Moisi Dalipi
Kur ke përpara historinë e basketbollit shqiptar , je i detyruar me çdo kusht të qëndrosh tek vitet e historisë të suksesshme që ka kaluar ekipi i meshkujve të Partizanit. Dhe nuk janë pak , por 33 tituj kampion dhe 16 Kupa të Republikës, të fituara në kornizën e viteve 1951 deri 1996. Natyrshëm që në historinë e këtij, Partizani të madh janë personazhet e tij që plotë dritë rrezatojnë fuqishëm edhe sot me sukseset e tyre. Krahas emrave të Agim Fagut, Nikolin Palit, Kushtrim Zaçes, Edgar Priftit, Robert Kuqos, Gazmend Çaçit, Pjerin Bushatit, Artan Terihatit, Arben Fagut, e të tjerëve qëndron dhe ai i Kastriot Mushit. Specialistët dhe tifozeria e ish-skuadrës ushtarake të Partizanit e ka pagëzuar këtë, si një nga fanellat e “rënda”, të Partizanit të madh që ka bërë emër brenda dhe jashtë Shqiperisë. Në në vitet 1972 -1986 që janë dhe vitet kur Kastriot Mushi ka qënë pjesë e këtij Partizani, skuadra ka qënë kampion apsolut në fitimin e 13 titujve kampion kombëtar. Por jo vetëm kaq, sepse në këto vite kjo skuadër gjithësunduese e basketit shqiptar ka fituar 8 herë Kupën e Shqipërisë. Dhe nga llogaritë që bëhen karriera e tij 14 vjeçare 1972-1986 numëron jo pak, por mbi 700 ndeshje në kampionte kombëtare, për Kupat si dhe ndeshje ndërkombëtare për Kupat e Evropës dhe me ekipin kombëtar të Shqipërisë.
E pra, një karrierë brilante kjo e Kastriot Mushit, që ka brenda saj dashurinë për sportin e basketbollit , përkushtimin e tij për të qënë dikush në një skuadër të mbushur me emra të mëdhenj dhe deri tek dëshpërimi që ndien sot për ato çka përjeton për mbijetesë ai Partizan, që ju dha dhe i bëri emër shumë breza të sportistëve të tij. Dhe mes nostalgjisë për atë çka bërë për këtë skuadër, por dhe dëshirës për rrëfyer karrierën e tij sportive, Kastrioti tregon: “Unë kam lindur në Durrës dhe basketbollin e kam filluar në moshën 11 vjeçare në Fier, ku ishte transferuar familja ime. Nuk e kisha idenë e kësaj loje. Një ditë basketbollisti më i mirë i Apollonisë në ato vite Lirim Sinani, duke më parë shtatëlartë më mori në stërvitje me trajner Miço Gjinin. Shumë shpejt u dashurova me këtë loje, por pas një viti më doli një “problem” jo i vogël për kohën. Unë luaja me dorën e majtë dhe ndihesha keq që kjo të evidentohej nga tifozët. Këtu po të kemi parasysh që edhe në shkollë mësuesit të “dënonin”, po të shkruaje me dorën e majtë. Kështu pa mësuar akoma shumë elemente të basketbollit fillova të punoj për të përdorur dorën e djathtë, që me thënë të drejtën e kisha si “drru”. Në moshën 14 vjeçare fillova të luaj me Labinotin në Elbasan, meqënëse babai im u transferua me punë atje. Trajner ishte Shyqyri Hyskja i saktë dhe rigoros në punën e tij. Në moshën 15 vjeçare u aktivizova me ekipin e parë.
Atë vit Labinoti doli nga kategoria e parë dhe nuk kisha me mundësi të luaja basketboll në një nivel cilësor. U kërkova prindërve të më gjenin një mundësi për të ndjekur politeknikumin në Tiranë, kjo për të pasur mundësinë të luaja me ndonjë ekip. Trajneri Njazi Lleshi e mori vesh kërkesën time dhe më njoftoi që mund të luaja me Partizanin. Në fillim me të rinjtë, për shkak dhe të moshës time të re. Sigurisht ishte si ëndërr duke pasur parasysh që Partizani ishte kampion dhe për më tepër ndeshja me Oransoden e kishte ngritur në “qiell” në opinonin sportiv të kohës. Pra përfundova në shkollën ushtarake “Skënderbej” por vetëm për të ndjekur mësimet se pjesën tjetër e kaloja në klubin Partizani që u bë praktikisht shtëpia ime. Por kryesorja ishte që ekipi i basketbollit Partizani me trajner Astrit Greva dhe kapiten Fagun e madh dhe shumë emra të tjerë të mëdhenj të atyre viteve si Pali, Pëllumbi, Përmeti dhe më vonë Zaçe me shokë do të ishte për mua një shkollë e madhe jo vetëm e basketbollit , por edhe e jetës time. Disiplina e fortë dhe puna e palodhur me orë e orë te tëra shpërblehej me ndeshje të nivelit të lartë si në aktivitetet kombëtare dhe ato ndërkombetare”. Kështu Kastriot Mushi shumë shpejt do kthehej në një basketbollist të shquar të Partizanit të viteve 1972-1986 , duke u shndërruar njëkohësisht një nga basketbollistet më të shquar shqiptarë dhe dhe kombëtares shqiptare. Kampion me fanellën e kuqe me numrin 15 për 13 sezone, si dhe 8 Kupa të Republikës. Kështu në ato 14 vite Kastriot Mushi, fitoi aq shumë me Partizanin krahas basketbollistëve të tjerë ku mund të veçojmë emra si: Agim Fagu, Nikolin Pali, Kushtrim Zaçe, Edgar Prifti, Robert Kuqo, Gazmend Çaçi, Pjerin Bushati, Aleksandër Dheri, Artan Terihati, Arben Fagu, Medat Agolli, Sopot Lani, Vojo Progri, Vladimir Konomi, Ilir Cane, Valer Hoxha, etj. Përfaqësues i veçantë i disa gjeneratave cilësore të basketbollit shqiptar në ato vite. Ish-kapiten dhe lider i madh për Partizanin në disa sezone. Lider i vërtetë në fushën e lojës në shume drejtime.
Produkt “made in Partizani” dhe basketbollist që ka punuar me të tre trajnerët e mëdhenj të Partizanit në ato vite, me Njazi Lleshin, Qemal Shalësin dhe Astrit Grevën që e afruan dhe formuan si basketbollist që nga mosha 19 vjeçare, më 1972, me afrimin në skuadrën e parë të Partizanit të madh. Basketbollist tepër cilësor, ose një poëer forëard klasik, lojtar sulmues dhe mbrojtës në të njëjtën kohë i shkëlqyer poshtë koshit, përherë një ndër pikat më të forta të Partizanit në fushë, sidomos në luftën nën kosh. Simbol i numrit 15 që mbante në shpinë. Një numër simbol kjo 15-ta e Kastriot Mushit në fanellën e tij, që simbolizonte ndryshe dhe moshën e tij 15-vjeçare kur ka luajtur ndeshjen e parë zyrtare në një ekip baskebolli të Kategorisë Parë, siç ka qënë në ato vite “Labionoti” i Elbasanit. Të panumërta ndeshjet e mëdha të tij, si në arenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare. Dhe arshiva e tij sportive mbart më shumë se 700 ndeshje në Kupa e kampionate, por dhe në ndeshjet ndërkombëtare të shumta. Në ndeshjet për Kupat e Europës numëron rreth 35 ndeshje me Partizanin. Në shumë ndeshje, ai ka qënë një ndër pikat referuese dhe më të forta të skuadrës së kuqe. Ja çfarë kujton legjenda Gazmend Caci për një ndeshje të madhe, kur Partizani ynë luante kundra “Partizanit të Beogradit”, në kupën e Kampioneve më 7 Nëntor të vitit 1979. “Trajneri jugosllav Dushan Ivkovic i thotë trajnerit Shalësi, se Partizani kishte Kicanovicin shqiptar ne gjirin e tij, Mushin me nr15”. Dragan Kicanovic ishte ndër yjet e basketbollit europian, dhe në atë ndeshje ishte i dëmtuar. Mushi pikëshënuesi më i mire për Partizanin tonë me 20 pikë, në atë humbje minimale 98-101 ndaj “Partizan Beograd”, një nder ekipet më të forta të Europës në atë periudhë. E pra, një karrierë brilante sportive lidhur me klubin e basketbollit Partizani për plot 14 vite, duke qënë një nder ato fanellat e rënda për basketbollin e madh të Partizanit dhe Shqipërisë.
Një kapiten skuadre që për 12 vjet rresht nga viti 1974 ishte një shembull për të gjithë skuadrën. Shumë ndeshje të medha në arenën ndërkombëtare me Partizanin ku mund të veçohet dhe dueli i vjeshtës 1980 me “Eczacıbaşı SK İstanbul” ku Kastriot Mushi shënoi 44 pikë në të dy ballafaqimet duke qënë lider i vërtetë në fushë dhe si kapiten skuadre. Po ashtu për tu kujtuar ndeshja e tij e madhe ndaj “Squibb Pallacanestro Cantù” më 4 Nëntor 1981, ku së bashku me Cacin e Kuqon i bën rezistencë të fortë Cantusë, një ndër ekipet më të forta të kontinentit, madje atë sezon kampion i Europës. Pra kemi të bëjmë me një basketbollist të përmasave europiane, çka tregon se Partizani i atyre viteve, kishte realisht cilësi europiane, me individë si Kastriot Mushi, dhe brezi i artë i basketbollit të kuq, që diti të luante i barabartë në kupat europiane ndaj cdo ekipi.
SKEDA E KASTRIOT MUSHIT
Lindur: Në Durrës, më 28 janar 1953
Karriera sportive: Në vitet 1967-1969 “Labinoti” dhe 1969-1972 ekipi i të rinjve të “Partizanit” dhe 1972-1986 ekipi i të rriturve “Partizani”. Në vitet 1986-1991 trajneri i ekipit të të rinjve “Partizani”.
Numri në fanell: 15
Ndeshje të zhvilluara: Më shumë se 700 ndeshje për kampionte, Kupa Republike , ndeshje ndërkombëtare me ekipin kombëtar dhe “Partizanin” në Kupat e Evropës.
Suksese në sport: Ka fituar me Partizanin 13 herë titullin kamopion kombëtar dhe 8 herë Kupën e Republikes si 3 herë titullin kampion si trajner me ekipin e të rinjëve të Partizanit .
Vlersimet: “Mjeshtër Sporti”,“Mjeshtër I Merituar Sporti”,“Medalje Meritës” dhe “Mjeshtër i Madh “























