Thonë që në Vlorë joshen nga “gradat”. Por edhe nëse është e vërtetë kështu, askush nuk do të merrte guximin t’i hiqte qoftë dhe një “yll” të vetëm në “spalet”, një “admirali” të trajningut të futbollit shqiptar Leonidha Curit. Para tij , edhe ata që nuk e kanë për qejf t’u binden “urdhërave të eprorëve” , më e pakta, që mund dhe duhet të bëjë është të qëndrojë “gatitu” përpara figurës tij, sepse në drejtimin e Leonidhës, Flamurtari mori përmasa evropiane edhe vetë lojtarët ishin “spartanët” e atij Flamurtari. Dhe ndodh kështu, sepse në kornizën e pesë vite që Leonidha Curi drejtoi “Flamurtarin”, kjo skuadër arriti të fitojë trofe e të ngrihej në nivelet e futbollit evropian. Por kësaj figure sportive, po ti shtosh edhe karrierën e tij si futbollist me “Shkëndinë” e Tiranës dhe “Flamurtarin”, figura e tij merr përmasat e duhura që duhet respektuar e vlerësuar.
Të gjithë në Vlorë e mbajnë mend mirë ish fushën sportive diku tek kisha katolike në hyrje të lagjes Varosh. Atje do hidhte hapat e parë në lojën e futbollit Leonidha Curi së bashku me të vëllain e vet Spiron dhe hokët e tij të ngushtë Agron Sulon dhe Albert Picin. Me orë të tëra do qëndronte tek kjo fushë e lagje ky djalosh që pak kush e mendonte se në të ardhmen do formohej si një futbollist e trajner cilësor. Edhe pse ka qëndruar shumë pak kohë tek ekipi të rinjve të “ Flamurtarit” në janar të vitit 1968 ai së bashku me Agron Sulon dhe Lavdosh Malaj do konkurojnë në shkollën e mjeshtërisë sportive “Vojo Kushi”. Fati e kërkoi që të tre vlonjatët të fitojnë të drejtën për të qënë pjesë e grupit të parë të kësaj shkolle sportive. Plot tetë vjet Leonidha u trajnua si futbollist dhe specialist futbolli tek kjo findanishte e futbollit shqiptar. Nga ekipi të rinjve të” Shkëndisë” Tiranë tek ekipi i parë ku së bashku me Arjan Hoxhën, Petrit Gjonin, Milto Gurmën, Lavosh Malaj, Barjam Hushin, Bashkim Tufën, Agim Bulkun,Vasillaq Zërin, Muç Fagun, Agron Sulon e tjerë do shkruanin historinë më të bukur të kësaj skuadre të re në futbollin shqiptar. Djelmoshat e rinj të ILKF “Vojo Kushi” të drejtuar nga trajnerët Zyber Konçi e Shyqyri Rreli pasi do të dilnin disa herë kamopion për të rinj do të fitonin titullin kampion të kategorisë dytë duke u bërë pjesë e skuadrave të elitës të futbollit shqiptar.
Në vitin 1972 “Shkëndia” do të marrë pjesë në Kupën Ballkanike ku dhe Leonidha Curi si pjesë e saj në rolin e mbrojtësit, por dhe si mesfushor do të kontriubojë fort për këtë skuadë. Pas disa viteve plot sukses tek “Shkëndia” në 1976 Leonidha Curi do kthehet në Vlorë tek Flamurtari , ku së bashku me Uran Xhafën, Endmond Licaj, Shemsi Zilen, Vasil Bifshen dhe me Kreshik Cipi, Petro Rucin, Vasil Rucin, Pano Xhahon e të tjerë do bëjnë më të mirën e vlerave të tyre. Në vitin 1979 drejtimin e Flamurtarit do e merrte shoku tij Agron Sulo . Vetë Leonidha i njohur në opinione sportive me nofkën “dinakja” do ishte një mbështetje e fortë për trajnerin 27 vjeçar Agron Sulo duke projektuar të dy Flamurtarin e së ardhme. Deri në vitin 1982 Leonidha do luajë futboll me skuadrën dhe në moshën 31 vjeçare do t’i përkushtohet detyrës të trajnerit në klasat sportive dhe ekipet e moshave të Flamurtarit. Një e veçantë e karrierës tij si futbollist qëndron në faktin se në vitet 1979-1981 për dy sezone ai luajti tek Flamurtari së bashku me të vëllain e vet sulmuesin Spiro Curi. Gjithsesi trajneri Curi ndihej mirë, trajneri Leonidha Curi kishte bindjen se skuadra me elemetet që kishte do rritjet shpejt. Me Bircen, Arapin, P.Rucin, Tahon. Cipin, Lushaj, Iljadhin, Ferkon, Ziaji , Gjondedën, V.Rucin , Bubeqin, Kushtën por dhe më të rinjtë si Memushi, Ziu ,Muca, Lalucin, Shabani e Daullja ky Flamurtar hyri në rivalitet të fortë me Partizanin, Dinamon,17 Nëndorin e Vllazninë në garën për të fituar trofe. Finalist Kupe dhe kaniditat për të fituar titullin kampion. Ky ishte Flamurtari i trajnerit Lenidha Curri. Por trofeu i parë për Flamurtarin do vijë më 8 shkurt 1985 në finalen e Kupës përballë Partizanit ku golat e shënuar nga V.Ruci e Bubeqi nënshkruan suksesin e vlonjatëve me rezultatin 2-1. Vlora atë mbrëmje të ftohët shkurti ka festuar gjatë suksesin e parë me trofe të skuadrës tyre. Por në kornizën e viteve të mëtejshme Flamurtari i drejtuar nga Leonidha Curi krahas paraqitjes të mirë në kampionat duke prezantuar një shkollë futbolli më vete, një performacë të jashtëzakonshme do bëjë në pjesmarrjen në Kupat e Evropës.
Në vjeshtën e 1985 Flamurtari në turin e parë të Kupës Kupave ka përballë HJ.K Helsinkin . Humbet të dyja ndeshjet 3-2 dhe 1-2, por fitoi përvojën ku pas një viti në turin e parë të Kupës U.E,FA do ketë përballë Barcelonën . 0-0 në “Kamp-Nou” dhe 1-1 në Vlorë në ndeshje dramatike duke i dhënë një leksion të mirë skuadrës të trajnerit Vijenebëlls. Por një vit më vonë në 1987 Flamurtari do të trondiste fort Evropën me paraqitjen e tij në Kupën U.E.FA. Duke shkuar deri tek turi tretë. Në ndeshjen e turit parë Flamurtari-Partizan i Beogradit. 2-0 në Vlorë dhe 2-1 në Beograd me atë gol historik të shënuar nga Kushta. Sa shumë kujtime ka nga ajo ndeshje. trajneri Leonidha Curi ? Suksesi ishte i skuadrës dhe stafit drejtues, por kënaqësia do dhuratë me e bukur për opinionin sportive shqiptar. Në turin e dytë “Flamurtari” eleminoi dhe skuadrën gjermano-lindore Vismut-Aue me rezultatet 1—0 në Aue dhe përmbysjen në Vlorë 2-0. Trajneri Curi dhe tërë Shqipëria për këto suksese ishte në delir të plotë. Në turin e tretë përsëri përballë Barcelonës të madhe. Humbje 4-1 në Barcelonë dhe fitore 1-0 në Vlorë. Këtu ndalet “Flamurtari” duke shkuajtur më së miri historinë e tij evropiane nën drejtimin e trajnerit Leonidha Curi. Trajneri spanjoll Aragones do shprehej qartë:” Flamurtari” është skuadër burrërore Luan futboll të bukur dhe shumë rezultativ.
Të gjithë futbollistët e kësaj skuadre kanë cilësi të veçantë , por më shumë se çdo kusht tjetër ka pjesën e tij të suksesit trajneri Curi”. Trajneri Leonidha Curi me këtë “Flamurtar” kishte shkruar bukur historinë “. Por vetëm kaq , sepse pak muaj më vonë në 1988 në mënyrën më misterioze do largohet nga Flamurtari i dashur duke lënë pas ekipin finalist të Kupës dhe në vendin e dytë në klasifikim.S hpejt kalon si ndihmës trajner i ekipit tonë kombëtar së bashku me Agron Sulon. Në sezonin 1989-1990 trajneri njohur vlonjatë drejton ish Traktorin e Lushnjës dhe pas vitit 1990 punon për dy vite si asistent trajner tek skuadra greke Levadiakos. Për një sezon 2001 -2002 drejton përfaqësuesen greke të futsallës. Rikthet në Vlorë tek Flamurtari në sezonin 1996-1997 duke e lënë kampionatin në gjysëm të udhës, por kryesues, për shkak të ngjarjeve të atij viti të mbrapshtë. Për disa vite deri në moshën 60 vjeçare kontribon në ngritjen e minifutbollit shqiptar me dëshirën për të dhënë më mirë e vlerave të tij. Ka disa vite që jeton në SH.B.A. Leonidha Curi ka vlera të pakundërshtueshme jo vetëm se në drejtimin e tij Flamurtari arriti të fitojë trofeun e parë Kupën e Shqipërisë në 1985 Leonidha Curin e kanë vlerësuar më mirë se kushdo opinioni sportiv që dhe sot e nderon dhe respekton si trajnerin e Flamurtarit Evropian . Gjithsesi, asnjeherë nuk është vonë për të nderuar figura të tilla.