarë.

Më 25 mars do të luajmë me Suedinë, me të cilën kemi bilanc negativ, çfarë do jetë më shumë kjo përballje?

Unë mendoj se historia nuk vlen shumë në të tilla miqësore. Edhe kjo miqësore i vlen trajnerit për mënyrën se si do të luajë në Europian. Rezultati është pjesë morale, që edhe duhet, por unë i uroj sukses Kombëtares, sa më shpejt të kolaudohet për në Gjermani.

LISTA E TË GRUMBULLUARVE

Portierë: Etrit Berisha, Thoma Strakosha, Elhan Kastrati; Mbrojtësa: Berat Gjimshiti, Neser Aliji, Frederik Veseli, Ivan Balliu, Elseid Hysaj, Mario Mitaj, Enea Mihaj, Marrash Kumbulla, Jon Mersinaj. Mesfushorë: Keidi Bare, Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Nedim Bajrami, Kristian Asllani. Sulmues: Sokol Cikalleshi, Jasir Asani, Ernest Muçi, Myrto Uzuni, Taulant Seferi, Armando Broja, Rei Manaj, Arbër Hoxha. Trajner: Sylvinjo Mendes Kampos J.

 

NDESHJET MIQËSORE

E premte, 22 mars 2024

Shqipëri-Kili                20:45

Stadiumi “Enio Tardini”

Në Parma, Itali

E hënë, 25 mars 2024

Suedi-Shqipëri                        19:00

Stadiumi “Friends Arena”

Në Stokholm, Suedi

 

NDESHJE ME KILIN

Luhet për herë të parë

 

Flasin sulmuesit Kuqezi

Manaj përvesh mëngët: Jam gati për Europian

Sulmuesi Rei Manaj është thirrur në Kombëtare për herë të parë nga Silvinjo, duke u bërë pjesë e skuadrës kuqezi për ndeshjet miqësore me Kilin më 22 mars, dhe me Suedinë më 25 mars. Në deklarimin e tij gjatë konferencës së djeshme për mediat, Manaj tregoi emocionet e rikthimit, por edhe mundësitë që shfaqen në këtë Europian. “Rikthehem dhe mendoj se për në Europian do vendosë trajneri. Brenda mendjes time unë besoj se jam gati për të shkuar atje. Kam patur komunikime me trajnerin, dhe tashmë që është Europiani i dytë për Shqipërinë, është edhe një oportunitet për të gjithë. Edhe kërkesat janë të larta. Tifozët, na kanë mbështetur gjithmonë. Ekipi pa tifozët s’është asgjë”, -kështu u shpreh Manaj.

Muçi i vlerëson miqësoret, është gati për skuadrën

Sulmuesi Ernest Muçi vjen në grumbullimin e Kombëtares pas paraqitjeve shumë të mira me skuadrën e Beshiktashit, në të cilin ai ndjehet shumë komod, pasi edhe pritja që i kanë bërë është shumë e mirë. Ndërsa për grumbullimin e tij për dy miqësoret, ai ka vlerësim si dy ekipe të mëdha. “Te Beshiktashi më kanë pritur shumë mirë, jam përshtatur shumë shpejt. Ndërsa këtu në këtë grumbullim me Kombëtaren, atmosfera është shumë e mirë, madje e tillë ka qenë edhe gjatë gjithë kualifikueseve. Evropianin nuk e kam menduar fare, por në këto dy miqësore që kemi para dua të bëj më të mirën. Ne duhet të tregojmë veten se e meritojmë të shkojmë në Evropian, ndërsa për aktivizimin e vendos trajneri, unë jam gati”.