Skuadra korçare e fiton titullin dy javë para përfundimit të kampionatit. Ky ishte trofeu i pestë
Skënderbeu është kampioni e ri i Shqipërisë! I kampionatit të 75-të të Kategorisë Superiore! Barazimi 3-3 me Kukësin dhe humbja e Partizanit në Laç ishin të mjaftueshëm për skuadrën korçare ta fitonte titullin dy javë përpara përfundimit të kampionatit. Ky është titulli i pestë në 62 kampionate që ka marrë pjesë Skënderbeu në Superligë. Katër kampionate rresht për korçarët: 2010-2011, 2011-2012, 2012-2013 dhe 2013-2014. Gjithsesi, titulli i parë i korçarëve daton në vitin 1933! Skënderbeu i vuri vulën kampionatit me barazimin e fundit 3-3 ndaj Kukësit, e duke përfituar nga humbja e Partizanit u ngjit sërish në fronin më të lartë të futbollit shqiptar, me tifozët që pushtuan dhe njëherë fushën duke festuar me lojtarët e tyre një sukses të merituar, mes një vale emocionesh, e ndarë mes gëzimit dhe euforisë. Në një atmosferë të jashtëzakonshme, me dy tifozeri të bashkuara dhe në një festë të madhe sportive, ashtu si dhe vetë rezultati që prodhuan të dyja skuadrat: 3-3! Fillimi i sfidës megjithatë mes dy ekipeve ishte shumë miqësor, me skuadrat që e morën disi ngadalë sfidën. Duhej të vinte minuta e 20-të, që ndeshja të merrte një tjetër rrjedhë, me Lilajn që gjeti saktë Ribajn, i cili me një goditje të zgjuar mposhti Halilajn. Goli i dha epërsinë e titullit Skënderbeut. Lilaj një prej më të mirëve për të tijtë në fushë provoi dhe në minutën e 26-të, por këtë herë Halilaj reagoi duke larguar topin në goditje këndi, nga zhvillimet e së cilës, Arapi për pak sa nuk gjeti devijimin e 2-0. Në të 35-tën, Kukësi pati mundësinë më të mirë për të barazuar, me Hysën që dribloi mirë në zonë, por pa t’i mohohej barazimi nga Arapi. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e Skënderbeut, ndërsa në fillimin e së dytës, Hoxha u duk sikur i ngriu buzëqeshjen korçarëve por pozicioni i kosovarit ishte i parregullt. Në minutën e 57-të. Pejic shfrytëzon më së miri një harkim të Arapit duke mposhtur sërish Halilajn. 2-0 për korçarët dhe goli 17-të sezonal për Pejiç. Festën e Skënderbeut nuk e prishi dot as goli i Izuçukut në të 60-n, pasi dy minuta më pas Pejiç shkon i vetëm drejt portës për golin e 3-1. Duket se në Korçë, ka nisur dueli i goleadorëve, pasi kroatit, i përgjigjet dhe ndjekësi i tij më i afërt në listën e golashënuesve, Sokol Cikalleshi, që ashtu si kolegu përfiton dhe nga përgjumja e mbrojtjes për të shkurtuar diferencën. Ndërkohë në minutën e 84-t, Hysa me një goditje të fortë brenda në zonë realizoi dhe golin e 3-3, por që nuk prishi shumë punë për shkak të humbjes së Partizanit. Vërshëllima e Jorgjit zyrtarizoi trofeun e kampionit për Skënderbeun, me një qytet të tërë që nisi festën e titullit. Korça dhe njëherë u shndërrua në kryeqytetin e futbollit shqiptar. Skënderbeu fitoi të drejtën edhe të pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve, për të katërtin vit rresht, teksa edicionin aktual të kompeticionit më të ndjekur kaloi një tur dhe luajti më pas në turin e tretë të Ligës së Europës.
Pesë tituj kampionë
Pesë tituj kampion ka fituar Skënderbeu gjatë historisë së tij futbollistike që ka nisur në vitin 1930. Korçarët e fituan titullin e parë në vitin 1933 (Kampionati i 4-t Kombëtar, trajner Qemal Omari), sezonin 2010-2011 (Kampionati i 72-të) me dyshen e trajnerëve Shkëlqim Muça dhe më pas Shpëtim Duro, në sezonin 2011-2012 (Kampionati i 73-të) me trajner Stanislav Levin; në 2012-2003 dhe 2013-2014 me Mirel Josën.
Pesë skuadra rrethesh
Skënderbeu është skuadra e pestë nga rrethet që fiton të paktën një titull kampion, pas Vllaznisë (9), Elbasanit (2), Flamurtarit (1) dhe Teutës (1). Skënderbeu e fiton për herë të katërt rresht kampionati, duke qenë skuadra e dytë e rretheve që mbron në vazhdimësi titullin kampion. Vllaznia e kishte bërë atë më parë në kampionatet e viteve 1945 dhe 1946.
Tetë skuadra kampione
75 kampionatet e zhvilluara deri tani të Kategorisë Superiore janë fituara nga tetë skuadra: Tirana (24 herë), Dinamo (17), Partizani (15), Vllaznia (9), Skënderbeu (5), Elbasani (2), Teuta (1) e Flamurtari (1). Tirana është ekipi me më shumë kampionate të fituara: 24, 6 prej të cilave para Luftës së Dytë Botërore. Skuadrat e kryeqytetit kanë fituar 56 nga 73 kampionatet.
Mirel Josa: “E merituam”
Mirel Josa fitoi titullin e tretë si trajner. Të parin ai e ka fituar me Tiranën në sezonin 2003-2004, atje dhe ku është formuar si lojtar e trajner. Dy titujt e tjerë i ka fituar me Skënderbeun, në sezonet 2012-2013 dhe 2003-2014. Me Tiranën, Josa e fitoi titullin në vitin e tij të parë si trajner. Një titull i merituar, që u dedikohet të gjithë atyre që kanë dhënë kontribut në një sezon të gjatë dhe të lodhshëm. Për Mirel Josën, ky ishte trofeu i dytë kampion në krye të korçarëve dhe sigurisht që ky sukses ka ardhur edhe falë aftësisë së tij për të menaxhuar një grup cilësor, që asnjëherë nuk e vunë në diskutim titullin. “E prisnin titullin, emocionet janë të mëdha. Këtë titull ua dedikoj futbollistëve që në javët e fundit kanë kaluar presionin dhe lodhjen. Gjithë frytet e punës erdhën tani me kurorëzimin me titullit kampion. Tekniku Tiranas gjeti rastin të falënderonte tifozerinë e mrekullueshme korçare, që e priste këtë trofe për të katërtin vit radhazi. “Personalisht, u them tifozëve se Skënderbeu ishte ekipi që plotësoi shpejt detyrimet që kishte për të dalë kampion me tifozerinë. Jam shumë i gëzuar për titullin, sepse dhe tifozët kanë pjesën e tyre”.
Takaj: “Trofetë janë të bukur”
Presidenti Ardian Takaj i gëzohet një titulli të merituar, i dyti i tij si President, teksa ai tha për mediat se tani është bërë diçka e zakonshme në qytetin juglindor. “Të gjithë trofetë janë të bukur, është një punë njëvjeçare që kurorëzohet me trofe. Në Korçë u bë si zakon titulli, nuk e kemi diskutuar në asnjë moment. Nuk u vumë nën presion edhe pas disa humbjeve. Patëm shumë dëmtime, por ajo periudhë kaloi. Ky entuziazëm që ishte sot e bëjnë Skënderbeun edhe më të fortë për të pretenduar titullin e pestë radhazi. S’kishim rivalë këtë sezon, për vitin e ardhshëm duhet të presim çfarë do të ndodhë”.
LIBRI I ARTË
1930 – SK Tirana
1931 – SK Tirana
1932 – SK Tirana
1933 – Skënderbeu
1934 – SK Tirana
1935 – S’u zhvillua
1936 – SK Tirana
1937 – SK Tirana
1945 – Vllaznia
1946 – Vllaznia
1947 – Partizani
1948 – Partizani
1949 – Partizani
1950 – Dinamo
1951 – Dinamo
1952 – Dinamo
1953 – Dinamo
1954 – Partizani
1955 – Dinamo
1956 – Dinamo
1957 – Partizani
1958 – Partizani
1959 – Partizani
1960 – Dinamo
1961 – Partizani
1962 – S’u zhvillua
1962/63 – Partizani
1963/64 – Partizani
1964/65 – 17 Nëntori
1965/66 – 17 Nëntori
1966/67 – Dinamo
1968 – 17 Nëntori
1968/69 – S’u zhvillua
1969/70 – 17 Nëntori
1970/71 – Partizani
1971/72 – Vllaznia
1972/73 – Dinamo
1973/74 – Vllaznia
1974/75 – Dinamo
1975/76 – Dinamo
1976/77 – Dinamo
1977/78 – Vllaznia
1978/79 – Partizani
1979/80 – Dinamo
1980/81 – Partizani
1981/82 – 17 Nëntori
1982/83 – Vllaznia
1983/84 – Labinoti
1984/85 – 17 Nëntori
1985/86 – Dinamo
1986/87 – Partizani
1987/88 – 17 Nëntori
1988/89 – 17 Nëntori
1989/90 – Dinamo
1990/91 – Flamurtari
1991/92 – Vllaznia
1992/93 – Partizani
1993/94 – KS Teuta
1994/95 – SK Tirana
1995/96 – SK Tirana
1996/97 – SK Tirana
1997/98 – Vllaznia
1998/99 – SK Tirana
1999/00 – SK Tirana
2000/01 – Vllaznia
2001/02 – Dinamo
2002/03 – SK Tirana
2003/04 – SK Tirana
2004/05 – SK Tirana
2005/06 – Elbasani
2006/07 – KF Tirana
2007/08 – Dinamo
2008/09 – KF Tirana
2009/10 – Dinamo
2010/11 – Skënderbeu
2011/12 – Skënderbeu
2012/13 – Skënderbeu
2013/14 – SKËNDERBEU