“Nga njëra ndeshje në tjetrën”, shkollë e radiofonisë shqiptare

1615
Sigal

 NOSTALGJI/ 30 vjet pas një emisioni sportiv që ka sfiduar tregun gazetaresk në të dy sistemet

Kur kujton 2 tetorin e vitit 1983, atëherë kur gazetari sportiv Ahmet Shqarri krijoi të parin emision sportiv në Radio Tirana: “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, duket sikur sot kanë kaluar shumë vite, ndërsa duke e vlerësuar realisht atë, mes atyre viteve ky emision mbetet i lartësuar për atë çka ka përcjellë ndër vitet e historisë së tij, për emrat e mëdhenj që e kompletuan atë, por edhe për profesionalizmin që ai i dha radiofonisë sportive shqiptare. “Nga njëra ndeshje në tjetrën, drejton emisionin Ahmet Shqarri”, kjo ka qenë sigla shumëvjeçare e këtij emisioni (fatkeqësisht nuk përdoret në 2-3 edicionet e fundit), i cili është e vështirë që të përshkruhet sikundër ai u nis. Është një rrugë kaq e gjatë në mikrofon, emisioni më jetëgjatë për të cilin në këtë 30 vjetor të krijimit të tij, 2 tetor 2013, duhet të flasim e të flasim, por që rreshtat tona sot nuk mund të kapim miliona e miliona fjalë që ky emision ka artikuluar për futbollin shqiptar, brenda e jashtë vendit tonë. 30 vjet më parë, një zë karakteristik për mikrofonin sportiv morri guximin që të drejtonte një emision sportiv në Radio Tirana, duke marrë parasysh shumë vështirësi të kohës, mbi të gjithë, vështirësitë e mentalitetit të dobët profesional që vetë sistemi i kaluar e kishte në brendësinë e tij. Nga kujtesa e Ahmet Shqarrit, kuptohet qartë se si ky emision morri jetë në Radio Tirana. “Kur mu dha mundësia që të drejtoja një emision në Radio Tirana, kujtoj se ka qenë shumë e vështirë, thuajse e pa mundur dhe gati e pabesueshme. Ishte koha kur edhe një lajm që të transmetohej duhej të kontrollohej nga drejtori i përgjithshëm dhe jo të flisje direkt nga një fushë futbolli. Atëherë vetëm Enver Hoxha fliste drejtpërsëdrejti, mendoni se si duhet të veproja unë një zë i vetëm nga një stadium që të lëshoja me dhjetëra zëra të tjerë. Më vonë kjo u bë një realitet i bukur”. Ndërkohë që, duke sfiduar kohën e ndryshimet që ndodhën në vendin tonë, nga Ahmet Shqarri nuk është transmetuar vetëm një herë emisioni “Nga njëra ndeshje në tjetrën” në shkurtin e vitit 1991, në ditën kur u rrëzua busti i Enver Hoxhës. Sistemi i atëhershëm kishte urdhëruar kështu, sepse po të mblidheshin njerëzit në stadiume mendohej se mund të bëhej ndonjë katastrofë. Por më shumë se kaq, nëpërmjet këtij mikrofoni u bë “njësh me dëgjuesit” komentatori i madh i radiofonisë sportive shqiptare, zoti Ismet Bellova, e së bashku me të, zëra të tjerë në Tiranë e në rrethe, përcollën emocione të pazëvendësueshme për lojën e futbollit, edhe aty ku më parë drita elektrike quhej një tabu. Ndoshta nuk po i radhit mirë, por kujtoj të gjithë ata emra që e mbushën me emocione dhe e mbajtën “peng” dëgjuesin në Shqipëri e jashtë saj, të cilët në këtë 30 vjetor lexohen edhe si “emra të përveçëm” në historinë që ata bënë në këtë emision. Së bashku me komentatorin Ismet Bellova, në Tiranë ishin Aleko Gjergo, Veli Rada, Ymer Kurti, Fatmir Mneri, Robert Papa e më vonë Pirro Ruvina, Ymer Striniqi në Shkodër, Vladimir Ngjela në Korçë, Frederik Fico e Pirro Qiqi në Gjirokastër, Bujar Qesja në Durrës, Vlash Pambuku e Agron Kaja në Berat, Pandeli Pano e më pas Moisi Dalipi në Vlorë, Sefedin Allkja e Sefer Kikia në Elbasan, Llukan Çuko në Lushnje, Pandeli Fype në Kuçovë, Mikel Mbriçaj dhe Arbër Emiri në Fier, Zef Shtjefni në Lezhë, Fatmir Efica në Kavajë, Fatmir Thaçi në Krujë, Rrok Preçi në Laç, Pëllumb Starova në Pogradec e shumë zëra të tjerë që për harresë, ju kërkoj ndjesë që nuk po i sjell emrat e nderuar të tyre në këto radhë, të cilët mbajtën të ndezur një “pishtar radiofonik” që sot me nostalgji kujtohet si i tillë. Dhe jo vetëm nga nostalgjikët, por nga të gjitha shtresat e popullsisë që interesoheshin për futbollin, ky emision shpesh bëhej edhe tema e ditës në zyra, në familje e në shoqërinë shqiptare. Kësisoj, për shkollën e vërtetë të radiofonisë sportive që krijoi në Shqipërinë e diktaturës, më pak në vitet e vështira të demokracisë, emisioni “Nga njëra ndeshje në tjetrën” asnjëherë nuk do ta humbasë madhështinë e tij, edhe sot që në Radio Tirana e kanë lënë si dorë të dytë, jo vetëm se drejtohet nga të rinj pa lidhje me komentin e radiofoninë shqiptare, por edhe pse shpesh në kohën e ndeshjeve përcillet LIVE politika e ditës duke i lënë dashamirësit e futbollit në ethet e rezultateve të ndeshjeve. Gjithsesi, kaq është pak për lartësinë e emisionit “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, por është respekt që kujtohet në këto radhë modeste në 30 vjetorin e krijimit të tij.

 “Profesori” i mikrofonit: “Sot nuk ka një vlerësim serioz për emisionin. Radio Tirana, ta mbështesë fort”

  Ismet Bellova: “Emision unik”

 “Profesori” i mikrofonit sportiv në Shqipëri, komentatori Ismet Bellova, jo vetëm që është “emblema” e mikrofonit sportiv në Shqipëri, por ai është edhe një nga themeluesit e emisionit “Nga njera ndeshje në tjetrën” i cili më 2 tetor 2013 mbush 30 vjet nga krijimi i tij. Në kujtimet e shkurtra që profesor Bellova në këtë 30 vjetor, duket sikur ai  na e sjell atë që nga krijimi e deri më sot si më të gjallë e të dashur. “Deri në tetorin e vitit 1983, ne kishim vetëm një transmetim, i cili bëhej në Tiranë, por rrallë shkonim edhe në Shkodër, Kavajë, Durrës, Elbasan apo edhe në Korçë. Në Tiranë çdo të shtunë dhe të dielën kishte ndeshje, të cilat transmetoheshin rregullisht, ndërkohë që pas krijimit të emisionit “Nga njëra ndeshje në tjetrën” që fillimisht u drejtua me shumë profesionalizëm nga gazetari i njohur sportiv Ahmet Shqarri, kaluam në një standard të ri transmetimi për kohën. Ka qenë një fillim i vështirë, pasi në mikrofon duhet të flisnin edhe njerëz të panjohur e të padëgjuar, pse jo edhe të paditur për atë çka duhet të sillnin në mikrofon. Kanë kaluar vite dhe unë ndoshta nuk mund të kujtoj listën e gjatë të emrave që hynë e dolën në këtë emision, por më kryesorja është se ai u bë si një shkollë, ku fillimisht nuk mund të hyje pa kritere, pa kulturë e zotësi në përballje me mikrofonin. Sot nuk ka një vlerësim serioz për emisionin, jo vetëm se drejtohet nga emra të vegjël për ta bërë këtë punë, por edhe pse kanë hyrë mjete të tjera të informimit elektronik dhe realisht ka rënë paksa interesi për radiofoninë. Gjithsesi, edhe 30 vite pas krijimit të tij, emisioni “Nga njëra ndeshje në tjetrën” mendoj se është shkolla e parë nga ku radiofonia sportive shqiptare shtroi rrugët e profesionalizmit në mikrofonin sportiv. Mendoj se, Radio Tirana duhet ta mbështesë fuqishëm këtë emision unik”, janë këto kujtime që komentatori Ismet Bellova sjell në 30 vjetorin e emisionit sportiv “Nga njëra ndeshje në tjetrën”.

A. Kaja

Emisionet analoge

 Radio Plus2

 Pasi u largua nga Radio Tirana, Ahmet Shqarri pati mundësinë që këtë emision ta “delegonte” në Radion Plus2, por të titulluar “Gol në Plus2 radio”. Këtu ai e përsosi këtë emision edhe me standardet e kohës dhe kjo zgjati në 3-4 edicione, për të mos u shfaqur më në këtë radio nga gazetarë të tjerë.

 Radio Sport

 Në vitin 2005, e para dhe e vetmja radio sportive në Shqipëri, Radio Sport, startoi me emisionin sportiv “Emocione dhe gola minutë pas minute”, e ideuar nga gazetarja Amalia Dhamo dhe që në 7 edicione u drejtua nga gazetari sportiv Agron Kaja. Emisioni vazhdon transmetimin e tij, por me kohë të cunguar.

 

INTERVISTA/ Ja si ndjehet 30 vite më pas Ahmet Shqarri, themeluesi i emisionit të parë sportiv në Shqipëri

 “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, dashuria ime e parë që më nderon dhe sot

 Është e vështirë që ta trajtosh figurën e Ahmet Shqarrit në këto pak radhë të kësaj gazete. Gjithsesi, ju jeni një nga pionierët e gazetarisë sportive në Shqipëri. Pranoni t’u quajmë kështu?

(Qesh) Epitete mund të vihen shumë, e rëndësishme është se çfarë bën në punën tënde, dhe çfarë le pas. Në qoftë se është kështu siç më thoni ju, atëherë ju  faleminderit.

– Thonë se gazetarët nuk kanë plakje e nuk dalin në pension, po Shqarri ndjehet i tillë?

– Tani nuk punoj më me normë si dikur. Më parë isha vetëm në të gjithë Shqipërinë në çdo sport drejtpërsëdrejti, sepse doja të bëjë diçka të mirë, dhe besoj se shtrova një rrugë në gazetarinë sportive shqiptare. Tani jap opinionet e mia në televizionin “Albanian Screen” dhe në “Gazeta Shqiptare”, por nuk flas në radio. Sot unë ndjehem komod, sepse arrij të zgjedh dhe të më zgjedhin.

– E keni “tradhtuar” mikrofonin e radios, apo kështu ka rrjedhur koha për ju?

– Emisioni “Nga njera ndeshje në tjetrën” është dashuria ime e parë që më nderon edhe sot e kësaj dite dhe nuk ndjehem tradhtar ndaj tij. Mua Radio më dha identitetin duke më bërë të njohur në Shqipëri dhe jashtë saj, por erdhi një kohë që drejtues nga më të ndryshëm në institucionin e RTSH-së, të cilët e panë sportin si diçka të parëndësishme. Kësisoj kalova në radio e televizione private, ku kudo që kam shkuar jam munduar të them diçka origjinale një mekanizëm në punën dhe interesat e tyre më largonin si pensionist! Kështu që Ahmet Shqarri po lihej pas derës në të cilën kisha hyrë prej kohësh dhe isha bërë si zotë shtëpie.

Gjithsesi, juve jeni i pari gazetar në Shqipëri që krijuat në emision sportiv në radio Tirana 30 vite më parë. Sa e lehtë apo e vështirë ishte për ju?

– Ka qenë shumë e vështirë, thuajse e pa mundur dhe gati e pabesueshme. Ishte koha kur edhe një lajm që të transmetohej duhej të kontrollohej nga drejtori i përgjithshëm dhe jo të flisje direkt nga një fushë futbolli. Atëherë vetëm Enver Hoxha fliste drejtpërsëdrejti, mendoni se si duhet të veproja unë një zë i vetëm nga një stadium që të lëshoja me dhjetëra zëra të tjerë. Më vonë kjo u bë një realitet i bukur.

Zëri juaj është vështirë të harrohet lehtë nga kujtesa e atij dëgjuesi që ka qenë dhe është i lidhur me futbollin. Si e kujtoni këtë periudhë?

– Kam folur shumë herë dhe të them e vështirë, kjo është shumë pak. Por nuk harroj faktin se ajo punë e nisur si aventurë përfshiu deri njerëz në udhëheqjen e lartë, të cilët kërcisnin telefonat kur nuk transmetohej ndonjë ndeshje e Partizanit apo e Dinamos. Atëherë kjo nuk ishte një aventurë, por një mision që duhej çuar deri në fund.

– Cili kanë qenë transmetimi i parë për ju Shqarri?

– Transmetimi im i parë ka qenë në një ndeshje futbolli në vitin 1973 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” ku i vetmi dhe i përjetshmi kronist futbolli, Ismet Bellova, mungoi atë ditë. Ishte ndeshja e kampionatit Dinamo-Lushnja dhe në kabinën e transmetimit më është dashur të marr Bejkush Birçen, ku së bashku me të e përfundova transmetimin. Kjo pati dy anë: bëra diçka që ishte dëgjuar nga të tjerët, por edhe se u shpik komentatori i parë gjatë një transmetimi të një ndeshjeje futbolli.

– Si i kujtoni bashkëpunëtorët e radiokronistët tuaj gjatë drejtimit që i bëtë këtij emisioni?

– Mendoj se kanë qenë njerëz të mirë e seriozë, të sakrificës dhe me dëshirë profesionale para mikrofonit. Ata kanë qenë bashkëpunëtorë të sinqertë në marrëdhëniet që krijuam dhe që nga viti në vit e pasuruan emisionin, aq sa sot në këtë 30 vjetor të tij është e vështirë t’i kujtosh të gjithë. Nëse do të thosha se të gjithë vërtiteshin rreth figurës së komentatorit Ismet Bellova, mendoj se i kam kujtuar të gjithë në këtë intervistë.

– Për aq vite sa e drejtuat emisionin “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, por edhe më gjerë, sa ndeshje përcollët ju në Radio Tirana?

– Jam pak i dhënë pas statistikave, por i jam afruar numrit të 1000 ndeshjeve. Nga viti 1969 e deri në largimin tim nga Radio Tirana, ishte një periudhë e gjatë e mbushur me ndeshje të shumta, në Shqipëri e jashtë vendit dhe kaq ndeshje të transmetuara direkt dhe në emision, them se janë reale.

– Në këtë 30-vjetor të emisionit që ju krijuat, çfarë mund t’u sugjeroni gazetarëve që janë në aktivitet radiofonik?

– Në rast se mund të flitet për gazetari sportive në Shqipëri, ajo ka vetëm një përfaqësues: Besnik Dizdarin. Tek ky personalitet përmblidhet kultura, enciklopedisti dhe profesionisti i përkryer, të cilët kanë një kurorë mbi vete, aftësinë për t’i shprehur gjërat me ndershmërinë më të madhe. Për të tjerët them se janë duke ecur në një fushë pa koordinata dhe duhet që të kërkojnë profesionalizmin vetëm nga aftësia për ta bërë mirë atë.

– Mendoni se emisionet sportive kanë evoluar me kohën sikundër edhe futbolli apo sportet e tjera?

– Gazetaria e sotme sportive mund të përmblidhet me shprehjen: “Rroftë interneti”. Në gazetari, kryesisht në atë sportive, sot shoh se gjërat kanë ngecur, ndërsa në futboll nuk shoh ndonjë futbollist që t’i ngjajë Panajot Panos, Ilir Përnaskës apo yjeve të asaj kohe. Evoluimi kuptohet nga sa u shpreha. Kujtoj se shteti dikur kishte rregulla të forta edhe për gazetarinë, ndërsa sot mjafton që të kërkosh në internet (gjë që e bëjnë më mirë fëmijët) dhe të belbëzosh pak nga gjuhët e huaja. Kështu je “diplomuar” gazetar. Më thoni, cili nga këta gazetarë di të bëjë një analizë apo koment në një ngjarje sportive?! Gazetaria sportive sot i ngjan titullit të famshëm të Shekspirit: Shumë zhurmë për asgjë.

Intervistoi: Agron Kaja

 Interesimi i shtetit

“Në vitin 1986, Adil Çarçani që ishte kryeministri i asaj kohe në vendin tonë, në një përurim më befasoi kur më thirri me emër: “Shqarri, pse nuk u transmetua dje Partizani në Vlorë?” Pra, kur emisionin “Nga njëra ndeshje në tjetrën” e dëgjonte edhe një kryeministër, mendo sa interes kishte populli sportdashës”, kujton sot Ahmet Shqarri.

  Gafa e Barcelonës

“Kam një gafë që e mbaj mend shumë mirë. Kur ishim në Barcelonë, stadiumi 120 mijë vendesh ishte mbushur me 35 mijë vetë, që kishin ardhur të shihnin Flamurtarin, nuk kishte ndodhur ndonjëherë në historinë e futbollit shqiptar dhe ndeshja përfundoi 0-0. Unë që komentoja në mikrofon, në vend që të thosha Geri Lineker, kur ai mori topin, thashë Geri Kuper, aktori i madh i Hollyvudit në vitet ’30,  dhe të nesërmen në mëngjes të gjithë më thërrisnin ‘Ku je Geri Kuper?’. Por këto nuk janë shaka me zarar se në atë kohë të ndërroje ndonjë një emër në politikë dhe diku tjetër, ishte më e keqja”.

  Në 10-vjetorin e emisionit “Nga njëra ndeshje në tjerën” (1993)

Në 20-vjetorin e emisionit “Nga njëra ndeshje në tjerën” (2003)

 Vladimir ngjela,