Gëzim PRENGZI/ Bujan, lartësi kullash, ngjarjesh dhe burrash

    804
    Sigal

    Kudo që të shkosh në Malësinë e Gjakovës të bien në sy objekte që flasin për historinë e kësaj treve në të gjitha periudhat historike si pllaka përkujtimore, lapidarë, shtatore e shtëpi-muze. Ndër më të njohurat e më të vizituarat janë kullat e Bujanit në Fang të Mulosmanit, si kulla e Mic Sokolit, Kulla e Sali Manit dhe kulla e Binak Alisë. Të ndërtuara aty buzë lumit Valbona në një rrafshinë, ato qëndrojnë ashtu hijerënda siç u qëndruan kohërave me luftëra të mëdha për çlirim kombëtar, duke nxjerrë nga gjiri i tyre burra me peshë për luftëra e kuvende me peshë kombëtare. Këto kulla edhe pse disa herë të djegura nga pushtues të ndryshëm, ato edhe sot janë në këmbë dhe të mbajtura mirë si shtëpi-muze mjaft të vizituara nga vendas dhe të huaj:

    “… Kulla t’ forta, kullat e  Fangit

    Si shemb dot topi i Sulltanit

    Kulla t’ forta me harasan

    Gjylja e topit s’ka çka u ban…’’

    Kulla e Mic Sokolit

    KULLA E MIC SOKOLIT e ndërtuar rreth vitit 1809 është ndër kullat e para, muri i së cilës është ndërtuar me harasan (llaç gëlqereje) e cila shërbente si banesë por edhe si fortifikatë për luftë. Kjo kullë është çerdhja nga e cila dolën burra me peshë në shërbim të çështjes kombëtare si pjesëmarrës dhe drejtues e luftëtar të njohur në beteja e kuvende. Gjyshi i Mic Sokolit, Ram Alia ka qenë ndër burrat e njohur në Malësi për mençuri në odat malësore e në kuvende, ndërsa i ati i Micit, Sokol Rama prijës dhe luftëtar i njohur në kryengritjet antiosmane të viteve 1845 si dhe në 1862 i cili bashkë me prijësit e njohur Binak Alia e Shaqir Curri fituan ndaj ushtrisë osmane. Mic Sokoli, Hero i Popullit ishte pjesëmarrës aktiv në lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në betejat e Shtimjes e Slivovës në Prill 1881 jep jetën në mbrojtje të Qeverisë së Lidhjes. Në këtë betejë merr pjesë edhe kushëriri i Micit, Tarçuk Mehmeti luftëtar në kryengritjet antiosmane e sidomos në atë të vitit 1862 kundër Maxharr Pashës. Kënga popullore i ka përjetësuar Mic Sokolin dhe bijtë e tjerë  trima që kanë dalë nga kjo kullë:

    ‘’… A mi patë Zmajlin e Micin

    Fyt për fyt me Dervishin..

    ..Hipi Pasha tu Gjyteti

    Qet shahi Tarçuk Mehmeti..

    …Mic Sokoli n’ armë të bardha

    Vendin Pashës s’mund ja fala

    N’ ujë e mbyta,armët ja ndala..’’

    Kulla e Mic Sokolit sot është shtëpi-muze mjaft e vizituar nga nxënës shkollash nga Kosova e Shqipëria si dhe vizitorë nga vendet e ndryshme të botës për vlerat e saj historike.

    KULLA E SALI MANIT

    Kulla e Sali Manit ose e të parit të kësaj familje Syl Ali Mulosmanit është ndërtuar rreth vitit 1817. Edhe nga kjo kullë në breza kanë dalë burra të njohur për çështjen kombëtare. Man Avdia ishte udhëheqës e prijës popullor dhe njëri nga më të besuarit e Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Azem e Shote Galicës etj. Sali Mani ka qenë deputet i Malësisë së Gjakovës  në vitet e para pas çlirimit. I vëllai i tij Bajram Man Mulosmani ishte kundërshtarë i flaktë i serbo-malazezëve dhe austro-hungarezëve të cilët e vrasin duke mbetur dëshmorë i atdheut në Gusht 1918 bashkë me Bajram Nimanin e Zeqir Halilin te Kungji i Armëve.

    Rexhep Adullah Mulosmani bashkëluftëtar i Bajram Currit ndërsa i biri i tij, Idriz Mulosmani veprimtar i shquar i LANÇ, komandant i batalionit të parë në Brigadën e 25-të sulmuese ndërsa Mehmet Mulosmani komandant i batalionit të tretë të kësaj Brigade. Avid Bajram Mulosmani, si bir dëshmori, eci në rrugën patriotike të familjes së tij, ishte bashkëluftëtar i Bajram Currit, një figurë e njohur për veprimtari patriotike. I biri i Sali Man Mulosmanit, dëshmori Jaho Sali Mulosmani, komandant i batalionit ‘’Rinia’’ dhe themelues i Organizatës së Rinisë për Malësinë e Gjakovës, me aktivitet të shquar në LANÇ dha jetën në Operacionin e Dimrit më 14 Shkurt 1944. Edhe këto figura u përjetësuan në këngë:

    ‘’…Man Avdinë ma pret Bajraki

    Po rri n’ besë sikur i ati…

    Bajram Mani u çue n’ kam

    Thuej Krasniqes–kajma dertin

    Mos ma leni n’ fis të keqin.

    …Ç’po luftojnë kta djem sokola

    Jaho Salihi e Fahri Shkodra…’’

    Në ballë të kullës së Sali Manit janë të vendosura dy pllaka, në njërën shkruhet:

    ‘’Këtu më 11 Janar 1925 Bajram Curri u nis për në Grykën e Dragobisë ..’’

    Ndërsa në tjetrën shkruhet: ‘’Këtu më 31 Dhjetor 1943- 2 Janar 1944 u mblodh Konferenca e Bujanit…’’. Në këtë kullë Bajram Curri kishte strehën e tij të sigurt dhe patriotët e kësaj shtëpie i qëndruan pranë deri në momentet e fundit të jetës së tij në Shpellën e Dragobisë.

    Në odat e kësaj shtëpie u mblodh dhe zhvilloi punimet Konferenca e Bujanit,e cila formuloi dhe miratoi Rezolucionin dhe dokumentet e tjera të rëndësishme për vetëvendosjen e popullit shqiptar të Kosovës dhe bashkimin e tij me Shqipërinë. Ka përfunduar restaurimi i saj i plotë dhe para pak ditësh u bë inaugurimi i saj nga autoritetet vendore të Tropojës e Gjakovës, ndërsa në Dhjetor të këtij viti, 70 vjetori i mbajtjes së kësaj Konference do të përkujtohet me një akademi me pjesëmarrje nga Shqipëria e Kosova.

    Kulla e Binak Alisë

    KULLA E BINAK ALISË është ndërtuar rreth vitit 1821. Edhe nga kjo kullë në breza kanë dalë figura historike të njohura. Binak Alia ishte njëri nga prijësit e kryengritjeve antiosmane  bashkë më Shaqir Currin e Sokol Ramën, mjaft e njohur ajo e vitit 1862 kundër Maxharr Pashës. Gjithashtu  Binak Alia ishte pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit dhe në kuvendet e tjera i shquar për urtësi në Malësi e Kosovë,në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë Komuna e Deçanit i dha atij titullin “Qytetar Nderi i Komunës”.

    I biri i tij, Qerim Binaku ishte luftëtar i shquar në mbrojtje të Plavës e Gucisë, pjesëmarrës në Lidhjen e Pejës e në Kuvendin e Junikut. Djali tjetër i Binak Alisë, Shaban Binaku (dëshmor i atdheut) i njohur si luftëtar dhe burrë kuvendesh, ekzekutohet me varje në litar në mes të Gjakovës nga xhonturqit më 1910 bashkë me Abdullah Hoxhën nga Gashi.

    Nipi i Biank Alisë,Zeqir Halil Mulosmani (dëshmorë i atdheut) i njohur në kuvende si dhe në luftërat e zhvilluara në vitet 1910-1912, kundër serbo-malazezëve më 1913-1915 si dhe kundër austro-hungarezëve më 1916-1918 të cilët e vrasin te Kungji i Armëve në Gusht 1918. Gjatë LANÇ nga kulla e Binak Alisë dhanë kontribut të shquar Rrustem Avdyl Mulosmani (dëshmor i atdheut) i cili kreu detyrën e kryetarit të komunës në Pejë dhe dha jetën në Operacionin e Verës 1944,ndërsa Ram Zeqir Mulosmani (oficer i xhenios) i shkolluar jashtë shtetit u dallua në luftimet tek ura e Bahçallëkut në Shkodër gjatë LANÇ.

    Ja si u kënduan nga populli Binak Alia dhe pasardhësit e tij:

    “…Binak Alia hipi n ’kali

    Po ku je more Pashë Maxharri

    Për Stamboll ti ktheu ma i pari..

    ..Shaban Binaku si gjylja e topit

    Rreptë po ec rrugës konopit..

    ..Turkut luftën kush ja nisi

    N’ qafë t’ Morinës Zeqir Halili..”

    Këto tri kulla-muze që dhanë kaq shumë histori dhe figura patriotike,dëshmorë e heronj, sot vizitohen nga shumë njerëz të moshave e profesioneve të ndryshme nga vendi dhe bota.

    Pasardhësit e këtyre kullave sot Rustem Bajram Mulosmani dhe Bajram Sylejman Mulosmani,presin dhe përcjellin me respekt e burrëri ashtu si të parët  e tyre duke e ruajtur “Zanin” e madh të Kullave të Bujanit që gjithmonë na kujtojnë historinë tonë të lavdishme.