Kapllani: “As në Shqipëri nuk kam shënuar tre gola”

472
Sigal

Sulmuesi i FSV Frankfurtit flet për “Bild”: “Mbeta i befasuar nga duartrokitjet e tifozëve të Drezdenit”

 Kur sulmuesi 31-vjeçar i FSV Frankurtit, Edmond Kapllani, u zëvendësua në minutën e 74-t, ai e la fushën nën duartrokitje të gjata. Jo vetëm nga ata 30 tifozë të Frankfurtit që kishin udhëtuar për të mbështetur ekipin e tyre. Por, edhe mbështetësit e Drezdenit e përgëzuan në mënyrën më të mirë shqiptarin, i cili shënoi të tre golat në fitoren 3-0 të Frankfurtit. Sulmuesi shqiptar tha për gazetën me tirazhin më të madh në Gjermani, “Bild”: “Unë mbeta i surprizuar pozitivisht nga tifozët e Drezdenit. Fillimisht unë doja që të shkoja drejt tyre dhe t’i duartrokisja, por më pas vendosa të mos e bëja”. “Ende nuk e kemi parë Kapllanin të festojë golat e tij, të paktën në këtë sezon”, – shkruan “Bild”. Golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar me FSV Frankfurtin (11 gola në 26 ndeshje) shënoi një gol në fitoren 3-1 në Ratenou. Por, pas fitores së lodhshme në Kupën e Gjermanisë ai nuk e festoi golin e tij. “Unë nuk kam shënuar tre gola në një ndeshje, as edhe në Shqipëri”, – rrëfeu për “Bild”, sulmuesi i Kombëtares shqiptare. “Pas fitores 3-0 pata një ngërç. Në vrapuam shumë gjatë ndeshjes, këtë nuk duhet ta harrojmë”, – tha me modesti durrsaku. Trajneri i FSV Frankfurtit, Beno Mëhlman ishte shumë i kënaqur: “Edi shënoi me gjakftohtësi. Ai e vendos veten gjithmonë nën presion, pasi ai është nga ata, që dëshiron të shënojë sa më shumë gola”. Edhe shefi sportiv i klubit, Uve Shtëfer, e lavdëroi shqiptarin. “Kur Kapllani ndodhet në vendin e duhur, ai thuajse shënon gjithmonë. Ai ndodhet, atje ku është e nevojshme të ndodhet. Dhe ekipi punoi shumë fort që, në fund të ndeshjes të kënaqte 25 mijë ‘tifozët’ e tij’, – tha Shtëfer për “Bild”, duke i konsideruar 25 mijë tifozët e Drezdenit si të tyre, pas duartrokitjeve që dhanë për Kapllanin. “Bild” veçon një tjetër fakt: pas rezultatit 3-0, tifozët e Drezdenit u panë duke valëvitur flamujt e FSV Frankfurtit.

  Ujkani, alternativë për Sampdorian

 Samir Ujkani mund të rikthehet shumë shpejt në Serinë A, me bluzën e Sampdorias, që po kërkon me urgjencë një portier pas largimit të Romeros te Monako, në kampionatin francez. Në fakt lista e portierëve për të zënë vendin e argjentinasit, që u transferua në principatë në formën e huazimit, është e gjatë.

Vetëm Palermo ka tri alternativa për portën e Sampdorias, Sorrentinon, Vivianon dhe së fundmi edhe Samir Ujkanin, ndërsa Lacio mund të ofrojë Bizarrin, që gjithashtu pëlqehet nga skuadra të tjera të Serisë A. Ujkani mbetet favorit për t’u vënë nën urdhrat e Delio Rosit për një arsye të thjeshtë: kartoni i tij kushton më pak, por edhe rroga që ai përfiton në një sezon është ndjeshëm më e ulët se e rivalëve të tij. Pak ditë më parë presidenti i Palermos, Zamparini, i dha besim të plotë portierit të kombëtares shqiptare për vendin e titullarit te skuadra siciliane, ndërsa trajneri Gatuzo zbuloi se 25-vjeçari nuk ka mbështetjen e duhur në ishull. Për Ujkanin është shumë e rëndësishme që të luajë titullar, qoftë edhe në Serinë B, megjithatë një ofertë nga Sampdoria, edhe nëse nuk do të jetë më e mira në terma financiarë, vështirë të refuzohet nga portieri kuqezi.

 Vajushin vëzhgohet nga Valensien

 E ardhmja e Armando Vajushit mund të jetë në Francë. Futbollisti i Kombëtares shqitpare është duke kaluar momente të shkëlqyera te Liteksi i Loveçit, çka është konvertuar edhe në rezultatet të mira për skuadrën. Shkodrani është ndër lojtarët më të rëndësishëm, megjithatë skuadra e Loveçit mund ta shesë nëse i vjen ndonjë ofertë e mirë nga jashtë Bullgarisë. Të dielën në mbrëmje, në stadium kanë qenë të dërguar të klubit francez Valensien që kanë parë Vajushin dhe mbrojtësin e djathtë Popov në ndeshjen kundër Levskit të Sofjes, mbyllur në barazim.

 Slloveni–Shqipëri/ Dalin në shitje biletat

 Federata Sllovene e Futbollit ka nxjerrë ne treg biletat për ndeshjen eliminatore të 6 shtatorit, Slloveni – Shqipëri.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Federata sllovene njofton se shitja e biletave ka nisur nga data 16 gusht në zyrat e federatës sllovene dhe në sajtin “Eventim.si”. Çmimet e biletave janë uniforme përsëri. Një bilete në sektorin familjar nëse rezervohet deri më datë 3 shtator kushton 16 euro për të rriturit, ndërsa 12 euro për fëmijët nën 14 vjeç. Ndërsa duke filluar nga data 4 shtator, çmimet do të jenë pak më të larta, një biletë do të kushtoj 20 euro. Një numër prej disa qindra tifozësh shqiptarë do të udhëtojnë edhe nga Shqipëria dhe vendet përreth Sllovenisë për ta përkrahur Kombëtaren Shqiptare. Ndeshja Slloveni–Shqipëri zhvillohet më 6 shtator 2013 në stadiumin “Stozice” të Lubjanës (ora 20.30).

Mbrojtësi serb tregon emocionet në sfidat me kampionët e Shqipërisë

 Ivani i “tmerrshëm” i Skënderbeut

  Një prej lojtarëve të huaj më cilësorë që kanë luajtur në kampionatin shqiptar të futbollit është Ivan Gozdenovic. Mbrojtësi i Skënderbeut ka një karrierë të pasur, ku ka luajtur para disa sezonesh me Klub Bryzh në Belgjikë, teksa ka qenë kundërshtar i Milanit dhe Juventusit në Champions League. Në një intervistë për “Superliga Shqiptare”, mbrojtësi serb tregon emocionet në sfidat me gjigantët e futbollit italian, ku ndër yjet e shumtë veçon Kafunë (Milan) dhe Ibrahimovic (Juventus). Gjithashtu, Gozdenovic flet dhe për kampionatin shqiptar, ku sipas tij niveli në futbollin tonë po vjen gjithnjë e në rritje.  Ivani ka luajtur me Klub Bryzh kundër Milanit në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve në vitin 2003. Madje, në “San Siro” ka fituar skuadra belge ndërsa në Belgjikë fitoi Milani me gol të Kakasë. Në lojë për Milanin ishin kampionë si Maldini, Shevçenko, Pirlo, Kafu, Kaka, etj.. “Ishte fantastike të luaje dy ndeshje me Milanin. Ndeshjen e parë ne fituam në Itali, madje unë dhashë një asist. Ndeshjen e dytë ne humbëm në fushën tonë. Në atë kohë Milani kishte një klub perfekt dhe ishte ndjesi fantastike të luaje përsëri me ta. Unë mbaj mend sa e vështirë ishte të luaje më Kafu, ai ishte në ekip në atë kohë, ishte shumë i shpejtë dhe i mirë teknikisht”, – tha Ivan Gvozdenoviç. Aventura e tij në Shqipëri nisi me Tiranën dhe vazhdoi me Skënderbeun. “Kampionati shqiptar është i mire, por jo aq i mirë sa disa liga në Evropë. Megjithatë unë e shoh çdo vit që futbolli shqiptar shkon përpara, kombëtarja shqiptare luan akoma më mire, gjithashtu shoh edhe skuadrat. Këtë vit Skënderbeu dhe Kukësi janë paraqitur shumë mirë edhe në Evropë. Unë e pranova Superligën shqiptare se nuk gjeta disa klube si Klub Bryzh me shumë para dhe duhet të zgjidhja; të lija futbollin ose të vija në Shqipëri. Mendoj se bëra një zgjedhje të shkëlqyer. Më pëlqen të luaj këtu, jam shumë i lumtur, sepse ndjehem mirë dhe vërtet jam shumë i gëzuar kur luaj me dëshirë dhe kjo është e rëndësishme për mua. E pëlqeva ofertën e Skënderbeut. Nuk e di çfarë do të ndodhë kur të mbarojë aventura në Shqipëri, por unë jam i sigurt që do të luaj edhe 2-3 vjet të tjera, sepse ndjehem shumë mirë dhe e shoh në fushë këtë gjë”. Ai vlerëson si momentin më kulmor të tij, shpalljen kampion me Skënderbeun. “Kur u shpallëm kampion, isha shumë i lumtur dhe krenar, por ndeshja e kaluar me Neftçin në Korçë (Champions League) për mua ishte perfekte. Kishte shumë emocione, fitorja ishte perfekte dhe i gjithë stadiumi ishte i çmendur”. Së fundi, edhe një mendim për sfidën kundër Çernomoretsit në Ligën e Europës. “Kemi dy ndeshje dhe do ta shohim. Odesa është një kub shumë i mirë dhe ne jemi gati të japim maksimumin. Shpresoj që ne të luajmë një futboll të bukur dhe të përpiqemi të fitojmë”. Përsa i përket rivalitetit në kampionat, Gvozdenoviç mendon se Kukësi është rivali më i fortë.

 Progni: “Jemi të pathyeshëm në Tiranë”

 Skuadra e Kukësit i ka vijuar përgatitjet pa praninë e trajnerit Armando Cungu dhe të drejtorit sportiv Sulejman Starova, të cilët të dielën në mbrëmje ndoqën nga afër sfidën e kampionatit turk Beshiktash–Trabzonspor, që përfundoi me fitoren 2-0 të vendasve. Atmosfera në kampin kuksian mbetet optimiste pas kalimit të tre tureve në Europa Ligë, megjithatë verilndorët e kanë të qartë që kualifikimi në fazën e grupeve do të jetë shumë i vështirë. Gerhard Progni premton maksimumin e nënkampionëve të Shqipërisë në sfidën e parë që do të zhvillohet në Tirana këtë të enjte, ky synimi kryesor është shmangia e humbjes për të pasur shpresë për kualifikim në sfidën e kthimit. 27-vjecari lë të kuptohet që informacioni për skuadrën turke është I detajuar, ndërsa udhëtimi i Cungut dhe Starovës drejt Stambollit tregon që ekzistojnë mundësitë për t’i eliminuar. Kukësi–Trabzonspor do të zhvillohet të enjten në orën 19:30, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.