Moisi  DALIPI: Fusha e blertë  për familjen Gazheli

1312
Sigal

Kur  kërkon të portretizohen familjet e njohura lushnjare që kanë kontribuar fort në vite dhe dekada në futbollin  myzeqar, natyrshëm, krahas  familjeve shumë të njohura si ato Haxhiu, Bano, Shandro, Xhoxhi, Ceco, Mitrushi, do të përmendet dhe familja  Gazheli. Katër pjestarë të kësaj familjeje  në vitet  1960-2007,  me Jasinin, Lirimin, Petritin  dhe Judmirin, kanë qenë pjesë e skuadrave të futbollit  të ish-Traktorit , sot Lushnja. Një kontribut  ky shumë vjeçar, që sot mbahet gjallë nga trajneri i moshave të akademisë të futbollit lushnjar, ish-futbollisti  Judmir Gazheli. Dhe për gjithçka që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë në  fushën e blertë, në shërbim të futbollit, familja  Gazheli,  me vendimin nr. 55, datë 05.09.2006,  të Këshillit  Bashkiak  Lushnje është shpallur: “Qyetar Nderi i Lushnjes”,  me motivacionin: “Për kontributin e shquar në skuadrat e futbollit  të qytetit Lushnjes, për një periudhë të gjatë dhe nivel të lartë tekniko-taktik të treguar në fushën e lojës”. Mjafton ky fakt për të treguar qartë, se si kjo familje sportive,  ka vlerat dhe kontributet e saj në  rritjen dhe zhvillimin  e futbollit  në qytetin e Lushnjes. Pak kush e kishte menduar më parë që familja  çame e Cerciz Gazhelit e vendosur në  qytetin  myzeqar të Lushnjes, diku në vitin 1945, do të kthehej në vite, në një “dinasti” më vete  duke “prodhuar” katër  futbollistë  cilësorë  që me përkushtimin e tyre, kanë pjesën e punës dhe suksesit të tyre, në historinë  në futbollin  myzeqar.

“Mjeshtri i Sportit” Jasin Gazheli

Atë ditë të vitit 1995, kur në qytetin e Lushnjes shpalleshin për herë të parë në historinë  e futbollit  të qytetit, me titullin  “Mjeshtër Sporti”, gjashtë  futbollistët dhe pikërisht, Tajfur Shehu, Hajdar Sherifi, Mimi Xhoxhi, Kristaq Gogoni, Sami Shefa dhe Jasin Gazheli,  në  opinionin sportive,   ky akt është përshendetur nga të gjithë. Dhe ish futbollisti  i  “Traktorit” të Lushnjes  në vitet 1961 -1972,  Jasin Gazheli,  që e ruan  këtë si një ditë të veçantë të jetës tij,  këtë moment me nostalgjinë e moshës  thotë: “Më vjen mirë për vete dhe për shokët për këtë vlerësim, sepse për fanellën e skuadrës tone, për shumë vite kemi dhënë gjithçka nga vitet tona të rinisë tonë”. Ai duke kujtuar kujtimet dhe vitet e moshës  tregon gjithçka nga karriera e tij sportive. Dhe si të gjithë fëmijët e tjerë dashurinë  për futbollin e ka shfaqur në atë  fushë të vogël  lagjes vet me shokët  e fëmijërsisë së vet, Xhemal Xhemon, Karafil Beqon dhe Mehmet Nurcen,  kur me top prej lecke dhe më vonë atë top të vogël tenisi të siguruar nga ish-shoku  skuadrës, Idajet Haxhiu, do të  harroheshin të gjithë bashkë, për shumë orë të ditës  pas lojës futbollit. Dhe kur  ishte 15 –vjeç, trajneri Besim Ruli, do t’a bëjë pjesë të ekipit të Lushnjes.I fortë fizikisht, tepër i shpejtë  si një futbollist  që godiste saktë me të majtën, Jasini do shfaqte vlera si sulmuesi majtë. Dhe ndeshja e tij e  parë me fanellën  e “Traktorit”, do të jetë  në  moshën 17 –vjeçare, më 1961,  kundër  “17 Nëntorit” –Tiranës, në atë ndeshje të zhvilluar tek fusha e vjetër, ku së bashku me Iljaz Cecon, u bënë problematikë  për ekipin nga  kryeqyteti. Trajnerët  Adem Karapici, Fatbardh Delliallisi, Roza Haxhiu  shikonin tek ky djalosh i fuqishëm  tiparet e mira të një mesfushori –mbrojtës, ndaj i besonin hera- herës mbulimin  nga afër  të sulmuesve  të  forte  të kohës  si, Pano, Selamidani, Ibërshimi, Duro, Zaho, Vorfi, Hazhiu   e Hyka. Numri 6 në fushën e lojës, Jasin Gazheli, së bashku me Gogonin, Xhoxhin, Mitruhin, Caparin, Shefën, Pepën, Alikon, Naci, Gjecin, Sefën ,Stamon e të tjerë, ishin pjesë e asaj skuadre  të  “Traktorit “ në ato vite, që për 17 –vjet  rresht e mbajtën  ekipin e tyre në nivelet e larta të   futbollit shqiptar. Ky fakt e bën “Mjeshtrin e Sportit”,  Jasin Gazheli, të ndihet mirë dhe të shprehë konsideratën e vet kur thotë: “Me shokët luanim futboll me zemër dhe për qytetin, pa menduar  për shpërblimet që mund të merrnim. Shumë  prej  nesh  e kanë mbyllur  pa zhvilluar ceremoni për dorëzimin  e fanellës. Gjithësesi, nuk jemi mërzitur asnjëherë për  ato që i kemi dhënë futbollit. Tani gjërat janë shumë më ndryshe, të cilat  edhe  s’më pëlqejnë, kur shikoj që skuadra e qytetit tonë nuk   është pjesë e më të mirëve”, – ka mbyllur  rrëfimin e tij  mes  dashurisë  që mbahet gjallë  për futbollin,  Jasin Gazheli.

Dy vëllëzerit Lirim dhe Petrit Gazheli 

Ende pa e  mbyllur karrierën  si futbollist vëllai i madh Jasini , tek ekipi “Traktorit” në ato vite do afrohet një tjetër pinjoll i kësaj familje sportive, mesfushori  Lirim Gazheli. Shumë i shpejt dhe teknik në përdorimin e topit , ai do zhvillojë  vetëm  një  ndeshje, atë kundër Besës  në vitin 1971, sëbashku me vëllain  si pjesë  e “Traktorit”, sepse pastaj do të vazhdojë  fort e bukur në traditën  familjare në futboll. Edhe  në vitet e shërbimit  ushtarak,  kur  aktivizohet tek “Naftëtari”,  mesfushori  Lirim Gazheli,  do lerë mbresa të mira, por “Traktori” -Lushnjes mbeti  dashuria e tij deri në  vitin 1978,  kur krejt papritur dhe në kulmin e tij, u largua nga futbolli dhe shokët e skuadrës. Dhe gjithçka ishte një “thyerje disipline” në  mosparaqitjen  në  grumbullim me skuadrën në Divjakë, sepse drejtuesit e ish ndërmarrjes komunale ku punonte, nuk e lejonin. Kaq ka mjaftuar që ky mesfushor  potent, si pjesë e asaj skuadre që bënin pjesë Gjeci, Karame, Borizani, Cobani, Baballaku, Borizani e të tjerë t’i varte këpucët  në gozhdë  përpara kohe dhe jashtë dëshirës tij. Gjithsesi  atë vit,  të 1978-ës,  në skenë  do të dalë nga kjo familje sportive  një tjetër futbollist , vëllai tjetër, Petrit Gazheli. Plot 14 -vjet, në vitet  1978-1992,  Petriti do të jetë  pjesë e skuadrës verdhëjeshil të Lushnjës.  Në ndeshjen e parë  si mbrotjës  duke  mbuluar fort dhe  me kujdes  sulmuesin  Filjari  të “Lokomotivës”. Trajneri Mimi Xhoxhi  do t’i japë  atij gjithë besimin si pjesë e skuadrës parë. Në vitet  1986-1992,  do  provohet  si sulmes, duke rezultuar si një zgjidhje e duhur, sepse golat përcaktues të shënuar nga ana e tij, në shumë ndeshje , do i japin skuadrës siguri për mbijetesën në grupin e më të mirëve. Të qenurit për shumë vite si kapiten skuadre do t’i japin Petrit Gazhelit, motivimin e duhur në shërbim të skuadrës. Pas vitit 1992  deri me 1998, kur zgjedh të emigrojë  jashtë vendit, ai do t’i përkushtohet  tranjerit sportiv me skuadrat e moshave, deri dhe ekipin e parë të Lushnjes.  Gjithësesi, karriera  shumëvjeçare e Petrit Gazhelit  si futbollist dhe trajner  ka lënë mbresa në opinionin sportiv të qytetit të Lushnjës.

Tradita vazhdon me Judmir Gazhelin

Pak ditë më parë “Mjeshtri i Madh”  Iljaz Ceco,  do shprehej: “Unë kam luajtur pak kohë në Lushnje,  me Jasinin tek “Traktori”, por di të them, që ai  qytet, nuk  qëndron asnjëherë  bosh në rradhët e tij  pa pasur një pjestar të famniljes Gazheli”.  Dhe fakti i tillë është, sepse ende pa u larguar nga futbolli  Petrit Gazheli, në fushën e blertë del i nipi tij, Judmir Gazheli. Një mbrojtës shumë energjik, tipik, një “ fotokopje” e babait vet, Jasinit.  Plot 16 -vjet si futbollist  me Lushnjen , Albpetrolin , Egnatien dhe Bylysin në vitet 1993-2009.  Në çdo ndeshje në maksimumin e vet dhe me shumë vlera për skuadrën. Një futbollist që kujtimet  më të mira i ka  me  skuadrën e qytetit  tij, Lushnjen, sepse me atë  ka përjetuar vitet me trajnerin argjentinas Kempes, si dhe të tjerë me rradhë: Mimi Xhoxhin, Hasan Likën, Sul Demollarin, Ilir Gjylën dhe deri xhaxhin e vet Petritin, por  dhe për atë, që tek skuadër  ka arritur deri në nivelet e finalistit të Kupës. Judmir Gazheli ka 10 -vjet që drejton  Akademinë e Futbollit me moshat  “Lushnja 1920”. Janë 18 trofe të fituar  deri tani në aktivitetet  kombëtare dhe ndërkombëtare  nga skuadrat e moshave të kësaj akedemie. Por më e veçanta qëndron në atë se nga kjo shkollë  futbolli  po dalin  talente  plot cilësi, të  cilët  shumë shpejt do ta  kthejnë ekipin e futbollit  “Lushnja” në ato nivele të mira për të cilën kontribuan fort në vite dhe dekada pjestarët e familjes  futbolldashëse  Gazheli.