Nderim për artistin e komentatorin Veli Rada

590
Sigal

IN MEMORIAM

Dy ditë më parë u nda nga jeta komentatori sportiv dhe aktori i humorit, Veli Rada. Për shqiptarët,fillimisht ai u bë i njohur publikisht si një aktor i humorit, ndërkohë që transmetimin e ndeshjeve të futbollit në radio e kishte një dashuri të veçantë. Me Veli Radën më bashkon një kohë e gjatë, mbi 30 vjeçare, ku  njohjen e parë fizike me të e mbaj mend në muajin tetor 1983, disa ditë pasi Ahmet Shqarri kishte startuar në Radio Tirana me emisionin sportiv “Nga njera ndeshje në tjetrën”. Nga takimet e shpeshta me të për shkak të mikrofonit sportiv, por edhe nga bisedat me kolegë bashkëmoshatarë të Veliut, kam mësuar se ai, një dibran i thekur (siç donte gjithmonë ai), i ka fillimet e jetës së tij si një ish-ushtarak i edukimit fizik, dhe atëhere shpesh më pyeste dhe interesohej se si zhvillohet aktiviteti fizik në garnizonet ushtarake, duke qenë se edhe unë kryeja një detyrë të tillë në Berat. Por, humori që buronte nga shpirti i tij e orientoi drejt arsimimit të Institutin e Lartë të Arteve, dhe më pas humor e transmetime në radio, kjo ishte menu-ja e ditës e Veliut për vite me radhë, duke spikatur në të dyja këto fusha me protagonizmin e talentin e tij. Sot mund të sillen në kujtesë dhjetra momente nga jeta e këtij njeriu të mirë, në mikrofon, në skenë, në shoqëri e në familjen e tij, për të cilën tregonte një kujdes të veçantë. Për ne kolegët e tij të mikrofonit sportiv, ai la pas komentatorin e kompletuar, gjithmonë të alternuar edhe me grimca e humorit në mesin e tyre. Për kolegët e skenës, Veli Rada ka lënë pas talentin e humorit të lindur e krijues, ndërsa për familjen e tij, veç dhimbjes së ndarjes nga jeta, ai do të kujtohet si një bashkëshort korrekt, si një baba shembullor e si një gjysh i dashur me nipërit e tij. Në veçanti për djalin, Xhodën, kjo do të jetë një ndarje edhe më e dhimbshme dhe e veçantë, sepse Veliu e kishte “pikë të dobët”, siç thonte ai. Kjo ndarje e parakohshme e Veli Radës nga jeta pas një sëmundje që e mundoi shumë në muajt e fundit, do të jetë një vlerë e munguar në mikrofonin sportiv, pse jo edhe për skenën e humorit shqiptar. Personalisht do ta kujtoj për dhjetra ndeshje që kemi transmetuar së bashku në Shqipëri e jashtë vendit, ku Veliu me thjeshtësinë e tij më inkurajonte për të ma bërë edhe më të lehtë ritmikën time të transmetimit. Edhe redaksia e gazetës “Telegraf”, në respekt të figurës së Veli Radës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve të tij. Ai do të mbetet i gjallë në memoriet tona për humorin e këndshëm në mikrofon e në skenë.

A. Kaja