Panuçi gjen alibinë: Më mësoi shumë kjo humbje, lojtarët ishin jashtë forme!

576
Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Kristian Panuçi, ka dalë dje në një konferencë për shtyp, ku ka bërë përmbledhjen e ditëve të grumbullimit të kuqezinjve, si dhe paraqitjes zhgënjyese në humbjen ndaj Norvegjisë. “Ne e dinim që ishte një ndeshje miqësore, ndaj edhe bëmë bërë eksperimente me disa lojtarë të rinj. Mendoj se deri në qershor do të kuptoj nëse ndonjë i ri mund të bëhet pjesë e Kombëtares, dhe kjo humbje më mësoi më shumë sesa fitorja në Turqi, pasi kuptova se si janë disa gjëra. Situata më shqetëson, janë shumë lojtarë që nuk luajnë, me ekipe në situatë të vështirë. Dua që të nxjerrin karakterin e dëshirën, pasi nëse nuk luajnë me ekipin e tyre, do jetë e vështirë dhe do të kenë probleme në Kombëtare”, kështu theksoi fillimisht Panuçi në ligjëratën e tij për ndeshjen me Norvegjinë, i cili më pas u justifikua me alternativat që ka në dispozicion, si edhe për miqësoret në muajin qershor. “Kam ide si të vendos ekipin, por këto janë lojtarët që kemi. Nëse të gjithë do të paraqiten me kondicionin e Turqisë, do të jemi një skuadër e mirë. Për miqësoret në qershor do të grumbullohemi 8 ditë dhe atëherë lojtarët janë në fund të sezonit. Por Kombëtarja është detyrim dhe kush nuk ka qejf, ta thotë. Të vish në kombëtare, është maksimumi i krenarisë”, mbylli deklaratën e tij trajneri Panuçi.
Sigal