Nga “ferri” në “parajsë”, Holanda përmbys Meksikën

523
Sigal

Minutat e “çmendura”: Goli i Shnajderit e penalltia e Huntelarit zhvlerësuan perlën e Dos Santosit

Pesë minutat e fundit të ndeshjes e çuan Holandën nga “ferri” i eliminimit në “parajsën” e kualifikimit, me atë fitore të “çmendur” 2-1 ndaj Meksikës, me amerikano-qendrorët që u dorëzuan në minutën e 88-të nga një silurë e Uesli Shnajderit dhe kapitulluan pesë minuta më pas, falë një penalltie të fituar me zgjuarsi nga Arjen Roben dhe të ekzekutuar me ftohtësi “vrasësi” nga Klas-Jan Huntelari. Një ndeshje plot dramë, e denjë për një film “thriller”, teksa një magji përmbys gjithçka: holandezët në festë, meksikanë në lot. Holanda arrin të sigurojë çerekfinalet duke mundur në fund Meksikën, që prodhoi futboll për 88 minuta por u dorëzua atëherë kur të gjithë prisnin surprizën e radhës në Botëror. Loja më e dashur e planetit dëshmoi se është një lojë që nis nga sekonda e parë dhe përfundon te e fundit, me skena të forta emocionale, madje më të nxehta se temperaturat tepër të larta “Estadio Castelao” të Fortalecës (35 gradë celsius), pikërisht në orën 13:00 më atë të Brazilit (18:00 më të Shqipërisë). 35 gradët e Fortalezës, e shndërruan në një “kështjellë të zjarrtë” impiantin e “Castelaos”, ku i nxehti nuk ishte problem vetëm për të pranishmit në tribuna, por dhe për lojtarët në fushë, sidomos holandezët që pak nga pak u “dogjën” në çdo duel nga meksikanët. Pas një harkimi të Peraltas, që nuk u shfrytëzua nga Dos Santos, në të 17-tën, Herrera për pak sa nuk ndëshkoi Silesen, por goditja e tij përfundoi ngjitur me shtyllën. Holanda më në fund u shfaq në fushë në të 27-tën me Van Persin që realizoi një kontroll super, por finalizimi la për të dëshiruar. Në minutën e 31-të, gjyqtari akordoi një pushim për të pirë ujë, por sërish ishin meksikanët që diktuan ndeshjen. Në minutën e 48-të, meksikani Xhovani Dos Santos ndryshoi shifrat me një gjuajte perlë duke krijuar panik te Holanda. Van Gal hodhi në fushë Depaj në vend të Verhaegh dhe ndryshimi u vu re. Në të 57-tën, Vrij ishte vetëm dy hapa larg golit por nuk kaloi dot Oçoan, që bëri pritjen e Botërorit duke merituar dhe nofkën e “murit të madh meksikan”. Në të 74’, Roben fluturoi më në fund në krah, por e zbriti me këmbë në tokë Oçoa, që sërish vuri trupin në mbrojtje të avantazhit të të tijve. Në minutat e mbetura, Holanda u duk sikur po luftonte me mullinjtë e erës, në një betejë të pamundur, pasi në të 85-tën, Oçoa “kafshoi” dhe një tjetër top, pavarësisht se aksioni ishte i pavlefshëm për pozicion jashtë loje. Megjithatë dhe ndaj mullinjve të erës mund të fitohet mbi të gjitha nëse je vendi që i ke shpikur ato. Në të 88-tën, një numër 10 i përgjigjet një tjetër numri 10, me Shnajder që shkarkon goditjen në të 88-tën me Oçoan që këtë herë thjesht rri e vështron. Në minutën e 82-të, Roben fiton 11-metërshin që ndryshon fatin e një takimi e ndoshta dhe të një Botërori. Nga pika e bardhë Huntelar tregon klas me Oçhoan që “bie” në Fortalezza. Holanda është në çerekfinale, ndërkohë që meksikanët duhet të kënaqen me faktin se, portieri i tyre u zgjodh si lojtari më i mirë i ndeshjes.

 Deshamp: “Franca është gati kundër Nigerisë”

 Trajneri i Francës, Didier Deshamp, kërkon më shumë nga skuadra e tij pavarësisht se kombëtarja e “gjelave” në përballjen e fort me Nigerinë (sot: 18:00). “Jam shumë i kënaqur nga paraqitjet e djemve deri tani. Futbollistët janë në formë të mirë dhe të gjithë po përpiqen të japin maksimumin e tyre për të ndihmuar ekipin. Përballë Nigerisë nuk do ta kemi të thjeshtë. I sigurt është fakti se, ata do të na hapin shumë probleme pasi kanë në skuadër sulmues shumë të shpejtë që mund të bëjnë diferencën në çdo moment”.

Luajnë kundër Gjermanisë, algjerianët jo agjërimit

 Muaji i shenjtë e Ramazanit nuk do të jetë pengesë për futbollistët e përfaqësueses së Algjerisë, e cila do të përballet sot me Gjermaninë (sot 22:00). Dyshimet e ngritura mbi mundësitë që do të ketë kombëtarja afrikano-veriore ndaj “pancerave” të Joakim Lëvit nëse lojtarët e saj e mbajnë Ramazanin, i hedh poshtë Këshilli Suprem Islamik. Sipas këtij institucioni “dhelprat e shkretëtirës” janë të përjashtuar nga agjërimi. Kjo do të thotë se, algjerianët nuk do të kenë asnjë probleme fizik.

 

Maradona: “Pele-Bekenbauer janë dy idiotë”

 Mbështetja e dy legjendave të futbollit botëror, gjermani Franc Bekenbauer dhe braziliani Pele për penalizimin e Luis Suarezit nga FIFA e kanë bërë si të “çmendur” Diego Maradonën. Në programin e tij televiziv, ikona e Argjentinës shpërtheu i revoltuar me fjalë që kalojnë çdo limit, duke mbrojtur edhe njëherë bomberin uruguaian pas kafshimit të Kiellinit. “Këta të dy kanë dalë nga muzeu dhe duan të flasin por në fakt thonë vetëm idiotësira sepse në fund të fundit janë dy hajvanë që bëjnë çfarë u ka thënë ‘kapoja’ për të mbrojtur atë padrejtësi që nuk e mbështet e gjithë bota”.

 Skënderbeu humbet me Dinamon e Kievit

 Skënderbeu humbi 4-2 miqësoren me Dinamon e Kievit, takim i zhvillua në Austri. Ukrainasit kaluan dy herë në avantazh me autogolin e Radashit (15’) dhe Yarmolenkos (25’). Skënderbeu barazoi me kroatin Radash (29’) dhe Prognin (38’). Pjesa e parë u mbyll 2-2, ndërkohë që në dhjetë minutat e fundit të pjesës së dytë, Skënderbeu pësoi edhe dy gola të tjerë: Mbokani (81’) dhe Tsigankov (85’). Kjo ishte humbja e katërt në pesë miqësore të luajtura nga kampionët e Shqipërisë: Vaker Ibsbruk-Skënderbeu 2-0, SV Ried-Skënderbeu 2-0, Shahktar Dontesk-Skënderbeu 3-0 dhe dje, Skënderbeu-Dinamo e Kievit 2-4. Korçarët kanë fituar me ekipin sllovak FK Senica 1-0.

Loret Sadiku firmos me Mersin në Turqi

 Mbrojtësi shqiptar arrin marrëveshje me skuadrën turke, Mersin Idmanyordu raportojnë mediet turke dhe suedeze. Loret Sadiku ka bërë lëvizjen e ti të rëndësishme në karrierë, duke lënë futbollin ku është formuar në Suedi për të pranuar sfidën e parë ndërkombëtare. Mbrojtësi është largua nga Helsingborgu duke pranuar kontratën tre vjeçare të skuadrës së Mersin Idmanyordu, e cila në stinorin 2014/15 është kthyer në elitën e futbollit turk.

“Sadiku luan me kombëtaren e Shqipërisë. Transferimi është kryer me kërkesë të trajnerit, Riza Çalımbay (ish-trajner i Beshiktashit)”, thuhet në njoftimin e klubit turk.

 

 Peshëngritje, Shtërmeni e Vllaznia fitues të Kupës

 Federata Shqiptare e Peshëngritjes zhvilloi Kupën e Shqipërisë në Peshëngritje për të Rritur. Sipas zëdhënësit të FSHP-së, Agron Haxhihyseni, mungesa e kampioneve Erkand Qerimaj, Daniel Godelli, Ervis Tabaku dhe Romela Begaj kishte të bënte me grumbullimin e tyre në Athinë. Për femra, më e mira e aktivitetit u shpall peshëngritësja e Ekipit të “Shtërmenit”, Shqiponja Brahja me koeficientin e sinklaritetit 3.4. Si Ekip Kampion për femra u shpall Ekipi i Skënderbeut  me 159 pikë. Për meshkuj Emanuel Lushi (Vllaznia) 252kg doli më i miri i Kupës me koeficient sinklariteti. Si ekip për meshkuj u shpall Teuta me 491 pikë, e ndjekur nga Vllazna me 409 pikë dhe Elbasani me 362 pikë. Trofetë e fituesve u shpërndanë nga Presidenti i FSHP dhe zv/presidenti, Elez Gjoza dhe Ilir Kulla si dhe nga Sek. Përgjithshëm i saj z. Muharrem Berisha.