NEPTUN CUP 2025/ “Te Stela” kampione dhe rekordmene, start pozitiv për sezonin

99
Sigal

Në pishinën “Boris Trajkovski” të Shkupit, notarët shqiptarë thyejnë disa rekorde. Flasin trajnerët fitues në këtë veprimtari, rezultatet 

Përgatiti Agron KAJA

Stina dimërore për Notin shqiptar, ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Sepse, në datat 1 dhe 2 mars 2025, 34 notarë të AN “Te stela”, 3 notarë të Vllaznisë,  të Partizanit dhe 1 notare e Tiranës, morrën pjesë në veprimtarinë “Neptun Cup 2025”, e para për vitin 2025 në pishinë 25 m. Kjo është një veprimtari ndërkombëtare e rajonit të Ballkanit, e cila ka më shumë se dhjetë vite që zhvillohet në pishinën “Boris Trajkovski” të Shkupit, në të cilën kanë marrë pjesë periodikisht edhe ekipet shqiptare të notit. Në garat e zhvilluara, spikatën notarët e AN “Te Stela”, me notaret rekordmene Arla Dermishi e Luna Djarmati, por edhe me disa kohë të tjera të përmirësuar nga notarët e kësaj akademie. Si veprimtaria e parë dimërore e vitit, për pjesëmarrësit shqiptarë kjo quhet një sukses. Trajnerët protagonist e “zbardhin” atmosferën fituese të garimit.

Trajneri i AN “Te Stela”, Eduart Cane

Arritëm ndër rezultatet më të mira që kemi patur

 

42 notarë

Në veprimtarinë ndërkombëtare “Neptun Cup 2025”që u zhvillua në Shkup,  morrën pjesë 42 notarë nga AN “Te Stela”, nga Vllaznia, Partizani e Tirana

3 rekorde

Nga notarët shqiptare të AN “Te Stela”: Arla Dermishi dhe Luna Djarmati, u thyen 3 rekorde kombëtare veprimtarinë ndërkombëtare “Neptun Cup 2025”

Fituese

AN “Te Stela” u shpall fituese e veprimtarisë ndërkombëtare rajonale “Neptun Cup 2025”. Kjo ishte fitorja e dytë e saj në këtë veprimtari

Si u paraqit Akademia e Notit “Te Stela” në veprimtarinë “Neptun Cup 2025”?

Si fillim sezoni, mendoj se ishte një ndër rezultatet më të mira që kemi patur ndonjëterë. Kishim të përmirësime të kohëve nga 80% të notarëve, njëherësh thyem edhe tre rekorde kombëtare nga notaret Arla dermishi dhe Luna Djarmati.

Cili ishte synimi juaj në këtë pjesëmarrje, dhe pjesëmarrësit sipas shteteve?

Ne synonym të shikonim gjëndjen e notarëve, ku ishim dhe ku jemi para nisjes së veporitarive të këtij viti. Na duhej kjo veprimtari që ne ta ndërtojmë punën tonë në këtë hapësirë që duhet deri në kampionatin e fëmije në fillimin e muajit prill.

Me sa notarë morrët pjesë në këtë veprimtari rajonale në Ballkan?

Akademia jonë morri pjesë me 34 notarë, me 22 meshkuj dhe 12 femra. Këta ishin të gjithë notarë mbi 13 vjeç, sepse të tjerët janë fillestarë, jo të mundshëm teknikisht për pjesëmarrje. Kishte edhe me gjëndje shëndetësore jo të mirë.

Kush spikati nga notarët e AN “Te Stela”, në cilën garë dhe cilët ishin rezultatet e tyre?

Dy më të mirat ishin Arla Dermishi dhe Luna Djarmati, të cilat veç rezultateve, thyen edhe rekorde kombëtare. Madje Arla u shpall edhe notarja më e mirë e aktivitetit dhe moshën, e po kështu edhe Luna më e mira për moshën 13-14 vjeç

Në rekordet që u thyen, cilat ishin kohët dhe përmirësimi i tyre?

Për femra, Arla thyeu një rekord kombëtar në 50 m Bretkocë në kategorinë 15-16 vjeç, nga 34”89 në 34”53. Luna thyeu rekordin në 100 m shpinë, mosha 13-14 vjeç, nga 1’07”80 në 1’07”54, dhe rekordin kombëtar në 50 m shpinë për të gjitha kategoritë, me kohën 31”30. Rekordi mbahej nga Kaltra Meça me kohën 31”38.

Për rezultatet që arritën notarët tuaj, ishit ju në këto pritshmëri?

Në fakt, ne e prisnim që të përmirësonin disa kohë. Por ishte një veprimtari herët për vitin 2025. Pritshmëritë ishin të duhura, ku te djemtë spikatën Klint Hoxha në garat e shpinës dhe Daniel Danja në Delfin dhe Stil i Lirë .

Në muajin prill zhvillohet Kampionati Kombëtar për Fëmijë 25 m, si po përgatiteni për këtë veprimtari?

Do punojmë më fort në këtë periudhë për të përmirësuar disa elementë të notimit dhe rezultatet në të gjitha garat që do të zhvillohen në këtë veprimtari. Natyrisht që aty do thyejmë edhe rekorde të reja dhe do ta fitojmë kampionatin.

“Neptun Cup 2025” ishte e para veprimtari për vitin 2025, cilat janë objektivat tuaj si akademi për këtë vit sportiv?

Synimet e këtij viti sportiv janë të fitojmë të gjitha veprimtaritë kombëtare, por edhe të paraqitemi me sukses në të gjitha veprimtaritë e tjera ndërkombëtare. Synim i ekipeve tona është që notarët tanë të jenë baza e kombëtares në të gjitha moshat.

 

“Te Stela” zuri vëndin e parë në “Neptun Cup 2025”, duke fituar 30 Medalje Ari, 17 Medalje Argjendi dhe 23 Medalje Bronxi. Arla Dermishi për femra u shpall Notarja më e mirë e aktivitetit

 

Rekordmenet e AN “Te Stela”

ARLA DERMISHI

GAROI NË:

50 Stil i lirë                 27:45

100 Stil i lirë               1:00:22

50 Bretkocë                 34:53 RK

50 Flutur                     28:86

100 m Katërnotim       1:09:03

 

REZULTATET

Në këtë veprimtari, fitoi 5 gara, 10 medalje Gold për moshën dhe Open, 1 Rekord Kombëtar për moshat 15-16 vjeç. U shpall notarja më e mirë për moshën 15-16 vjeç dhe notarja më e mirë për gjithë aktivitetin “Neptun Cup 2025”.

LUNA DJARMATI

GAROI NË:

400 stil i lirë                4:4345

50 shpinë                     31:30 RK

100 shpinë                   1:07:54 RK

200 shpinë                   2:27:85

 

REZULTATET

4 gara 9 Medalje Ari /Garat e shpinës, Ari për moshën dhe Open ,400 stil i lirë  Ari për moshën 13-14 vjeç. 2 Rekorde në 100 shpinë për 13-14 vjeç, 50 shpinë për 13-14/15-16/Të Reja dhe Të Rritura, Notarja më e mirë e Aktivitetit për 13-14 vjeç.

Trajneri AN “Te Stela”, Mjeshtri Madh Sadik Mema

Në Shkup, treguam përgatitje të mira dimërore

MEDALISTËT E AN “TE STELA”

FEMRA

Arla Dermishi, Luna Djarmati, Evie Asllanaj, Amelia Kalaja, Ambla Bardhoshi, Vanesa Ujka, Uejsa Kalaja, Sibora Dushaj, Alisa Titini

MESHKUJ

Daniel Danja, Klint Hoxha, Arens Cullhaj, Almar Nako, Avi Luga, Egid Dushaj, Riad Lala, Nik Shelna, Franklin Shkurti, Leon Hoxha, Luis Biba, Ali Filinta Uzun

Për Mjeshtrin e Madh Sadik Mema, njëherësh si trajner seleksioner për më shumë se një dekadë në Akademinë e Notit “Te Stela”, pjesëmarrja në veprimtarinë ndërkombëtare rajonale “Neptun Cup 2025, ishte pozitive, ku notarët e tyre treguan nivel të lartë garimi. Thyerja e rekordeve kombëtare, sipas tij, janë treguesi më evident i notarëve që përgatiten në këtë akademi noti. “Mendoj se “Neptun Cup 2025” ishte një veprimtari ndërkombëtare ku notarët e AN “Te Stela” treguan përgatitjet e mira dimërore, të cilat për këtë vit kanë nisur që në fillimin e muajit janar. Në këtë Kupë, niveli i garimit ishte i lartë, dhe këtë e tregon qartësisht fitimi i Kupës së aktivitetit për meshkuj e femra. Ne si akademi noti kemi më shumë se 10 vite që marrim pjesë në këtë veprimtari dimërore, dhe sot këto rezultate janë si një test për vitin 2025. Në fillimin e muajit prill zhvillohet Kampionati Kombëtar për Fëmijë në pishinën 25 m”.

FLASIN TRAJNERË TË EKIPEVE

KOL SHIROKA, VLLAZNIA

Vllaznia fitoi notarin 9 vjeçar Joel Golemi

Trajneri i ekipit të notit të Vllaznisë, Kol Shiroka, dje tregoi për gazetën “Telegraf” se pjesëmarrja e tyre me tre notarë nuk mbeti vetëm si një shëtitje në “Neptun Cup”, por me një spikatje. “Nga Shkodra ne u nisëm me tre notarë, 1 femër dhe 2 meshkuj, me mendimin që të shikonim gjendjen e tyre fizike. Sepse jemi në pragun e Kampionatit Kombëtar të Fëmijëve, dhe në Shkup ishte moment i duhur. Nga femrat tona garoi vetëm notarja Viki Tafrruku, e cila nuk ishte në pritshmëritë më të mira, por që ka nivelin e duhur dhe është konstante në garë dhe zuri vëndin e parë në 200 m Stil i Lirë. Ndërkohë që dy notarët meshkuj, Skerdi Kroni dhe Joel Golemi, bënë paraqitje shumë të mirë. Kështu, Skerdi Kroni garoi në 50 m Delfin dhe 50 m Stil i Lirë në të cilat u rendit në vëndin e 3-të për moshën 12-13 vjeç. Ndërsa Joel Golemi i moshës 9 vjeçare u rendit në vëndin e 1-rë në 50 m Stil i Lirë, një notar i së ardhmes ky për Vllazninë. Ne në këto gara këtë notar fituam”, kështu u shpreh dje trajneri i notit të Vllaznisë, Kol Shiroka.

ARJAN FETISHAJ, TIRANA

Për arsye objektive, nuk shkuam në Shkup

Trajneri i ekipeve të notit të Tiranës, Arjan Fetishaj, e vlerësoi si një test “Neptun Cup 2025”, por mospjesëmarrja aty e notarëve të Tiranës e kishte një arsye domethënëse. “Çdo veprimtari, sidomos ato ndërkombëtare, për ne vlerësohen në maksimum, madje si test për gjithë notarët tanë. Por kur them arsye teknike e logjistike, kam parasysh disa formalitete zyrtare të cilat ende nuk i kemi mbyllur, si federimet dhe kartelat mjeksore. Por, jemi duke u përgatitur me itensitet për tu përfaqësuar me një numur të lartë notarësh në Kampionatin Kombëtar të Fëmijëve, i cili do të zhvillohet në pishinën dimërore të AN “Te Stela” më 12 e 13 prill 2025. Tirana do të kërkojë vazhdimësinë e rezultateve të larta, me rekorde e kohë të përmirësuara nga të gjithë notarët. Viti ynë sportiv 2025 ka synime konkrete, të cilat do ti shikoni që në garat e Fëmijëve”, kështu u shpreh dje trajneri i notit të Tiranës, Arjan Fetishaj.

DASHAMIR BREGU, PARTIZANI

Testuam notarët tanë të perspektivës

Në veprimtarinë ndërkombëtare rajonale “Neptun Cup 2025”, ekipi i notit të Partizanit garoi me 9 notarë, vetëm meshkuj. Për këtë pjesëmarrje, trajneri Dashamir Bregu u shpreh se nuk kishte shumë rëndësi numri i notarëve garues, por një përzgjedhje për të testuar gjendjen e notarëve garues. “Veprimtaria “Neptun Cup 2025”, për ne si ekip i Partizanit kishte shumë vlera, jo vetëm për pjesëmarrje. Nuk kishte shumë rëndësi numri i notarëve garues, por një përzgjedhje për ti testuar ata. Mendoj se synimet tona u arritën, por jo në pritshmëritë e duhura. Ne fituam 4 medalje, dhe këtë e mendoj një sukses. Por në fokusin e kësaj veprimtarie ishte notari i talentuar Lajdi Allaraj në 50 m shpinë, 100 me katërnotim e 50 m stil i lirë. Glen Shehu dy medalje një Ari e 1 Bronxi në 100 m Katërnotim dhe në 50 m Bretkocë. Erlin Nonaj u rendit në vëndin e 3-të në 50 m Bretkocë, por mirë u paraqit Bredli Kueku në 50 m Delfin, në 100 m katërnotim, 50 m Brekocë, me një përfaqësim dinjitoz”.

GARAT E ZHVILLUARA

Paradite, 1 mars 2025

50 m Stil i Lirë            A,B,C,D, E

200 m Bretkocë           A,B,C,D

200 m Katërnotim       A,B,C,D

100 m Shpinë              A,B,C,D

400 m Stil i Lirë          A,B,C

 

Pasdite, 1 mars 2025

50 m Bretkocë             A,B,C,D, E

200 m Flutur               A,B,C

50 m Shpinë                A,B,C,D, E

200 m Stil i Lirë          A,B,C

100 m Shpinë              A,B,C,D, E

 

Paradite, 2 mars 2025

50 m Flutur                 A,B,C,D, E

800 m Stil i Lirë          A

100 m Shpinë              A,B,C,D

200 m Bretkocë           A,B,C

100 m Stil i Lirë          A,B,C,D

 

KATEGORITË, DATËLINDJET

A Absolute, B 2009/10, C 2011/12, D 2013/ 14, E 2015 e më të rinj