554
Sigal

Kapiteni i verdhebluve: “Rezultatet tona të dobëta, pasojë e ngërçit psikologjik dhe e fatit”

Skuadra e futbollit të Elbasanit po kalon një nga momentet më të vështira të historisë së vet, duke qenë shumë larg formës që pritet nga ky kamp. Me mbylljen e fazës së parë, verdheblutë janë shumë larg objektivave për ngjitjen në Superiore, aq sa tani edhe rrezikojnë të bien në Kategorinë e Dytë. Kapiteni elbasanas, Eriol Merxha, në një intervistë për “Telegraf” rrëfen sezonin që po kalojnë verdheblutë, ku pranon se nuk gjenden një moment të mirë. Ai shprehet se synimi vijon ende të mbetet Superliga dhe, me disa ndërhyrje të vogla në merkato, kjo skuadër do të rikthehet pretendente. Përsa i përket mundësisë për të rënë një kategori më poshtë, 33-vjeçari siguron të gjithë se kjo nuk do të ndodhë kurrë, pasi Elbasani ka aq potencial sa për të mos e lejuar këtë gjë. Në përfundim të fazës së parë, Elbasani grumbulloi 17 pikë, duke u renditur në vendin e 10-të, duke pasur në bilancin e tij 5 fitore, 2 barazime dhe 8 humbje.

   – Merxha, skuadra e Elbasanit e mbylli fazën e parë të Kategorisë së Parë, në një pozicion në të cilin nuk jemi mësuar aspak ta shohim, për vetë emrin dhe traditën futbollistike që ka. Si do ta komentonit?

 – Është e vërtetë, pasi ne nuk dhamë atë që pritej në këtë fazë të parë të kampionatit. Në fillim të edicionit, askush nuk e mendonte se ne do të ishim diku nga fundi i tabelës, por kështu e ka futbolli.

 – Sipas jush, cilat janë arsyet e asaj paraqitje të dobët?

 – Mendoj se, secili nga ne ka përgjegjësitë e veta, sepse nuk është vetëm gabimi i njërit apo tjetrit. Kur një skuadër nuk funksionon, do të thotë që është prishur një hallkë.

 – Problemi juaj kanë qenë më së shumti në ndeshjet në transfertë, pasi në shtatë takime nuk morët asnjë pikë. Ku qëndron problemi?

 – Ka qenë një nga sezonet më të dobëta përsa u përket transfertave. Mendoj se, ndeshje pas ndeshjeje ne vuajtëm nga një presion psikologjik, nga i cili nuk dolëm dot. Pastaj, është edhe çështje fati, sepse në disa ndeshje kemi merituar të merrnim të paktën një barazim dhe nuk e kemi marrë.

 – Pas përfundimit të fazës së parë, skuadra nisi përgatitjet dimërore. Sa do të ndikojnë ato te Elbasani?

 – Gjykoj se, do të na bëjë mirë, pasi vijmë pas rezultatesh negative. Merkato është pranë dhe ne duhet të bëjmë ndonjë ndërhyrje për të përforcuar grupin.

 – Në cilin repart duhet të ndërhyrë?

 – Jam i mendimit se, sa më shumë konkurrencë të ketë në skuadër aq më mirë është. Sikur në çdo repart të bëhej nga një ndërhyrje do të ishte shumë mirë. Por, duhen bërë ndërhyrje në lojtarë cilësorë.

– Elbasani në fillim të sezonit synonte Superligën, po tani mbetet më ky objektiv?

– Elbasani mbetet Elbasani dhe gjithnjë do të jetë një skuadër që do të synojë më të mirën. Kemi bërë gabime në fazën e parë, por në të dytën do të jetë ndryshe dhe ne besojmë deri në fund.

– Është folur se Elbasani rrezikon edhe të bjerë një kategori më poshtë, duke parë edhe renditjen. Si e gjykoni?

– Absolutisht jo, Elbasani nuk do të bjerë kurrë një kategori më poshtë. Vërtet mund të mos e arrijë objektivin e ngjitjes në Superiore, por kurrë nuk do të biem.

Kupa e Shqipërisë

Skënderbeu dhe Bylisi sot mund të prekin gjysmëfinalet

 Sot do të luhen katër ndeshjet e ditës së tretë të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë (dy për grupin A dhe dy për atë B), njëherësh edhe takimet e fundit për këtë vit futbollistik. Në aksion do të jenë çiftet Kastrioti-Skënderbeu dhe Kukësi-Shkumbini (nga grupi A), si dhe Flamurtari-Laçi dhe Bylis-Teuta (nga grupi B). Skënderbeu dhe Bylisi kryesojnë me pikë të plota grupet e tyre.

 KASTRIOTI-SKËNDERBEU

Skënderbeu do të luajë sot në Krujë për të arritur suksesin e radhës dhe për të hipotekuar një vend për herë të nëntë në gjysmëfinalet e Kupës Shqipërisë. Lideri i kampionatit dhe finalisti i edicionit të kaluar i ka kaluar pa asnjë problem dy ndeshjet e para, duke fituar 4-1 me Shkumbinin (në Peqin) dhe

4-2 me Kukësin (në Korçë), duke marrë jo vetëm gjashtë pikë të plota, por dhe duke qenë produktiv në finalizim: tetë gola në dy ndeshje. Trajneri Mirel Josa ia ka besuar sërish sulmin dyshes së njohur Pero Pejiç-Sebino Plaku. Kastrioti, pas humbjes 1-0 në Kukës, shpërtheu në një fitore 4-2 ndaj Shkumbinit, çka e bën ballafaqimin me Skënderbeun shumë të nxehtë. Një fitore e kampionëve në fuqi, i çon ata automatikisht në gjysmëfinale, pasi sipas skemës kalojnë dy të parat e çdo grupi.

 KUKËSI-SHKUMBINI

Bora mund të shndërrohet sërish në aleat për Kukësin ndaj Shkumbinit, ashtu si në fitoren 1-0 ndaj Kastriotit në ditën e parë të çerekfinaleve. Edhe pse humbën 4-2 me Skënderbeun në Korçë, kuksianët nuk besojnë se peqinasit do të kenë fuqi t’i ndalin, pasi Shkumbini e ka deklaruar edhe më parë se nuk i intereson Kupa. Fakti që, ata i kanë humbur lehtësisht dy takimet e para me rezultat të thellë dhe më shumë gola (tetë të pësuar në 180 minuta) është dëshmia më e mirë.

 FLAMURTARI-LAÇI

Flamurtari do të përballet sot kundër Laçit për Grupin B, në ditën e tretë të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Kuqezinjtë janë me moral të lartë pas fitores 3-2 me Teutën në “Niko Dovana”, që përkoi me debutimin e trajnerit të ri, Ernest Gjoka, dhe u pasua me rikthimin si president të kryebashkiakut Shpëtim Gjika. Ky do të jetë edhe ballafaqimi i parë i Gjokës para ultrasve vlonjatë, ndërkohë që në ndeshjen e fundit në shtëpi, po për Kupë, Flamurtari humbi 1-0 me Bylisin, çka solli edhe shkarkimin e spanjollit Hulian Rubio. Vlonjatët dje u stërvitën në Pallatin e Sportit, kjo për shkak të motit të keq, ndërkohë që trajneri Gjoka kreu me lojtarët lojëra me dorë. Flamurtari dhe Laçi kanë nga tri pikë nga dy ndeshjet e para, kështu që sfida midis tyre është shumë e rëndësishme. Në ndeshjen e kampionatit ishte Laçi që fitoi 1-0 dhe këtë e dinë mirë futbollistët kuqezinj. Në dy ndeshjet e para, Flamurtari humbi 1-0 me Bylisin dhe fitoi 3-2 me Teutën. Nga ana e tij, Laçi fitoi 4-0 me Teutën dhe humbi 2-1 me Bylisin.

 BYLIS-TEUTA

Bylisi mund të hedhë një hap të sigurt në gjysmëfinalen e edicionit të 61-të të Kupës së Shqipërisë, nëse ballshiotët do të dalin fitimtarë në ballafaqimin me Teutën, që ende nuk ka marrë asnjë pikë nga dy ndeshjet e para. Bylisi i dretuar nga kosovaro-turku Naxhi Shensoj ka marrë gjashtë pikë të plota, duke mposhtur dy rivalët e parë: Flamurtarin (1-0) dhe Laçin (2-1). Një sukses i tretë do ta bënte reale ëndrrën e presidentit Besnik Kapllanaj për herë të parë në gjysmëfinale, pas pesë pjesëmarrjeve në çerekfinale të Bylisit, ndërkohë që sezonin më të mirë të saj, skuadra ballshiote e ka në edicionin 1998-1999, kur u rendit në vendin e tretë dhe fituar kështu një vend në Kupën UEFA. Teuta luan në “Adush Muça” shansin e fundit për të mbajtur gjallë shpresat për të qenë midis katër të mirave. Një humbje do të thoshte lamtumirë për tri herë fituesit e Kupës (1995, 2000, 2005).

KUPA E SHQIPËRISË

FAZA ÇEREKFINALE 

Grupi A

Java: 1

Shkumbini-Skënderbeu 1-4

Kukësi-Kastrioti     1-0

Java: 2

Skënderbeu-Kukësi    4-2

Kastrioti-Shkumbini  4-2

Java: 3

Kastrioti-Skënderbeu 14:00

Kukësi-Shkumbini           14:00

RENDITJA

1. Skënderbeu   2    2    0    0    6

2. Kukësi       2    1    0    1    3

3. Kastrioti    2    1    0    1    3

4. Shkumbini    2    0    0    2    0

Grupi B

Java: 1

Flamurtari-Bylis           0-1

Laçi-Teuta          4-0

Java: 2

Teuta-Flamurtari           2-3

     Bylis-Laçi           2-1

Java: 3

Flamurtari-Laçi      14:00

Bylis-Teuta          14:00

RENDITJA

1. Bylis        2    2    0    0    6

2. Laçi         2    1    0    1    3

3. Flamurtari   2    1    0    1    3

4. Teuta        2    0    0    2    0

Sebino Plaku, drejt Polonisë

Sebino Plaku, me shumë mundësi po zhvillon seancat e fundit stërvitore me ekipin korçar, pasi mund të transferohet në Poloni te Slask Vroclav, që drejtohet nga Stanislav Levi, ish-trajneri i Skënderbeut. Sulmuesi 25-vjeçar, pranoi se dy klubet janë në bisedime për arritjen e një marrëveshjeje, por ai vetë nuk di shumë detaje. Plaku pret të bisedojë edhe me presidentin e Skënderbeut, Ardian Takaj, menjëherë pas ndeshjes së Kupës së Shqipërisë me Kastriotin, që është e fundit për këtë vit kalendarik. Bisedimet mes Skënderbeut dhe skuadrës polake Slask Vroclav, i atribuohen pikërisht trajnerit Stanislav Levi, i cili e ka pëlqyer shumë Plakun gjatë eksperiencës së tij në kampionatin shqiptar. Plaku ka pasur një eksperiencë të shkurtër në Norvegji, ndërsa në Shqipëri ka luajtur me Apoloninë, Partizanin, Besëlidhjen, Tiranën, Flamurtarin dhe tani me Skënderbeun.