Partizani humbet në Laç, por Sampaio premton Ligën e Europës

548
Sigal

Trajneri portugez i të kuqve: “Humbëm shumë raste shënimi, kjo na krijoi pasiguri në lojë”

Partizani pësoi një humbje të hidhur në Laç, me kurbinasit që fituan me rezultatin e pastër 2-0, falë dopjetës së Erjon Vuçajt. Me fitoren ndaj të kuqve, Laçi i jep vetes shpresë për Europën. Kurbinasit janë në “luftë” me Teutën për një vend në Ligën e Europës për sezonin e ardhshëm. Në Laç u pa një dialog i gjatë i vendasve me miqtë nga kryeqyteti. Mundësinë e shkëlqyer për të kaluar në avantazh, Laçi e pati në të 23’, kur Xhejms i vetëm përballë portierit Hoxha pa goditjen e tij të ndalej nga kapiteni i kryeqytetasve, i cili u tregu i jashtëzakonshëm edhe në minutën e 28-të kur ndali sërish nigerianin. Në minutën e 46-të, Nexhipi Nexhipi nuk arriti të shfrytëzonte si duhet një gabim të mbrojtjes së Laçit pasi goditi dobët dhe u ndal nga Bakaj. Në minutën e 64-t, Gëzim Krasniqi preku topin me dorë dhe kapiteni Erjon Vuçaj shënoi golin e parë nga pika e bardhë. Dhe pa kaluar akoma katër minuta nga zhbllokimi i rezultatit bardhezinjtë shënuan edhe golin e dyfishimit më anë të Vuçajt. Trajneri Partizanit, Marcio Sampaio, përgëzoi Skënderbeun për titullin kampion deklaroi se Laci është një skuadër shumë e mirë sidomos në fushën e saj dhe për Partizanin nuk ishte e lehtë të bënte rezultat në këtë transfertë. “Rastet e humbura më shqetësojnë pasi sjellin një farë frenimi në skuadër, por mbi të gjitha pasiguri. Megjithatë, së bashku me stafin teknik i motivuam djemtë dhe ata dhanë më të mirën në pjesën e dytë. U përmirësuam ndjeshëm në veprimet tona në sulm gjatë pjesës së dytë. Dua të përgëzoj Skënderbeun për fitoren e titullit kampion pasi kanë qenë skuadra më e mirë dhe e meritojnë kampionatin. Është e vërtetë që Laçi është një skuadër shumë e mirë dhe e kisha paralajmëruar skuadrën time për vështirësinë e kësaj ndeshjeje. E rëndësishme është që vazhdojmë të qëndrojmë në vendin e tretë dhe do të bëjmë çmos për ta arritur objektivin Liga e Europës në dy takimet e fundit. Përsa i përket stilit të lojës nuk kam ndërmend ta ndryshoj atë pasi nën drejtimin tim Partizani ka pësuar vetëm 2 humbje”. Me këtë sukses kurbinasit u ngjitën në kuotën e 48 pikëve në vendin e katërt, që e ndajnë bashkë me Teutën. Partizani është i treti me 50 pikë.

 FITON TEUTA

Teuta fitoi me rezultatin e pastër 2-0 në Lushnjë, me nga një gol në çdo pjesë loje: Xhafaj shënoi në minutën e 10-të, ndërsa Beqja në të 47’. Lushnja ka kohë që ka rënë nga Kategoria Superiore, ndërsa Teuta shpreson ende për një vend në Europë.

 FITON TIRANA

 Tirana vazhdon momentin e shkëlqyer të saj, duke fituar në Krujë me rezultatin 3-2. Për Kastriotin shënuan Turdiu 66’ (pen) dhe Ferraj 85, ndërsa për Tiranën: Peposhi 39’, Muca 40’ (pen) dhe Limani 82’. Kastrioti ka rënë nga Superliga.

 Elvin Beqiri, shpëtimtari i Vllaznisë

 Një gol i vonshëm i realizuar nga ish-mbrojtësi i Kombëtares, Elvin Beqiri, i dhuroi tri pikë të arta Vllaznisë në fitoren minimale 1-0 ndaj rivalit direkt për mbijetesë, Flamurtarit. Në fakt, ishte një ndeshje e dominuar nga kuqeblutë, të cilët iu falën eksperiencës së mbrojtësit 33-vjeçar në një nga ndeshjet më të mira të tij. Sfida nisi me ritëm të lartë, me shkodranët që kërkojnë me ngulm golin me anë të kroatit Tomislav Bushiç  në minutën e 10-të, me më pas me malazezin Vukçeviç në të 24’. Në minutën e 55-të, portieri Shpëtim Moçka i mohon golit malazezit Bushic, duke e dërguar më vështirësi topin në goditje këndi. Goli që do të bënte të shpërthente “Loro Boriçi” do të vinte dy minuta nga përfundimi i kohës së rregullt dhe mban firmën e veteranit Elvin Beqiri, i cili shfrytëzoi si duhet një top të mbetur në zonën vlonjate. Vllaznia u ngjit në kuotën e 44 pikëve, ndërsa Flamurtari mbetet në atë të 44 pikëve, por me shkodranët që kanë një golaverazh më të mirë.

Kategoria Superiore

Java XXXI

 Dje, 30 prill

SKËNDERBEU-KUKËSI 3-3

Golat: Ribaj 20’, Pejic 58, 61’ / Izucuku 64’, Cikalleshi 66’, Hysa 84’

LAÇI-PARTIZANI 2-0

Golat: Vucaj 65’ (pen), Vucaj 74’

LUSHNJA-TEUTA 0-2

Golat: Xhafaj 10’, Beqja 47’

VLLAZNIA-FLAMURTARI 1-0

Golat: Beqiri 88’

KASTRIOTI-TIRANA  2-3

Golat: Turdiu 66’ (pen), Ferraj 85’ / Peposhi 39’, Muca 40’ (pen), Limani 82’

BYLISI-BESA (0-3 në tavolinë)

RENDITJA

1 Skënderbeu      31   +20 58

2 Kukësi             31   +6   51

3 Partizani    31   +6   50

4 Teuta         31   +6   48

5 Laçi           31   +6   48

6 Tirana       31   +2   46

7 Vllaznia           31   +8   44

8 Flamurtari 31   +3   44

9 Besa          31   +5   41

10 Kastrioti  31   -12  29

11 Lushnja          31   -22  26

12 Bylis       31   -28  24

Dy javët përmbyllëse

JAVA E 32-të (3 MAJ)

Partizani-Skënderbeu

Laçi-Kastrioti

Kukësi-Lushnja

Besa-Vllaznia

Flamurtari-Tirana

Teuta-Bylisi (3-0)

JAVA E 33-të (10 MAJ)

Skënderbeu-Laçi

Lushnja-Partizani

Vllaznia-Teuta

Tirana-Besa

Kastrioti-Flamurtari

Bylisi-Kukësi (0-3)

Rregulloja, ja si përcaktohet mbijetesa

 Në kushtet kur tri skuadra i kanë mbyllur llogaritë me Superioren (Bylisi, Lushnja dhe Kastrioti), katër të tjera (Vllaznia, Flamurtari, Tirana dhe Besa) po bëjnë llogaritë e fundit për t’i shpëtuar rënies. Kur kanë mbetur edhe 2 javë nga përfundimi, të gjithë janë me “laps” në dorë. Vendi i 9-të, ku aktualisht pozicionohet Besa, të rrëzon nga kategoria, por ekziston mundësia që ekipet deri në fund ta mbyllin me pikë të barabarta. Nëse ndodh kështu, atëherë do të futet në lojë rregullorja, e cila parashikon.

NENI 87

Pika 4. Nëse dy ose më shumë ekipe kanë grumbulluar të njëjtën sasi pikësh, renditja e tyre në tabelën e klasifikimit përcaktohet duke mbajtur në konsideratë kriteret si më poshtë:

a) pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;

b) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;

c) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë kampionatit;

d) numri më i madh i golave të shënuar gjatë kampionatit; e) me short;

NENI 89

Pika 1. Në përfundim të sezonit, klubet e renditura përkatësisht në vendin e 9, 10, 11 dhe 12, bien menjëherë nga Kategoria Superiore dhe e nisin sezonin e ardhshëm nga Kategoria e Parë.

HISTORIA

Kampionati i panjohur i vitit 1911

Pavarësisht se është viti 1930, edicioni edhe kur zyrtarisht është luajtur edhe kampionati i parë (i njohur nga FIFA), është “Turneu i Panairi të Fierit”, veprimtaria e parë futbollistike me përmasa kombëtare, i zhvilluar në vitin 1911 (ende i panjohur nga FSHF). Kampione doli Tirana që në finale mundi 6-1 Peqinin. Në atë turne (apo kampionat) morën pjesë Tirana, Elbasani, Kavaja, Berati, Peqini dhe Vlora. Ndeshjet u luajtën muajin prill 1911, madje në një kohë kur shteti shqiptar ende nuk e kishte fituar Pavarësinë (28 nëntor 1912). Lajmin e jep gazeta “Zgim i C’qipërisë”, me drejtor Abdyl Kadri, dhe mban datën e publikimit 21 prill 1911. Sipas shkrimit të asaj gazete, trofeun e mori kapiteni i Tiranës, Zyber Hallulli.

 Kur kampionati quhej… “Puna”

 Në kampionatin e vitit 1951, nga 14 skuadra që merrnin pjesë, 11 prej tyre quheshin “Puna’, përfshirë dhe Puna e Gjirokastrës, Puna e Kuçovës (ish-Qyteti Stalin), Puna e Fierit, Puna e Tiranës, Puna e Vlorës, Puna e Korçës, Puna e Durrësit, Puna e Kavajës, Puna e Shkodrës. Kampionati i vitit 1956, i fituar nga Dinamo, kishte në përbërje 9 skuadra, shtatë prej të cilave kishin të njëjtën emër. “Puna’, por që dalloheshin nga njëra-tjetra, nga qytetet qe u përkisnin.

 Dënohet me burg ish-lojtari i Partizanit

 Ish-futbollisti i Partizanit, Admir Arifaj është dënuar me 16 muaj burg nga Gjykata e Tiranës pasi rezultoi fajtor ndaj akuzës së përndjekjes së ish-të dashurës të tij. Pas ndarjes mes ish-futbollistit dhe ish-volejbollistes, Aurela Selfollari, ai e ka përndjekur, duke e detyruar vajzën të bënte një denoncim në polici. Pasi ka marrë parasysh dëshmitarët dhe provat e prokurorisë, Gjykata e Shkallës së Parë vendosi dënimin me 1 vit e 4 muaj për 26-vjeçarin që në të shkuarën ka qenë pjesë e skuadrës së kuqe.

 Hapoel Ako konfirmon Hamdi Salihin

 Hamdi Salihi u kthye në heroin e Hapoel Ako me golin e tij ndaj Hapoel Haifa, që i siguroi mbijetesën ekipit të tij në elitën e futbollit izraelit. Gol që me shumë gjasa vlen dhe për rinovimin e kontratës së shkodranit. Mediat izraelite shkruajnë se, sulmuesi i kombëtares shqiptare, pritet të jetë lojtari i parë që do të konfirmohet dhe për sezonin e ardhshëm. Salihi mesa duket ka bindur me paraqitjen e tij në ndeshjet e fundit. Shkodrani mbërriti në muajin janar te skuadra izraelite, për të cilën shënoi katër gola.