Moisi Dalipi: Partizani i kapur “rob” dhe Flamurtari pa “flamur’

452
Sigal

 Moisi  Dalipi

Partizani i kapur “rob” dhe Flamurtari pa “flamur”

Futbolli shqiptar  i Kategorisë  Superiore  u rikthye në fushën e lojës, duke luajtur  në katër ditë dy javë kampionati. Kështu,  në javën e 27-të,  dhe  atë 28-të, të dhjetë skuadrat në regjimin e protokollit  sanitar,  rifilluan garën aty ku e lanë afërsisht tre muaj më parë. Java e 27-të  e zhvilluar në mesjavën e kaluar,  kishte si të veçantë  të saj rezultatin  pozitiv me Coronavirusin të futbollistit të Bylisit,  Qardaku , duke sjellë jo pak panik tek organizatorët e garës futbollistike. Java e 28-të solli detaje të tjera që tërheqin jo pak vëmendjen në  analizën sportive. Dhe  janë vetë rezultatet dhe klasifikimi pas kësaj jave,  që  bën të mendosh kështu sepse kemi: pas kësaj paraqitjeje,  nuk është vështirë të kuptosh se Tirana me  fitoren, me rezultatin tenistik 0-5, ndaj “Luftëtarit”, ecën drejt fitimit të titullit kampion,  për të 25-ën  herë në historinë  e saj shekullore. “Luftëtari”  pas kësaj  humbje  të thellë,  ka filluar të bëjë llogari vetëm rënien nga  kategoria. “Bylis” gjen fitoren, pas plot 180 -ditëve, duke shpresuar se ka lënë prapa zonën e  ftohtë  të “play-out”. “Teuta”  me humbjen në Ballsh, duket se ka humbur  pak terren për zonën e Europës. “Laçi”  fiton bindshëm  me rezultatin, 5-2  ndaj “Vllaznisë”, që  me sa duket,  rikthehet tek fenomeni krizë. Largimi papritur i trajnerit Mirsad Jonuz, por dhe probleme të tjera, duket se   treguan qartë se shkodranët e kanë të vështirë  të  shkëputen  nga zona e “play-out”-it, për të siguruar mbijetesën. “Partizani”  humbet përsëri në   ndeshjet  në “shtëpinë” e vet. Fiton pastër 1-3  me të “kuqtë”,  Kukësi,  që nuk i ndahet vendit të dytë në klasifikim. “Skënderbeu” fiton në Vlorë me rezultatin 0-1, duke treguar se di t’i bëjë  6 fitore rradhazi për kampionat. “Flamurtari”  tani,  me këtë humbje nuk i mjafton as matematika për bërë llogaritë për Kategorinë  Superiore. Kështu, me këtë pamje duket  disi më qartë  panorama e Superiores pas javës të saj të 28-të,  kur në brendësi,  duhet veçuar dhe lakuar, për atë se çfarë po ndodh me dy skuadrat,  “Partizani” dhe “Flamurtari”.

Ekipi  është  bërë  si  “Partizani vogël  Velo”

Plot një vit më parë “Partizani” shpallej  kampion  për herë të 16-të, duke festuar gjatë dhe bukur me tifozët e tij suksesin që kthehej  në shtëpinë e tyre pas plot 26 -viteve. E madhe, e merituar  dhe e ligjshme festa dhe gëzimi i përjetuar.  Vetëm  kaq, jo më shumë, sepse sezoni  tjetër, (ky që është duke u zhvilluar),  është në antitezë të plotë me të,  dhe  aspak i ngjashëm me atë që të krijojë bindjen se po kthehej “Partizani” i  sukseseve të futbollit. Dhe  tani kur këtij  kampionati i duhen  vetëm  8 javë të mbyllet, “Partizani”  si skudër  kampione në fuqi,  është vendosur  në  vendin e  8-të në  klasifikim. Me aq pike, 38 të tilla, saqë  është  gozhduar në  zonën e “play-out”.  Dhe më  keq,  se tani kjo skuadër nuk e ka parë veten  asnjëherë në këtë kampionat.  Bukur  fort e ka vlerësuar një ish-futbollist  këtë gjendje që po kalon kjo skuadër, kur është shprehur në mënyrë figurative se, “Ekipi është bërë si  “Partizani i vogël Velo”! Një gjetje e goditur kjo, me një perifrazim që përqaset  mirë  emrit të madh që ka “Partizani” në historinë e futbollit  shqiptar,   duke e krahasuar me atë të këtij sezoni . Pa dashur të shkojmë  larg, vetëm këto dy ndeshjet e fundit, ku Partizani humbet  1-2 me Skënderbeun  dhe  1-3 me Kukësin, të bindim  se  po ndodh  kështu. Janë dy humbje të hidhura këto, përballë  atyre të kundërshtarëve, që pak muaj më parë partizanasit i vlerësonin si rivalë për fitimin e titullit  kampion dhe zonën e Europës.  Në këto dy ndeshje “Partizani” është treguar i tkurrur  dhe i vogël  në përmasat e veta, sepse loja e tij jo vetëm që nuk ka qenë aspak bindëse, por qëndronte në inferioritet të plotë  me fituesit. Dhe si të mos mjaftonin këto, në ndeshjen  e humbur 1-3, me Kukësin  në fushë,  është parë një skuadër  e trasformuar në formacionin  e parë  dhe mënyrën se si luante futboll.  E thënë  saktë, të linte shijen e një skuadre  amatore. Por gjithçka nuk mbaron  këtu, sepse kur vjen  rradha për të marrë përgjegjësitë për këtë gjendje, trajneri Sormani, gjen një arsye absurde për të mos folur, sa pak kush e beson se paska probleme me zërin. Dhe meqenëse jemi  tek trajneri, duhet  thënë qartë se puna e tij deri tani tek “Partizani”,  është veçse një fotokopje e asaj që bën dhe mbeti pas tek kjo skudër  dhe me  dy  paraardhësit e tij italianët,  Juliano dhe Lerda. Të gjithë  i mbajnë  mend “driblimet” e tyre pa top, sa here që   skuadra  humbiste, ku  çdo fjali mbyllej me togfjalëshin  premtues: “ …presim ndryshimin , jemi për Europë”.  Kështu është shprehur  dhe trajneri 54 –vjeçar,  Adolfo Sormani më 4 janar  2020,  kur  mori  drejtimin e “Partizanit” dhe do firmoste një kontratë  për  2.5 vite me presidentin Demi. Ky ishte rikthimi dytë i tij tek “Partizani”, por kësaj rradhe,  pak më ndryshe  se i pari, sepse solli me vete “brigadën italiane”  me ndihmësin e tij  të  parë, Giovani Mazzella dhe përgatitësi atletik, Gabriele Faccia. “Partizanin do ta kthejmë tek fitorja” – do thoshte trajneri italian në  komunikimin  e parë me shtypin.  Pak a shumë e njëjta shprehje e përdorur nga ana e tij dhe pas eleminimit dramatik  nga  “Besëlidhja”  për  Kupë. Kështu dhe  për humbjen seriale në kampionat.  Dhe po kështu,  dhe kur  skuadra është zvogëluar tani së fundi,  kur  llogaritë i bën larg  atyre objektivave që janë marrë, kur shikon  veten si pjesë e atyre skuadrave që më shumë se asgjë,  kërkon mbijetesën. Një paraqitje e tillë, natyrshëm që ka sjellë pakënaqësi  deri në revoltim tek ish futbollistët, por dhe tek tifozët e “Partizanit”. Ndoshta është shpejt për të thënë se ky “Partizan” po ç’ngjyros emrin e tij të mirë që vendosi sezonin e kaluar, por kur shikon dhe dëgjon nga ata që drejtojnë  skuadrën se, ” Me dy ndeshjet e rradhës që kemi me “Luftëtarin” dhe “Flamurtarin”,  do kthehemi tek fitorja”. Të vjen keq që  janë pritur  këto ndeshje  me dy skuadra  të rëna nga kategoria,  të fillojë kthesa e dëshiruar. Duke u rikthyer tek gjendja  që  është krijuar tani së fundi tek “Partizani”, në  jo pak raste dëgjohet kërkesa për dorëheqjen e trajnerit Sormani. ” Është metodist i mirë për ekipet e moshave  dhe  jo  për skuadrën e parë” – vlersojnë së fundi specialistët. Por ky vlerësim i kostatuar  kaq vonë, përse nuk është bërë prezent më parë,  kur doli emri tij për të marrë drejtimin e “Partizanit”?  Mos vallë është pritur  të thuhet se: Ky  sezon  është i dështuar për “Partizanin”  dhe pastaj  të  dalë  në  shesh  e vërteta? Gjithësesi, një gjë duhet  pranuar e thënë hapur, se trajneri Sormani nuk ka sjellë  asgjë të mirë tek “Partizani”. Madje, bindja është  e plotë, se puna e tij e ka zvogëluar skuadrën, në ato përmasa dhe atë mënyrë sa që shprehja se: “Ekipi është bërë si  “Partizani i vogël Velo” , është  më se aktuale. Ta marrësh  drejtimin e “Partizanit”, kur ishte vetëm dy pikë larg vendit parë dhe të katadiset sot  në këtë gjendje,  ku është 21 pikë  larg vendit pare, dhe që më shumë se asgjë tjetër, kërkon të sigurojë  qëndrimin në grupin  e  më të  mirëve, natyrshëm që emri  trajnerit do të lakohet për largimin e tij.

Dështimi  i përsëritur i “Flamurtarit”

Pas humbjes të pësuar nga “Flamurtari” në  fushën e tij me  “Skënderbeun”,  duket  se ranë dhe mendjet që besonin  në “llogaritjet matematikore” për mbijetesën e vlonjatëve. Dhe nuk mund të ndodhë  ndryshe,  kur deri tani, skuadra,  në 28 javë kampionat, nuk ka regjistruar asnjë fitore në fushën e saj. Në Vlorë  humbje të tilla kanë ndodhur plot 8 herë deri tani në këtë kampionat dhe askujt nuk i bën më përshtypje një gjë e tillë. E thënë më qartë, çdo skuadër që përballet me “Flamurtarin”  fitoren e ka të sigurtë si në ndeshjen Brenda,  dhe ato jashtë. Por përtej problemeve  gjyqësore  që  duhet të zgjidhë  administrator  Idrizi me  ish-ortakët e tij, ajo që shqetëson më shumë  ka të bëjë me atë, se cila do jetë e ardhmja e skuadrës së “Flamurtarit”?  Rënia nga kategoria  për  “Flamurtarin”  tani është një realitet, edhe pse dikush ushqen mendime për  ndryshim  të formulës  të kampionatit ardhshëm, por shqetësimi qëndron se administratori Idrizi  e ka pranuar dështimin në drejtimin e klubit dhe pret të mos rinovojë kontratë tjetër, duke sjellë  një kaos,  që mund të kushtojë  me rënimin e skuadrës,  siç ka ndodhur  me “Dinamon” dhe Elbasanin.  Dikush  mund të thotë se: “Do t’i dalë  zot  Bashkia”.  Pa dashur të pranojnë që duhet  të vazhdojë  Idrizi në administrimin e klubit,  përvoja e këtyre viteve të fundit  ka treguar se interesimi saj për skuadrën që po vuan jo pak, ka munguar shumë. Duhet pranuar se “Flamurtari”  këtë sezon, është në të njëtën gjendje si në sezonin  2003-2004,  kur  ra nga kategoria dhe pas dy sezoneve u rikthye përsëri në Kategorinë Superiore, por atë vit Bashkia mori përsipër gjithçka, duke e ringritur  ekipin nga e  para. Në Vlorë, edhe pse diskutohet jo pak rreth fatit që do ketë skuadra në të ardhmen, të gjithë druhen  të  shprehin optimizmin e tyre  se  ky dështim i përsëritur tani, pas 16 –viteve, do zgjasë pak për “Flamurtarin”. Dhe të gjtha këto janë arsye për menduar se  rënia e “Flamurtarit”  nga kategoria  këtë rradhë,  është e hidhur më shumë  për fatet e futbollit vlonjat në të ardhmen, se sa për  atë, se do vazhdojë  të  jetë,  ose jo Idrizi,  si administrator i klubit  të futbollit  “Flamurtari”.