Moisi Dalipi: Ja çfarë la pas java futbollistike në Shqipëri

532
Sigal

Moisi Dalipi

 Ja çfarë la pas një javë futbollistike në Shqipëri

Në të gjithë vendet e botës ditët e fund javës janë të mbushura me aktivitete sportive. Edhe në vendin tonë Shqipëri, mund ta quash një fundjave të tillë, edhe pse pak kush është në gjendje të thotë se sa aktivitete sportive dhe sa sportiste janë të angazhuar në këto aktivitete. Një vështrim i shpejtë, jo shumë larg në kohë, por në javën e kaluar të bën të thuash se ditët e fund javës i mbushin vetëm ndeshjet e futbollit në tre kategoritë e tij dhe me të gjitha moshat dhe të dy gjinitë; meshkuj dhe femra , basketbollit dhe volejbollit meshkuj dhe femra me të dy moshat të rritur e të rritura dhe të rinj e të reja. Por duhet thënë se vetëm kaq ka, sepse aktivitetet e tjera tashmë janë harruar plotësisht ose për arsye financiare zhvillohen me sistem grumbullimi, ku askush nuk e di saktë, se kur dhe ku organizohen këto aktivitete. E pra fund java në Shqipëri është e tëra e ngarkuar me ndeshje futbolli. Dikush mund të thotë, se futbolli është sporti më popullor , ndaj ndodh kështu edhe në Shqipëri. Kështu me ose pa dashje harrojmë të themi, se sporti ushtrohet dhe me çiklizëm, me not, me minifutboll dhe hendboll, me qitje dhe mundje, me boks dhe gjimnastikë e të tjera lloje sporti që tashmë në Shqipëri shumë prej tyre janë shndërruar thjesht në sporte të së kaluarës, edhe pse sporti i çdo lloji qoftë, ai është pjesë e jetës dhe i shërben shumë asaj. Gjithsesi po të kthehemi edhe tek futbolli shikohet qartë se ka shumë defekte dhe detaje, të cilat të bindin, se edhe kjo garë sportive në shumë raste nuk të fal emocione që të largojnë stresin e përditshëm dhe të argëtojnë, por të bën nervoz dhe të shtyn drejt urrejtjes për të. Dhe ndodh kështu, sepse gjithçka fillon që me organizimin e asaj që ndryshe i themi java sportive e futbollit. Dhe, meqenëse jemi tek organizimi, të gjithëve u ka rënë në sy, se java e dhjetë dhe njëmbëdhjetë e Kategorisë Superiore është zhvilluar në tre ditë; të shtunë të diel dhe të hënë. Vërtet, një çudi kjo dhe shpikje e tipit shqiptar, sepse në një kampionat me dhjetë skuadra si askush në Ballkan, pesë e ndeshjet që ka çdo javë po zhvillohen në tre ditë. Por jo vetëm kaq nuk mbaron këtu, sepse edhe ndeshjet e javës ardhshme, ato të javës të dymbëdhjetë do zhvillohen sipas këtij formati me tre ditë, por me të vetmin ndryshim se këtë radhë ato do të zhvillohen; të premten, të shtunë dhe të diel. Po t’i shtosh këtij fakti dhe atë që oraret e zhvillimit të ndeshjeve ndryshohen si pa të keq, sa herë që dikush e kërkon dhe mendon ndryshe, me të vërtetë krijon bindjen, se ky lloj organizimi i kampionatit nuk është gjë tjetër, por një çorganizim që nuk njeh as kalendarin e sezonit të hartuar dhe miratuar nga vetë F.SH.F.- ja. Ja shikoni javën e kaluar që ishte dhe java e njëmbëdhjetë:

Më parë është zyrtarizuar se do fillonte të premten, me ndeshjen Teuta-Tirana, por në fakt ndryshoi dhe u zhvillua të shtunën së bashku me ndeshjen tjetër, atë të Skënderbeu –Laçi, për të vazhduar ditën e diel më ndeshjen Kukësi-Flamurtari dhe Partizani –Luftëtari dhe është mbyllur ditën hënë në mbrëmje me ndeshjen Vllaznia –Bylis. Duke kërkuar arsyet, përse ndodh kështu, shpesh të vihen përpara arsye nga më ndryshmet, duke filluar nga justifikimi se Kukësi nuk ka fushë ku të luajë ose, ajo që nuk mund quhet as arsye dhe as justifikim për ndeshjen Vllaznia –Bylis, se barit i rimbjellë në fushën e stadiumin “Loro Boriçi” i duheshin dhe 24 orë të tjera për të qenë i përshtatshëm për ndeshje. Një arsye kjo që pak kush e beson, se mund të jetë e tillë, kur vihet përballë faktit se edhe javën e ardhshme ndeshjet e saj do zhvillohen po në tre ditë, nëse nuk ndodh si dhe herë të tjera që të dalë dikush dhe t’i ndryshojë ato. Por prapa këtij organizimi, arsyeja që me drejtë mund të quhet, se është ajo më kryesorja, është e lidhur më të drejtën televizive të transmetimit nga platforma sportive Super- Sport. E thënë më qartë; ditët dhe oraret e zhvillimit të ndeshjeve nuk i cakton kalendari zyrtar, por e drejta televizive. Kjo mënyrë organizimi që bëhet gjoja në emër të marketingut sportiv duket se dikton futbollin deri në detaje. Po kujt i shërben kjo mënyrë marketingu, kur në ditët dhe oraret që zhvillohen ndeshjet nuk shkon kush në stadium. Më mirë se kushdo këtë gjë e vërteton numri i pakët i tifozëve në ndeshje. Dikush mund të sjellë si argument faktin se edhe vende të tjera i zhvillojnë ndeshjet e kampionatit tyre në tre ditë, por harron të thotë se ato vende i kanë skuadrat të angazhuara dhe Kupat e Evropës dhe nuk kanë kampionatin e tyre të limituar me dhjetë skuadra, por me 12 , 14, 16, 18 dhe 20 skuadra. Kjo është një nga veçoritë e para që la pas java e kaluar futbollistike e Kategorisë Superiore në Shqipëri, sepse për të tjera mund të shtojmë dhe rezultatet dhe klasifikimin që janë këto:

Skënderbeu 1-4 Laçi

Gripshi 6`/ Lushkja 25`, Nuabueze 48`,83`, Xhixha 63`

Teuta 1-1 Tirana

Hoxha 90`+2`/ Ngo 19`

Kukësi 1-0 Flamurtari

Daku 57`

Partizani 2-0 Luftëtari

Cinari 53` , Asani 56` (11 m)

Vllaznia 0-1 Bylis

Janku 16`

 

 KLASIFIKIMI
1 Partizani 11 6 3 2 14 7 21
2 Bylis 11 5 5 1 16 5 20
3 Tirana 11 5 3 3 19 12 18
4 Kukësi 11 5 3 3 14 8 18
5 Teuta 11 4 5 2 8 7 17
6 Laçi 11 4 4 3 18 11 16
7 Vllaznia 11 4 3 4 11 11 15
8 Skënderbeu 11 4 2 5 10 19 14
9 Luftëtari 11 1 3 7 6 21 6
10 Flamurtari 11 0 3 8 8 23 3

 

Dhe kur ke përballë rezultatet dhe klasifikimin nuk është vështirë të kuptosh se Partizani nuk po e lëshon “komandën”, që Bylis pas fitores në Shkodër nuk do i ndahet kreut, se Tirana me barazimin me Teutën ka humbur një shans për të qenë edhe më lart, se Kukësi është i kënaqur dhe me fitore minimale , por vetëm me qëllim që të rritet në klasifikim, se Laçi ka një ecuri tepër pozitive me trajnerin Cungu, se Vllaznia dhe Skënderbeu me humbjet e kësaj jave kanë treguar brishtësinë e tyre, se Luftëtari dhe Flamurtari vazhdojnë të jenë në zonën e ftohtë. Por futboll është luajtur dhe në Kategorinë e Parë të Dytën dhe në kampionatet e moshave U-19 dhe U.17 . ku dhe ato detajet e tyre kanë lënë gjurmë në javën futbollistike.

  • Kështu në Kategorinë e Parë, krye/ndeshja Erzeni-Korabi, e fituar 1-2 nga dibranët është shoqëruar me shkëmbin grushtesh midis futbollistëve, duke bërë që ndeshja të ndërpritet për më shumë se pesë minuta dhe një futbollist vendas është ndëshkuar me karton të kuq që në bankinë .
  • Në Kategorinë e Dytë skuadra e Selenicës së Vlorës nuk udhëton drejt Patosit , për arsye financiare, duke paralajmëruar kështu tërheqjen nga gara. Në ndeshjen në Berat, Tomorri 5-0 Përmeti, në minutën e 11` në fushë ka hyrë një qen duke qëndruar disa minuta tek porta dhe për çudi gjyqtari vazhdon ndeshjen. Në ndeshjen Këlcyra –Maliqi ka “luftë” në fushën e lojës, kur futbollisti vendas Aristidh Coli ushtron dhunë ndaj futbollistit mik Arlind Zaka, duke rikthyer në vëmendje atë ngjarje të hidhur që ka ndodhur në po këtë fushë, në vitin 2017, në ndeshjen me Përmetin , ku është dhunuar gjyqtari Alvi Paço dhe, për pasojë, janë dënuar me masa të ndryshme trajnerë dhe futbollistë, të cilët për çudi janë falur nga F.SH.F –ja .Në një ndeshje në Sarandë të U-17 midis Butrintit dhe Orikut, lojtarët miq janë dhunuar për t’i detyruar të mos fitojnë ndeshjen me çdo kusht, por të pranojnë barazimin 3-3. Në Kavajë në ndeshjen e U-19 Besa-Apolonia, ndeshja është zverdhur dhe skuqur nga loja e rëndë me tetë kartonë të verdhë dhe shtatë të kuq. Një rekord më vete edhe ky rast. Dikush mund të justifikohet se: “këto raste janë pjesë e futbollit të luajtur që do të ndëshkohen nga Komisioni Disiplinës”. Por duke e parë pak më shumë në brendësi dhe në detaje se çfarë lë pas një javë futbollistike në Shqipëri, kupton se këto fenomene janë të përsëritura dhe të pa ndëshkuara edhe më parë ashtu siç duhet, prandaj dhe ndodhin, duke prishur dhe njollosur garën, kampionatet dhe vetë futbollin e luajtur.