Gentian Stojku: Golat nuk tregojnë vlerat e vërteta të skuadrave

14

KATEGORIA E PARË/ Ish-kryegolashënuesi i Superiores, Gentian Stojku analizon dy javët e para

Sigal

Agron Kaja

“Në dy javët e para janë shënuar nga 15 gola, 30 në total. Por golat e shumtë nuk shprehin vlerat e vërteta të çdo skuadre, sepse për këtë duhet të presim t’i shohim javë pas jave.”

Në Kategorinë e Parë janë luajtur dy javët e para, dhe një ndër treguesit që ka bërë të veçantë është edhe shënimi i golave. Nga 15 gola të shënuar çdo javë me një mesatare 2-5 gola për ndeshje, për kryegolashënuesin e futbollit shqiptar Gentian Stojku, këto shifra kanë të dyja anët e tyre. “Hapësira 10 ditore pa ndeshje zyrtare, nuk besoj se ndikoi në lojën e skuadrave, sepse nuk ishte shumë e gjatë. Ndërkohë që në gjashtë ndeshjet u shënuan 15 gola në këtë javë të dytë, një shifër kjo që tregon se të gjithë ekipet kërkojnë të shënojnë sa më shumë në portat kundërshtare. Por nga ana tjetër, kjo tregon se të gjitha skuadrat duhet të mendojnë edhe që të mos pësojnë shumë gola. Gjithsesi, golat e shumtë nuk shprehin vlerat e vërteta të çdo skuadre, sepse për këtë duhet të presim ti shohim javë pas jave”, kështu e nisi Gentian Stojku bisedën për gazetën “Telegraf”, duke u shprehur më pas se kishte rezultate që në javën e dytë nuk priteshin. “Nëse i shohim të gjitha rezultatet e javës së dytë, mendoj se humbja e Flamurtarit me Bylisin dhe ajo e Korabit me Apoloninë, nuk priteshin. Sepse skuadra vlonjate ka bërë shumë përforcime dhe në deklarimet mediatike të drejtuesve të saj, synimet kanë qënë për ngjitje në Superiore, ndërsa realiteti në 180 minuta duket ndryshe. Me këtë rezultat, Flamurtari tregoi se ka bërë skuadër, por nuk ka treguar vlerat e vërteta për emrat që ka afruar. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Korabin, i cili edhe pse reagoi ndaj Apolonisë, nuk e shmangu dot humbjen në fushën e tij. Ndërkohë që fjalët më të mira duhet të themi për Apoloninë e Bylisin, të cilët e kanë nisur me fitore këtë kampionat, e natyrisht që synimet e tyre duket se do t’i veçojnë si pretendentë dhe gara do bëhet edhe më e fortë”. Kalendari për javën e tretë është vetëm tre ditë larg nga e dyta, dhe për këtë Stojku thekson se kjo afërsi nuk do ketë ndikim në lojën e çdo skuadre. “Për këtë kalendar, të gjitha skuadrat janë të përgatitura, sepse FSHF-ja i ka njoftuar që në nisje të garës. Ndaj mendoj se tre ditë hapësirë janë normale për të kaluar në javën e tretë. Por edhe kjo javë ka disa takime që mund të quhen si kryendeshje, ku në katër prej tyre ndjehet “aromë Superiore”. Nuk mund t’i vlerësosh ndryshe sfidat: Bylis-Tomori, Kastrioti-Flamurtari, Apolonia-Besa dhe Lushnja-AF Elbasani. Por edhe dy ndeshjet e tjera: Vora-Burreli e Luzi-Korabi, të tilla do të jenë”. Java e tretë e Kategorisë së Parë do t’i luajë ndeshjet e saj të dielën e të hënën, pas të cilave renditja do të bëhet edhe më interesante.

KATEGORIA E PARË

NDESHJET, JAVA 3

Të dielën, 17.09.2023

Luzi 2008-Korabi           16:00

Bylis-Tomori                  16:00

Kastrioti-Flamurtari        16:00

Apolonia-Besa               16:00

Të hënën, 18.09.2024

Vora-Burreli                   16:00

Lushnja-AF Elbasani      16:00

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Apolonia            2        6

2.Bylis                  2        6

3.AF Elbasani       2        4

4.Tomori              2        4

5.Vora                  2        3

6.Besa                  2        3

7.Kastrioti            2        2

8.Flamurtari          2        1

9.Luzi 2008          2        1

10.Burreli             2        1

11.Korabi             2        1

12.Lushnja            2        0