Identifikimi dhe votimi elektronik, Spahiu: Kështu nuk do të “votojnë të vdekurit” në 25 prill

154
Sigal

“Identifikimi dhe votimi elektronik janë jo vetëm detyra që rrjedhin nga marrëveshja e 5 qershorit, por domosdoshmëri për rritjen e standardeve dhe besueshmërisë së procesit zgjedhor në tërësi.

Të paktën identifikimi biometrik shmang disa fenomene negative që janë vënë re në të kaluarën si votimi familjar ose votimi i dikujt për dikë tjetër që është emigrant ose nuk jeton më fare.”

Kështu shprehet kreu i LSI-së Tiranë, Përparim Spahiu për zgjedhjet e 25 prillit.

Spahiu shkruan në rrjetet sociale se duhet garantim i zgjedhjeve të lira, duke shtuar se identifikimi dhe votimi elektronik duhet të përfshihet, pasi do të shmanget votimi familjar, apo votimi në emër të dikujt që nuk jeton më.

Postimi i plotë:

Standardet e zgjedhjeve janë fondamentale për besueshmërinë e njerëzve tek ky proces i rëndësishëm demokratik. Garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme janë në themel të një shteti funksional demokratik.

Identifikimi dhe votimi elektronik janë jo vetëm detyra që rrjedhin nga marrëveshja e 5 qershorit, por domosdoshmëri për rritjen e standardeve dhe besueshmërisë së procesit zgjedhor në tërësi.

Të paktën identifikimi biometrik shmang disa fenomene negative që janë vënë re në të kaluarën si votimi familjar ose votimi i dikujt për dikë tjetër që është emigrant ose nuk jeton më fare.

Institucionet duhet të bëjnë ç’është e mundur për të respektuar të paktën këtë pikë të marrëveshjes së 5 qershorit. Shmangia e anomalive dhe parregullsive të procese të mëparshme zgjedhore është detyrë ndaj popullit shqiptar.

25 prilli është një referendum, pasi ka rëndësi jetike për të ardhmen e vendit. Që nga ajo ditë, nisim të shtrojmë rrugën e Shqipërisë europiane, ku shteti i përket qytetarit dhe jo pushtetarit.