Sigal

Shpresat ishin të mëdha për një rezultat pozitiv të kombëtares shqiptare në transfertën delikatë të Izraelit, mirëpo  në fundin e ndeshjes, ajo që mbeti nga kjo sfidë është zhgënjimi dhe keqëardhja. Zhgënjim, sepse kjo ishte e disata ndeshje ku përfaqësuesja jonë del e humbur, dhe keqëardhje, pasi lojtarët zhvilluan një ndeshje të mirë me plot raste shënimi.

Në fund, Izraeli mund  Shqipërinë me rezultatin 2 me 0, duke futur në krizë të thellë kombëtaren tonë dhe trajnerin Kristian Panuçi. Vendimtare në këtë ndeshje ishte gafa e mbrojtjes sonë, e cila pas një mungese vëmendjeje dhe një vendosjeje të keqe i dha mundësinë vendasve të kalonin në avantazh. Tashmë situata bëhet delikate, sepse më këtë humbje Shqipërisë i veniten shpresat për të dalë fitimtar në grupin e saj, madje ndoshta edhe fitorja në takimin e ardhshëm me Skocinë mund të rezultojë pa vlerë. Izraeli nga ana e tij, u tregua një ekip cinik, duke shfrytëzuar gabimet e kundërshtarit për të shënuar golin e parë,  dhe më pas duke tentuar të dyfishojë rezultatin me kundërsulme.

Për sa i përket lojës,  skuadra e Panuçit e nisi mirë sfidën por vetëm pak sekonda pasi Harush bëri një ndërhyrje shpëtimtare ndaj goditjes me kokë të Bekim Balajt, izraelitët gjetën avantazhin dhe meritat ishin të gjitha për gardianin e Izraelit që me një top të gjatë nga vija fundore aty ku nuk ekziston edhe pozicioni jashtë loje nxorri të lirë përpara Strakoshës, sulmuesin Hemed i cili përfitoi edhe nga dalja jo e mirë e portierit të kuqezinjëve dhe sigurisht vendosja e gabuar e mbrojtjes shqiptare për t’i dhënë avantazhin Izraelit pas 8 minutash. Shqipëria kërkoi të reagonte shpejt dhe vazhdoi ofensivën drejt portës së Harush por portieri i izraelitëve ishte i pakalueshëm duke ndalur një tjetër goditje me kokë të Balajt dhe një sërë tentativash të lojtarëve tanë. Pavarsisht dëmtimti të Bashës dhe hyrjes në fushë të Lilajt në fundin e pjesës së parë, muzika nuk ndryshoi as në pjesën e dytë me Shqipërinë që vazhdoi të ngulmonte por nuk kishte saktësinë e duhur në finalizim. Pas minutës së 75-të te kuqezinjtë u ndje lodhja dhe nga ky fakt përfituan izraelitet që pas dy pritjeve spektakolare të Strakoshës gjetën dhe golin e dytë me Saba në minutën e 83-të, goditja e të cilit nga jashtë zone u devijua nga Gjimshiti dhe nxorri jashtë loje portierin e Lazios.

Pas kësaj humbjeje, Shqipëria mban vendin e fundit në grupin 1 të ligës C, në kuotën e 3 pikëve, në po aq ndeshje, ndërsa Izraeli merr kryesimin e grupit me 6 pikë, me një ndeshje më shumë se Skocia.