Niko Jani: Arbitrat, mangësia e javës së shtatë, rezultatet kanë qenë logjike

491
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ U mbyllën dje sfidat e javës së shtatë, flet për “Telegraf” specialisti i futbollit në Durrës
Janë luajtur të gjitha ndeshjet e javës së shtatë të Superiores, si i shikoni rezultatet e tyre?
Më shumë kanë qenë ndeshje logjike për rezultatet që u fiksuan. Skënderbeu e Kukësi vazhdojnë të mbajnë komandën, dhe me meritë, po ndiqen nga Flamurtari si një nga kandidatë e kreut së bashku me Partizanin. Janë katër transferta të fituara, që tregon se gradualisht skuadrat po tregojnë plotësisht diferencat.

Cili nga rezultatet mund të thuhet se ishte më i paparashikuar sipas jush?
Unë e përmenda që kjo javë solli katër transferta të fituara, por më e veçantë ishte ajo e Laçit në Lushnje, e cila nuk mendohej. Ndërsa të gjithë rezultatet e tjera thuajse kanë qenë të përcaktuara që në letër.

E nisim me ndeshjen e fundit dje, e prisnit kthesën te Teuta, apo vazhdimësinë e fitoreve te Skënderbeu?
Kjo ndeshje doli jashtë parashikimeve, jo vetëm në rezultat, por edhe në mënyrën se si i luajt nga të dyja skuadrat. Tradicionalisht, Teuta ka qenë skuadër fushe, por dje tregoi se ka ikur kjo traditë dhe është bërë skuadër e lehtë. Luajti mirë në pjesën e parë, në të dytën ndryshoi komplet, dhe kjo për meritë të Skënderbeut, sepse e vuri nën presion real Teutën.

Në ndeshjen në Gjirokastër kishte edhe polemika për një gol, ndikoi gjykimi në fitoren e Kukësit?
Ndoshta mundet që të ketë ndikuar për momentin në psikologjinë e lojtarëve të Luftëtarit, por në tërësi për ndeshjen nuk mendoj se ka pasur ndikim, sepse Kukësi është shumë më lart se gjirokastritët dhe nuk e vuri në dyshim fitoren edhe pas atij goli, për të cilin mendoj se arbitri ka gabuar teknikisht.

Ndërkohë që Lushnja e humbi me Laçin dhe trajneri Bano dha dorëheqjen, e ka firmosur që tani rënien në Kategorinë e Parë kjo skuadër?
Është shpejt për të menduar zbritjen në Kategorinë e Parë, sepse do edhe 2 ndeshje që të mbyllet faza e parë. Gjithsesi, Lushnja mbetet kandidate e parë për rënie, dhe nëse do të vazhdojnë me këtë ritëm edhe Vllaznia, Luftëtari e Teuta, do të jenë edhe ato kandidate.

Mund të veçohet Partizani këtë javë, i cili në Shkodër të dielën morri fitoren e tretë radhazi?
Progresi i Partizanit e çon atë si kandidat për kreun e renditjes, dhe ndoshta do të duhet ndeshja e javës së ardhshme me Flamurtarin, që të përcaktohet portreti i tij për fazën e parë. Partizani mendoj se e kaloi atë ngërçin e startit shumë të keq, e tashmë do të rikuperojë pikët e lëna në katër javët e para.

Edhe pse jemi para ndeshjes Partizani-Flamurtari, në drejtimin e trajnerit Duro, si po ecën kjo skuadër?
Flamurtari po tregon se do të jetë një nga ndjekësit e dy skuadrave të kreut të renditjes. Unë kam besim te idetë e Shpëtim Duros, sepse progresi i skuadrës vlonjate tashmë është evident. Mendoj se i duhet vazhdimësia pozitive, dhe për këtë duhet të punojnë shumë.

Në tërësi, çfarë konstatoni se është bërë mirë, apo keq, në këto shtatë javë të luajtura?
Në shtatë javë kemi parë ndeshje të mira dhe ndeshje të dobëta, por më shumë kemi parë gjykime të dobëta. Mendoj se niveli i gjykimeve ka qenë njëra nga mangësitë e këtyre shtatë javëve të luajtura. Në vazhdimësi duhet përmirësim për nivelin e gjykimit, që të rritet niveli i Superiores.

Për ndeshjet e javës së tetë, veç ndeshjes Partizani-Flamurtari, si i shikoni katër takimet e tjera?
Të gjitha i mendoj ndeshje të forta, edhe sfidën Laçi-Kamza. Kalendari duket se i favorizon më shumë skuadrat mbi mesin e tabelës së renditjes, por në tërësi i mendoj ndeshje delikate për synimet që kanë skuadrat.
E hënë 23 tetor 2017, ora 17:00 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit
TEUTA-SKËNDERBEU 1-4
Shënues: Latif 8’/ Taku 50’, Lilaj (p) 67’, Soue 72’, Muzaka (p) 77’
Teuta: Moçka, Beqja (Beqaj 76’), Shkalla, Hrkaç, Hakaj, Hila (Bilali 73’), Lena, Dosti, Çyrbja, Dediç (Shehaj 80’), Latif. Trajner: Gugash Magani
Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Jashanica, Aliti, Mici, Dita (Osmani 31’), Muzaka (Shkodra 79’), Lilaj, Taku, Xhejms, Soue (Gripshi 84’). Trajner: Ilir Daja
Gjyqtarë: Klajdi Kola (Kryesor), Egin Doda, Ermal Barushi dhe Gernat Qirici (Asistentë)
Delegat: Lysien Nurishmi/ Vëzhgues: Sokol Jareci
Kartonët e verdhë: Dediç/ Xhejms, Osmani, Mici
MINUTAT E GOLAVE
9’ GOL 1-0 Latif shënon një gol të bukur me kokë, pas një harkimi nga Hakaj, ai nga vija e 16 metrave, gjuan me kokë dhe Shehi nuk mund të bëjë asgjë.
50’ GOL 1-1 Një top drejt zonës, aty Soue nuk arrin ta kontrollojë, por topi përplaset te një mbrojtës vendas dhe Taku i vetëm me portierin Moçka nuk fal, 1-1
67’ GOL 1-2 Pas një prekje e topit me dorë në zonën durrsake, gjyqtari kryesor jep penallti për Skënderbeun, Lilaj godet i saktë duke shënuar golin e avantazhit.
72’ GOL 1-3 Pas një harkimi të topit nga e majta për Soue, ky me kokë kërcen mbi mbrojtësit e Teutës dhe me kokë shënon golin e tretë për Skënderbeun.
77’ GOL 1-4 Penalltia e dytë për Skënderbeun. Beqaj në dyluftim me Micin e rrëzon atë në zonë, për arbitrin është penallti, e shënon Muzaka.
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e shtatë
Të shtunën, 21 tetor 2017 
Luftëtari-Kukësi 0-3
Lushnja-Laçi 0-3
Të dielën, 22 tetor 2017
Vllaznia-Partizani 0-1
Flamurtari-Kamza 1-0
Dje, 23 tetor 2017 
Teuta-Skënderbeu 1-4
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 7 19
2.Kukësi 7 16
3.Flamurtari 7 12 
4.Partizani 7 11 
5.Laçi 7 10
6.Kamza 7 9
7.Teuta 7 7
8.Luftëtari 7 5
9.Vllaznia 7 5
10.Lushnja 7 2
Ndeshjet-java e 8-të
Të shtunën, 28 tetor 2017 
Laçi-Kamza 14:00
Lushnja-Teuta 14:00
Skënderbeu-Luftëtari 17:00
Të dielën, 29 tetor 2017
Kukësi-Vllaznia 15:00
Partizani-Flamurtari 18:00
Sigal