Moisi Dalipi: Pesë kartolinat e “Telegrafit” për futbollin

375
Sigal

Sot në mbrëmje Kategoria Superiore mbyll javën e 12- të saj dhe ul kësisoj siparin e pjesës parë të kampionatit të 82-të në historinë e futbollit saj. Ndërkohë, që dy nivelet e tjera të futbollit Kategoria e Parë dhe Kategoria e Dytë në fundjavën e kaluar, kanë mbyllur llogaritë dhe kanë përcaktuar skuadrat kryesuese në grupet respektive. Pra tashmë, pa marrë parasysh rezultatet që do japin sot ndeshjet e Superiores, gjithçka është në një fotofinish nga ku mund të analizohen dhe të vlerësohen portretet e të gjitha skuadrave, ku pa as më të voglin dyshim skuadrat kryesuese në klasifikim në këtë fundvit të 2020, meritojnë komplimentet e duhur, ashtu siç mund të vendosen në tehun e kritikës, ato skuadra që kanë zhgënjyer deri tani me paraqitjen e tyre. Gjithsesi, gazeta jonë “Telegraf” që duhet pranuar se ka qenë përherë pranë  sportit, sot do dërgojë pesë kartolinat e saj  të pesë skuadrave kryesuese të tre niveleve të futbollit tonë. Dhe ato janë për “Vllazninë” e Kategorisë Superiore, “Dinamon” dhe “Egnatien” e Kategorisë Parë, si dhe për “Shkumbinin” dhe “Labërinë” e Kategorisë Dytë.

 

 

“Vllaznia”, ‘Zonja e Vjetër’ me kurorën e dimrit

Skuadra e ‘Vllaznisë’ edhe pse sot do të zbrersë në kryeqytet për të zhvilluar ndeshjen e rradhës ndaj “Tiranës”, që e thënë ndryshe, është ndeshja e javës të 12- të të këtij kampionati, ku pavarësisht rezultatit, shkodranëve ju del ‘llogaria’ për festuar dhe gëzuar me kurorën e skuadrës kampione për stinën e dimrit. Por përtej këtyre parashikimeve dhe hipotezave “Vllaznia” vjen në kryeqytet, jo thjesht si një skuadër që ka plot shtatë javë që ka marrë kryesimin, por dhe për atë, që dhe pas kësaj ndeshje, do synojë fortë të ruajë shkëputjen me ndjekësit e saj më afërt,  ku “Partizani”, “Teuta’ dhe “Kukësi’, ndoshta presin hapin e gabuar të ‘Vllaznisë”. Dhe është përballje numër 185-ta kjo e ditës sotme, në klasiken e vlerësuar kështu ‘Tirana’ –‘Vllaznia’ , ku bilanci  është më pozitiv për bardheblutë , me 80 fitore, 47 barazime dhe 57 humbje. Por shkodranët kanë fituar në ndeshjen e fazës parë të zhvilluar në Shkodër, më 21 nëntor 2020, me atë rezultat dramatik 3-2 , ku goli fitores mban firmën e ish sulmuesit tyre të sezonit kaluar, kenianit Ismael Dungan në minutën e 97` të ndeshjes. Por sot në mbrëmje do mësohet gjithçka, jo vetëm për këtë ndeshje dhe jo vetëm, por dhe për katër çiftet e tjera që do jenë: ‘Kukësi’- ‘Teuta’ , ‘Laçi’ –‘Partizani’, ‘Skënderbeu’-‘Bylis ‘dhe ‘Apollonia’ –‘Kastrioti’. Gjithsesi, vetë diferenca e krijuar nga kjo “Vllazni” e këtij sezoni që në 11 javët e kaluara, ka plotë 6 pikë më shumë se ndjekësi më i afërt “Partizani”, na lejon t’i dërgojmë kartolinën tonë në prag të Vtit të Ri 2021.  Kështu pra, në krye është ‘Vllaznia’ që tani me 25 pikë, në 11 javë kampionat ka treguar fortë e bukur portretin e saj interesant të ‘Zonjës Vjetër’ në futbollin shqiptar . Por këtë rradhë dhe këtë sezon, kemi një ‘Vllazni’ të rilindur tërësisht në çdo drejtim. Siç duket shkodranët kanë nxjerrë mirë mësime nga sezoni kaluar, për të mos lëshuar asgjë deri në fund të sezonit, me dëshirën dhe mendimin se Shkodrës i duhet patjetër një trofe që mungon që nga viti 2008, kur ‘Vllaznia’ fitonte për të 6-ën herë, Kupën e Shqipërisë dhe vitin 2001 kur shkodranët festonin hareshëm fitimin e titullit kampion numër 9 në historinë 101- vjeçare të kësaj ‘Vllaznie’. Gjithësesi, kjo skuadër e këtij sezoni me djelmosha të talentuar dhe puro shkodranë si Erdenis Gurishta, Ardit Krymi, Arsid Kruja, Behar Ramadani, por dhe më të rinjtë Lekaj, Çoba, Hoxha, Kalaja, Isufi, Deda, dhe Aliaj që së bashku me Zagovic, Shehi, Imamin, Ymerin, Jonuzi, Dungën, Dilaver, Hoxhaj, e të tjerë, janë ata që kanë marrë përsipër detyrën, për të kthyer këtë ‘Vllazni’ tek fitimi titullit kampion. Trajneri kroato -gjerman Tomas Brdaric, së bashku me ndihmësat e tij Elvis Plori, Safet Osja dhe Ideal Lekiqi, në misionin e tyre kërkojnë t’i kthejnë kësaj ‘Vllaznie’ lavdinë e munguar për rreth 12 vjet në futbollin shqiptar. Dhe të parët në këtë mision, që ndoshta do të vlerësohet dhe si historik, po ndodhi që ‘Vllaznia’ këtij sezoni të fitojë trofe, janë dhe donatorët Alban Xhaferi, një djalë shkodran 40- vjeçar, që e dashuron fort futbollin me profesion financier, si dhe pjesës tjetër të stafit drejtues,  që me aq shumë përkushtim kërkojnë me çdo kusht ta kthejnë në traditën e saj më mirë këtë “Vllazni” me shumë ambicje. Dhe kurora e dimrit i qëndron bukur fortë mbi “Zonjën e Vjetër” , ‘Vllaznisë’ të Shkodrës.

“Dinamo”dhe “Egnatia” synojnë Superioren

Edhe Kategoria e Parë ka ‘kampionët’ e saj të dimrit. Në grupin A “Dinamo” pas tetë javëve kampionat, vazhdon të qëndrojë në krye të klasifikimit. Edhe pse në këtë grup, skuadra blu e “Dinamos” ka njohur një rivalitet ndryshe nga sezionet e kaluara të “Korabit” , “Burrelit” dhe “Besëlidhjes” , ajo ka ditur ta mbyllë këtë pjesë të sezonit në vendin e parë më 20 pikë, me bilancin 6 fitore, 2 barazime dhe 0 humbje dhe me golaverazhin 12 të shënuar dhe vetëm 1 gol të pësuar. Dhe po vazhdoi kështu në pjesën e mbetur të sezonit, pa asnjë dyshim “Dinamo”, pas plot 8 sezoneve do kthehet në sofrën e më të mirëve të futbollit shqiptar, atje ku ka fituar plotë 35 trofetë e saj me 18 tituj kampion, 15 Kupa dhe 2 Superkupa. Në grupin B, skuadra simpatike e “Egnatias” e mbylli pjesën e parë të sezonit në vendin e parë, me 15 pikë në 7 javë kampionat me bilacin 4 fitore, 3 barazime dhe 0 humbje, me golaverazhin 10-1. Skuadra e drejtuar nga trajneri Magani synon hapur rikthimin në Superiore pas plotë 15 sezoneve. Rivaliteti me ‘Besën” , ‘Lushnjën’ dhe “Tomorrin’ është i madh , por ‘Egnatia”  po i bën llogaritë ndryshe dhe për të ardhmen.

‘‘Shkumbini” dhe supriza “Labëria”

Kategoria e Dytë ka mbyllur pjesën e parë të kampionatit saj për të dy grupet. Edhe pse në kushte jo fort të mira, futbollistët e këtij niveli kanë njohur kryesuesit e tyre të dimrit. Kështu në grupin A, “Shkumbini” Peqinit, ka siguruar vendin e parë me 19 pikë, pas 6 fitore dhe 1 barazim. Kështu skuadra e trajnerit Lorenc Pashja, ende nuk po njeh humbje deri tani dhe synon  rikthimin në një nivel më të lartë, atje ku ka dhe traditën e tij në këto tre dekadat e fundit. Rivaliteti me ‘Sopotin’, ndoshta dhe pjesën e dytë të sezonit do të tregojë edhe më mirë portretin e kësaj skuadre. Surpriza e bukur është kryesuesja e grupit B, me emrin “Labëria”. Kjo është skuadra më e re e futbollit shqiptar që vjen nga Vlora, me atë përbërje të saj, ku të gjithë janë djem vlonjatë me portierin Halili, Hysaj, Kuqi, Beqiri, Bega, Kolila, Elmazaj, Zeqiri, Seferaj, Hasanaliaj, Nebiu, Velaj, Asimetaj, Dalanaj, Beshiri, Kardhashi, Dhrami, Kumanaku, Malko, dhe e me trajner Arlind Rustemi. Në 7 javë kampionat, kanë marrë 19 pikë, me 6 fitore, 1 barazim dhe 0 humbje, me bilancin e golave 14 të shënuar, asnjë 0 të pësuar. Pra, portieri Argent Halili ka 630 minuta që nuk pëson gol. Këta janë “Kanarinat” që këndojnë bukur labçe. Por kjo befasi e bukur vlonjate në futbollin shqiptar, duket se do vazhdojë dhe në të ardhmen, edhe pse rivaliteti me “Butrintin” dhe “Maliqin” është i madh.