Partizani është kualifikuar zyrtarisht në “Final Four”. Të kuqtë e kryeqytetit fituan duelin direkt ndaj Elbasanit, për ta mbyllur kampionatin e rregullt në vendin e katërt.
Në stadiumin “Arena e Demave”, Partizani fitoi me rezultatin 2-0, duke marrë fitoren që i lejon të luftojnë për titullin kampion.
Preka zhbllokoi takimin në fundin e pjesës së parë, ndërsa Lulaj me një autogol, vulosi shifrat në 2-0.
Me këtë sukses, Partizani i bashkohet Egnatias, Vllaznisë dhe Dinamos në “Final Four”, ku do të duelojnë për titullin kampion.
Në sfidat e tjera, Egnatia u mposht 2-1 nga Teuta, ndërsa Vllaznia barazoi 1-1 ndaj Laçit. Dinamo u mposht 2-0 nga Tirana, me bardheblutë që siguruan “play out”, duke shmangur rënien direkte.