Sapo ka mbushur 80 vjeç jetë dhe në përgjithësi ndjehet mirë dhe në “formë sportive”. Kur e takon këtë Mjeshtër të Madh të futbollit vlonjat, Mexhit Haxhiun vërtet ai të shfaqet ashtu siç e njeh gjithë Vlora e mijëra sportdashës nga e gjithë Shqipëria, të cilët e përcollën për 13 vjet me ovacione e duartrokitje në fushat e blerta të futbollit. Fisnik, i sjellshëm, fjalëpak e vetëm buzëqesh në mirësi. Nuk ka futbollist, majde sportist në Vlorë, që të ketë fituar aq tituj në harkun jetësor të tij, plot tallaze, nën efektin e të ashtuquajturës “biografi”, pasi babai i tij ishte larguar nga Shqipëria në vitet e hershme të diktaturës. Mjeshtër i Merituar i Sportit (1990), Nderi i Sportit Shqiptar 2000, fitues i anketës së 10 sportistëve më të mirë të Shqipërisë në të vetmen gazetë sportive të asaj kohe, “Sporti Popullor”, në vitin 1972, pjestar i 11 më të mirëve të Shqipërisë për 44 kampionate (1985), në 11-shen më të mirë të 55 kampionatëve kohët e fundit, bashkë me Boriçin, Panon, Resmen, Halilin etj, fitues i medaljes së arit si Futbollist i Shekullit në Vlorë ,”Medalje Merites” – Partizani ,”Qyetar Nderi Vlorës dhe “Mjeshtri i Madh”. Janë këto medaljonet, që i janë servirur futbollistit e sportistit të madh vlonjat duke ja zbukuruar bukur gjoksin e tij kuq e zi. Ka mbrojtur gjuhët angleze dhe italiane, është anëtar i shoqatës angleze të trajnerëve, si dhe ka kryer shumë kurse specializimi në Londër, Helsinki, Firence, Bruksel e Tiranë në 10 vitet e fundit.
Ai ka qenë një trajner i suksesshëm për 9 vjet me skuadrën përfaqësuese të moshave deri në 16 vjeç. Në Irlandë, këta 16 vjeçarë janë radhitur në 16 skuadrat më të mira të kontinentit. Së fundi ka qenë trajner i Flamurtarit dhe është tërhequr, siç thotë ai, “pasi u krijua një klimë e pakëndëshme dhe s’kisha sadisfaksionin e nevojshëm që të shprehja idetë e mia”. Në fillimet e tij me topin e futbollit me pionerët e stërviti trajneri, Eqrem Kushta e më pas, me të rinjtë e Flamurtarit Vasillaq Ndini. “Kam qenë 17 vjeç e gjysëm kur më mori me të rriturit Isuf Pelingu, trajneri që kam një respekt të madh. Zhvilloheshin disa ndeshje kupash në Vlorë, ku merrnin pjesë skuadra e Flamurtarit, Tomorri, Traktori, Apolonia. U aktivizova disa herë. Ndërkohë ndeshja ime që e kujtoj si fillim tim, ka qenë një miqësore me Tiranën ku luante edhe Enver Shehu në vitin 1961. Në fund u anullua ndeshja për shkak të eklipsit që errësoi plotësisht fushën e lojës. Specialistët më inkurajuan si deputues i suksesshëm”,- thotë legjendari i futbollit vlonjat. “E pashë teksa luante në plazh kur ishte i ri Mexhitin rreth 15-16 vjeç. Kishte fizik të bukur, përdorim topi mjaft të mirë për atë moshë dhe më ra në sy talenti i tij i madh. Më thanë të mos e marr, se e ka babain e arratisur, por unë vendosa ta marr. Erdhi edhe një ekip pune nga lartë për ta hequr Mexhitin, por unë nuk u pajtova me ta, me mendimin se Mexhiti kishte një të ardhme të madhe për futbollin shqiptar. Luante për shokët, topin e përdorte shkëlqyer, godiste në të gjitha pozicionet, me të dyja këmbët, triplimet i kishte zik-zak, lëvizjet trupore të mrekullueshme dhe ishte një golëshënues i aftë.
Ka qenë një futbollist i madh e njeri i jashtëzakonshëm”, shkruan në kujtimet e tij, një prej ish-trajnerëve të tij Isuf Pelingu. Tek Partizani luan 3 vjet, por me ndërprerje, sepse biografia herë e çonte në repart pune në Lushnjë, herë në Vlorë dhe e rikthente sërish sipas valëve të luftës së klasave. Mesfushori e sulmuesi i avancuar fantastik thotë, se mjedisi i klubit dhe i sportdashësve ishte i ngrohtë, ndërsa lart jo. Ai përjashtohet një vit, në vitin 1966-67 nga futbolli. Shkaku? “Në Kinë bëhej revolucioni kulturor dhe unë në gusht-shtator hiqem nga Partizani bashkë me atletin Naim Kryeziu, që u vra më 2 prill 1991 në Shkodër e një shtangist tjetër”. Mexhiti kujton ndeshjen me Irlandën e Veriut kur topi i goditur prej tij përplaset në dy shtyllat vertikale dhe për çudi rikthehet prapë në fushë, ndërsa Anton Mazreku e komentonte për gol ku fjalët e tij”Haxhiu një pjellë e fantazisë të holl” janë përmendur disa herë. Të paharrueshme për të mbeten humbja në Shkodër 5:4, kur shënoi tre gola, njërin në gërshërë, kur rezultati ishte 5:1. Po ashtu fitorja 5:3 në Vlorë kundër Dinamos ku shënon dy gola shumë të bukur. “E kam brengë e merak mosaktivizimin me kombëtaren. Luajta vetëm tre ndeshje dhe në moshën 20-21 vjeç nuk më thirrën më. Luajta me algjerianët dhe pas tre ditësh nuk më thirrën me Hollandën. Dihet “shkaku”, biografia dhe babai i arratisur në dhjetor të 1944- vijon Mexhiti. Në Shqipëri ai ka idhull Boriçin dhe në botë Pelen e kishte ëndërr. Bashkë me gruan e tij, Fatbardhën e dy djemtë ish futbollistët Saimirin e Gertin, me nipër e mbesa jeton plot harmoni në Vlorë. Dëgjon Verdin, muzikë të trevave shqiptare, ndërsa sportin nuk e lë kurrë pas dore veçarisht futbollin. Kur ecën në rrugët e qytetit të Vlorës të gjithë i kanë gati fjalët përshëndetëse”Ju urojmë shëndet i madhi Mexhit Haxhiu “!
Pas 47 vjetëve takohet me babanë
Ishte viti 1991. Në Shqipëri kishin filluar ndryshimet demokratike. Mexhiti shfrtytëzon një vizitë sportive në Francë për të takuar babanë të arratisur nga Shqipëria në dimrin e ftohtë të vitit 1944 duke lënë pas në mes vuatjeve dhe përndjekjeve gruan dhe fëmijët e vegjël. Me shpirtin e lodhur nga dhimbja Dalip Haxhiu, jetoi 47 vjet në mërgim në Francë në qytetin e Versajës. Dalip Haxhiu ishte 72 vjeç kur në hapësirën e atij hoteli në Versajë në distancë ka njohur të birin duke i treguar me gisht, një miku të vet duke i thënë:” Ai atje qe po vjen është im bir. Është Mexhit Haxhiu”. Momente tepër prekëse , por të jetuara.
Monografia “Kartoni i kuq “
Ato çka u thanë më sipër ishin pak për të madhin Mexhit Haxhiu. Ai mirë e bukur i ka përcjellë kujtimet e tij në librin monografi të shkruajtur vetë në vitin 2015 me titullin intrigues “Kartoni Kuq”. Ky libër i promovuar atë vit ka sjell një interes të jashtëzakonshëm në opinionin sportiv. Askush nuk dinte mirë se poligloti Mexhit Haxhiu ka një pen të fortë dhe është një tregimtar i jashtëzakonshëm duke rrëfyer gjithçka deri në detaje. Në këtë monografi të shkruar thjesht e bukur përshkuhen shokët e fëminisë kur luante, të shkollës, shokët e skuadrave të Flamurtarit dhe Partizanit, trajnerët, tifozët që e mbështesnin, familja, qytetarët vlonjatë, ndeshjet dhe golat , vitet si specialist dhe trajner ku gjithëçka e jetuar dhe vlerësuar mes sakrificave të jashtëzakonshme ku fal talentit të tij i bëri sfidën më mirë diktaturës. E thënë qartë siç thotë vetë Mexhiti “Aty janë të gjitha dritëhijet e viteve të futbollit që kam luajtur “. Por shumë emocionues është dedikimi që Meshtri ju bën tifozëve dhe lexuesve kur shkruan se:”Jeta më ka lëkundur midis hijes dhe dritës, shpresës dhe mos shpresës. Ajo gjithëmonë duhet rifituar, sepse ka gjithmonë perëndime më të bukura se agimet. Kam përcjell shumë emocion, gëzim dhe dashuri në fushën e lojës dhe jam ndjerë i lumtur kur tifozët e mi më kanë pranuar në ylberin e futbollit shqiptar. Mirëpo, në librin tim e kam të vështirë për të dribluar, pasuar dhe gjuajtur me fjalë”. Dhe ndodh kështu sepse “ Në Vlorën pranë detit kanë lindur poet e piktorë. muzikant dhe burra shteti! Pranë detit kanë lindur shkrimtarë edhe futbollistë “. Këtë togfjalësh e ka thënë Mexhit Haxhiu dhe i përkasin një Mjeshtëri të Madh siç është vetë ai .
Skeda Mexhit Haxhiu
Lindur ne Vlorë me 03.01.1943
Klubet ku ka luajtur: Flamurtari 1961-1963, 1967-1976: Partizani 1963-1966
Gola gjithsejt të shënuar 188. Ku 166 gola në kanpionate e kupa, 17 gola në ndeshje miqësore dhe 5 gola në ndeshje ndërkombëtare.
Trofetë: Kampion me Partizanin 1964’64; fitues i Kupës së Republikës 1966 (Partizani)
Ndeshja më e madhe: Shqipëri-Irlandë e Veriut 1:1, Tiranë 1965
Rolet: Sulmues i avancuar te Flamurtari, mesfushor i avancuar te Partizani dhe në Kombëtare
Vlerësuar: Mjeshtër i Merituar i Sportit, 1990; Nderi i Sportit Shqiptar, 2000; Fitues i anketës “10 sportistët më të mirë të Shqipërisë” 1972; Fitues në 11-shen më të mirë të 55 kampionateve shqiptare; Medalje ari në Vlorë “Futbollist i Shekullit”. “Medalje Meritës“ –Partizani, “Qytetar Nderi Vlorës”, “Nderi Qarkut Vlorë”,”Mjeshtër i Madh”.