Moisi Dalipi: Alfred Ferko, mesfushori që “vallëzonte” me topin

216
Sigal

Moisi Dalipi
“Mjeshër i Madh”  
“Në ndeshjet e Flamurtarit, veçanërisht në ato për Kupat e Evropës, në vitet 1985-1987 në vitet me Partizanin e më vonë me Dinamon, si dhe ekipin tonë kombëtar kam ndjerë një kënaqësi të veçantë, kur shikoja që mesfushori Ferko “vallëzonte” aq bukur me topin gjatë ndeshjes “-kujton komentatori Ismet Bellova. Në Vlorë dhe jo vetëm, e kujtojnë mirë mesfushorin e viteve të arta të Flamurtarit, futbollistin e dashuruar fort pas topit Alfred Ferko. Sa herë që gjatë lojës do të binte në kontakt me topin si me magji sfera e rrumbullakët do t’i bindej dëshirës së tij. Ai kishte një përpunim të bukur që gjithkush kur e shikonte në fushën e lojës i dukej se Ferko “vallzonte” me topin.

Një spektakël të vërtetë dhuronte që në stopin e topit, në përpunimin e tij, në driblimet plot elegancë dhe pasimet plot finesë, duke e dërguar topin aty ku dëshironte ai. Kur këto veprime i shoqëronte me lëvizjet e bukura të trupit të gjithë në stadiumet e futbollit do ta vlerësonin Ferkon , si një pjellë të fantasizë të hollë në lojën e topkëmbës. Dhe kur këto vlera të gjitha bashkë i shërbenin aq mirë lojës të skuadrës, saqë futbolli Flamurtarit në ato vite, kënaqte dëshirat e sportdashësve me nivelin e treguar dhe rezultatet e tij. Specialistët e atyre viteve do t’i vlerësonin veprimet e tij me topin si cilësi dhe vlera të lindura bashkë me dëshirën për të luajtur futboll. Të tjerë shkonin më tej kur thoshin:” se këto cilësi janë ndërthurur deri në perfeksion edhe nga puna në stërvitje”. Tani që edhe pse kanë kaluar afër 30 vjet që Alfred Ferko është larguar nga fusha e lojës me nostalgjinë e moshës ai kujton:-” I dëgjoja shpesh këto vlerësime dhe diskutime, por asnjë herë nuk kam dashur të vlerësoja veten time. Unë që kur kam qënë fëmijë në sheshin përballë pallatit që banoja në lagjen time të dashur Partizani të Vlorës, kaloja me orë të tëra duke luajtur futboll me shokët. Unë ndryshe nga shokët kisha shumë dëshirë ta mbaja sa më gjatë topin dhe dribloja  do lojtar, që më dilte përpara. Një ditë kur më pa babai duke luajtur më mori veçmas dhe më tha : “Mirë bën që e përkëdhel aq mirë topin, por duket që çdo veprim që kryen duhet t’i shërbejë skuadrës. Futbolli është lojë kolektive dhe çdo veprim i bukur merr vlera kur skuadra merr rezultat”. Dhe më poshtë shton:” Sa herë që stërvitesha ose kur isha në ndeshje, në vitet që luaja futboll, këto fjalë nuk i kam harruar asnjëherë, madje përqëndrohesha më shumë për t’i zbatuar ato me punë dhe gjithë talentin tim”.

Komentatori i njohur sportiv Ismet Bellova kujton: ”Unë kam pasur fatin t’i komentojë babë e bir nëpër ndeshje të ndryshme. Musai ka qënë i ëmbël me topin, por i biri Fredi më detyronte shpesh t’i zgjidhja fjalët që do thoshja për të shumë orë përpara se të zhvillohej ndeshja. Në ndeshjet e Flamurtarit, veçanërisht në ato për Kupat e Evropës, në vitet 1985-1987, në vitet me Partizanin e më vonë me Dinamon, si dhe ekipin tonë kombëtar kam ndier një kënaqësi të veçantë, kur shikojaqë mesfushori Ferko “vallëzonte” aq bukur me topin gjatë ndeshjes. Fjalët e mira e të zgjidhura nuk i kam kursyer për të, por përsëri kam menduar se nuk i kam thënë të gjitha”. Dhe për të arritur në këtë portret kaq shumë simpatik si futbollist, gjithçka për Alfred Ferkon fillon që nga dashuria dhe pasioni për lojën e magjishme të futbollit kur ka që në moshën 12 vjeçare duke filluar të aktivizohej me ekipin e futbollit të fëmijëve të Vlorës, me trajner Niqifor Thomain. Shtatlartë, elegant në veprimet me topin dhe tepër i shpejtë në organizimin e kundërsulmit ishin disa nga cilësitë e këtij futbollisti të ardhshëm. Në moshën 17 vjeçare Ferko kalon tek ekipi të rinjve të Flamurtarit ku së bashku me Luan Bircen, Krenar Mingën, Përparim Troqen, Alfred Ziajin, Latif Gjondedën dhe të tjerë, do të krijonin një ekip simpatik, që shumë shpejt do ishte baza e Flamurtarit evropian. Vetëm një sezon tek kjo skuadër dhe në moshën 18 vjeçare do bëhet pjesë e Flamurtarit, që drejtohej nga Agron Sulo. Tek kjo skuadër do gjente figurat e njohura të futbollit vlonjat: Uran Xhafën, Endomond Licaj, Shemsi Zilen , Spiro e Leonidha Curin, Përparim Lushaj, Petro Rucin, Pano Xhahon, Vasil Bifshën, Kreshnik Cipin e Vasil Rucin.

Trajneri Sulo e pëlqente shumë lojën e Ferkos ndaj i bëri vend si titullar. Pikërisht pas atij sezoni Flamurtari nisi të kryhejë një rinovim të radhëve me prurjet më të reja dhe cilësore, të cilët me vlerat e tyre e rritën Flamurtarin në grupin e skuadrave më të mira. Në sezonin 1981-1982 Flamurtari i trajnerit Agron Sulo do klasifikohet i treti në klasifikim, duke fituar dhe të drejtën të marrë pjesë në Kupën Ballkanike. Mesfushori Ferko do luajë vetëm në një nga këto ndeshje si pjesë e Flamurtarit, atë kundër Mostar-Velezhit, sepse në vitet 1981-1983 do inkuadrohet tek Partizani i trajnerit Bejkush Birce. Justifikimi i kësaj skuadare të kryeqytetit me arsyen e kryerjes të shërbimit ushtarak bëri që talenti vlonjat të vishte fanellën e Partizanit përkrah Mustës, Berishës, Hysit, Lames, Starovës, Likës, Duros, Eksarkos e Mances. Pasi përfundon shërbimin ushtarak në verën e vitit 1983 Ferko rikthehet tek Flamurtari tij , ku ish futbollisti dhe më vonë trajneri i tij, Leonidha Curi do t’i dorëzonte fanellën me numërin 8. Në skuadër do t’i hapej menjëherë vendi i titullarit të mesfushorit të djatht. Në sezonin 1983-1984 Flamurtari do jetë i dyti në renditjen e përgjithshme, ku edhe Ferko kishte pjesën e tij në këtë sukses të skuadrës vlonjate. Në 8 shkurt 1985 Flamurtari fiton për herë të parë Kupën e Shqipërisë në atë ndeshje finale të fituar me rezulatin 2-1 kundër Partizanit. Por dhe dy sezonet e tjera rradhazi do jepnin Flamurtarit vendin e dytë në klasifikim si dhe të drejtën për të marrë pjesë në turret e Kupës të Kupave dhe Kupës UEFA. Kështu në vjeshtën e vitit 1985 Flamurtari do jetë përballë filandezëve të HJK-Helsinkit. Edhe pse humbet të dyja ndeshjet me rezulatet 1-2 dhe 3-1. Flamurtari fitoi përvojën e duhur që sezonit tjetër në turin e parë të Kupës UEFA në përballjet me Barcelonën në dy ndeshjet të marrë rezultatet që pak kush i kishte menduar më parë.

Në ndeshjen e parë në 19 shtator 1986 në Vlorë 1-1 dhe në të dytën më 1 tetor 1986 në Barcelona 0-0 tregoi forcën e Flamurtarit të madh që me paraqitjen e tij do linte gjurmët kuqezi në futbollin evropian. Cipi, Taho, P.Ruci, Iljazi, Ziaj, Gjondeda, Ferko, Ziu, V.Ruci, Bubeqi e Muça ishin një ansambël i jashtëzakonshëm. Duke dashur të veçojmë lojën e Ferkos në këto ndeshje sjellim në kujtesë atë aksion të bukur që nisi nga gjysëm fusha e tij, ku pas një vertikalizimi tek Gjondeda lindi krosimi për Vasil Rucin, që me atë gjuatje të kalibruar shkundi rrjetën e portierit spanjoll Zubizareta. Ndeshja e kthimit me rezultatin 0-0 kualifikoi për turin e dytë katalonjasit. Viti 1987 ishte i jashtëzakonshëm për Flamurtarin në pjesëmarrjet në Kupën UEFA. Në turin e parë eleminon Partizanin e Beogradit, në të dytin gjermano-lindorët e Vismut –Aue. Për herë të parë në ato vite një skuadër shqiptare arrinte deri në turin e tretë të Kupës UEFA. Dhe pikërisht shorti i këtij turni do ballafaqojë përsëri Flamurtarin me Barcelonën. Humbje 4-1 në ndeshjen e parë të 25 nëntorit 1987 në Barcelonë dhe fitore e bukur e Flamurtarit me rezultatin 1-0 në ndeshjen e kthimit në Vlorë më 9 dhjetor 1987. Goli i shënuar nga Kushta në minutën e 15`, ka ardhur pas atij krosimi tepër të kalibruar nga Ferko. Gjithsesi edhe pse skuadra vlonjate e mbyllte këtu pjesëmarrjen e asaj në këtë sezon evropian, Flamurtari tregoi klas të lartë, futboll plot vlera, ku të gjithë specialistët e huaj e kanë vlerësuar  “ si një skuadër të një qyteti të vogël shqiptar, por që shkruajti histori në atë sezon të Kupës UEFA. Natyrshëm që këtu kanë meritën e tyre të gjithë lojtarët, por mesfushori Ferko me futbollin e tij artistik është përballur me shumë sukses me mesfushorët kundërshtar, si serbin Klicevski, gjermanin Klaus dhe spanjollin Karasko.

Në sezonet 1988-1991 Trajneri Bejkush Birçe do ta bindë mesfushorin e talentuar Ferko të bëhet pjesë e Dinamos. Ai së bashku me Strakoshën , Demollarin, Vatën, Canaj, Abazaj, Milorin, Nogën, Tahirin, Dajën, Stafën e Bozhiqin do të rikthejnë skuadrën dinamovite tek fitimi i titullit kampion dhe trofeu i Kupës Shqipërisë. Në vitet 1985-1991 Ferko do  të veshë fanellën e ekipit kombëtar në 9 ndeshje. I shpejtë, teknik , plot fantazi me futbollin që prezantonte Ferko do të duartrokitej shumë herë nga sportdashësit mbrenda dhe jashtë vendit. Në sezonet 1991 -1994 mesfushori vlonjat Ferko do të jetë pjesë e skuadrës greke Panachaiki, duke treguar vlerat e një mesfushori bashkëkohor. Por vetëm kaq përsa i përket futbollit të luajtur, sepse në vitet që do pasojnë ai do t’i përkushtohet detyrës të trajnerit. Kështu në sezonin 2003-2004 drejton Flamurtarin, në 2004-2005 Eganatien për 14 ndeshje të vitit 2005 Shkumbinin dhe në vitin 2006 Teutën. Edhe pse tani, që mbi supe mban 62 vjeç Alfred Ferko nuk i ndahet futbollit. Ai ka disa muaj që ka marrë përsipër detyrën e drejtorit teknik tek Flamurtari i tij i dashur. “Motivimin dhe përgjegjësinë e ka maksimale për të dhënë gjithçka që Flamurtari të rikthehet në vendin që i takon në futbollin shqiptar” – mbyll prononcimin e tij plot nostalgji, Alfred Ferko, ky mesfushor potent që e ktheu futbollin e luajtur në një shfaqje të bukur artistike dhe fituese në ndeshje…