“Zëri është si fryma: nuk duhet të ndalet, sepse bashkë me të ndalet edhe jeta.” M.D.
Nga BUJAR QESJA
Kalendari qëndron në respekt. Mikrofonët heshtin për një çast, për të të përshëndetur ty – zë i rrallë i sportit shqiptar, Moisi Dalipaj, biri i Vlorës, krenaria e komunitetit çam, mjeshtër i fjalës dhe njeriut. Në një qytet ku ajri përzien kripën me historinë, ku flamuri i pavarësisë në zemër të Vlorës valëvitet krenar dhe zërat mbajnë gjallë kujtesën kolektive – aty ka lindur, më 25 qershor 1956, Moisi Dalipaj. 45 vjet përpara, një i ri me sy të vendosur dhe zë më shumë se timbër – kishte shpirt – u fut në botën e komentimit sportiv. Dhe s’u largua më. Nga valët e Radio Tiranës, në sallat e stadiumeve, në faqet e shtypit, e deri në ekranet televizive të ditëve të sotme, Moisi Dalipaj nuk u mjaftua të tregonte vetëm se çfarë ndodhte në fushë.
Ai kuptoi se sporti është më shumë se lojë: është histori, është psikologji, është emocion, është metaforë e jetës. Në qytetin ku lind dielli i Shqipërisë, ku fjalët kanë peshën e detit dhe krenarinë e flamurit, në Vlorën historike, më 25 qershor 1956 merr jetë Moisi Dalipaj – zë që nuk është thjesht i një gazetari sportiv, por një instrument i memories kombëtare. Ai është biri i atij qyteti ku sporti nuk është thjesht aktivitet, por pjesë e shpirtit qytetar. Një çam krenar, që me përulësinë dhe burrërinë që i karakterizon bijtë e Çamërisë, e ka bërë emrin e tij të jetë pjesë e pandashme e mikrofonit shqiptar. Fjalët e ngrohta, miqësia e ngushtë, humanizmi i pandalshëm Moisiu nuk është vetëm komentuesi, reporteri, shkrimtari – ai është njeriu që vjen gjithmonë. Në gëzim, në dhimbje, në përkujtime, në çaste të vogla dhe madhore. Është nga ata miq që nuk të telefonojnë për interes, por për kujtesë. Është ai që nuk mungon në një homazh, që nuk harron një përvjetor, që i shkruan dikujt vetëm për ta pyetur si është.
Në marrëdhëniet me kolegët, Moisiu është udhëheqës pa zë të lartë, por me peshë të rëndë. Mik i përhershëm i Defrim Methasanit e Erga Krujës, i Bashkim Tufës, Fatmir Eficës, Rrok Preçit, Isuf Myrtajt etj.zë i respektuar, mendim që peshon. Dhe mbi të gjitha: njeri që gjendesh, në gëzime, në hidhërime, në nderime. Vlora – rrënjë e shpirtit dhe frymëzim i pandashëm 69 vite jetë, nga të cilat 45 në mikrofon! Kush tjetër veç teje, mund ta mbajë me kaqdinjitet, zë të ngrohtë dhe frymë pasioni këtë rrugëtim të gjatë, ku fjala u bë top, topi u bë metaforë, dhe metafora – libër. “Topi në fushën time” nuk është vetëm një titull, por është vetë historia jote, është udhëtimi yt sportiv e njerëzor. Një libër që rri si kurorë mbi ballin tënd prej gazetari. Edhe pse ndodhet shpesh mes Vlorës dhe Tiranës, zemra e Moisiut është e ankoruar thellë në brigjet e Jonit. Vlora nuk është thjesht qyteti i lindjes, por burimi i karakterit të tij: krenar, i qëndrueshëm, por gjithnjë i dashur. Një çam me identitet të fortë dhe rrënjë të pastra, që përherë i mbetet besnik atdheut të vogël, pa harruar kurrë atdheun e madh. Për Vlorën, Moisiu ka shkruar me kompetencë për të gjitha sportet: futboll, peshëngritje, mundje, boks, not, volejboll, atletikë… Ai ka arkivuar histori që ndryshe do t’i rrëmbente heshtja.
Ai është një prej atyre, që e ka dokumentuar historinë sportive të Vlorës me përkushtimin e kronistit të lashtë, duke i dhënë zë atyre që s’kanë më zë, që i ka dhënë vend nderi atyre, që nuk kanë patur kurrë një pllakë përkujtimore. Vlora nuk është thjesht vendlindja – është përkufizimi i shpirtit të tij. Qyteti i valëve, i peshëngritësve, futbollistëve, mundësve dhe notarëve është burim i pashtershëm për Moisiun.
Ai ka shkruar për çdo sport të zhvilluar aty, duke sjellë në dritë të gjitha figurat që e kanë nderuar qytetin. Një luftëtar që nuk e njeh dorëzimin Në shtator të vitit 2021, jeta i vuri përballë një sprovë të rëndë: një masë e huaj, e rrezikshme, në fyt. Ishte kërcënimi më i madh për një njeri që ka folur gjithë jetën. Por Moisi Dalipaj nuk është prej atyre që i tremben sfidave. Me kurajo, me përkrahjen e familjes dhe miqve dhe mbi të gjitha me optimizmin që e ka gjithnjë me vete, ai hyri në sallën e operacionit si kampion duke ditur se loja nuk mbaron pa rënë bilbili. Kur një ftohje e thjeshtë tenton t’i trazojë zërin, ai e mbështjell fytin me kujdes, por nuk hesht.
Zëri i tij, ndoshta më i thellë, ndoshta më i përmbajtur, por kurrë më pak i vlefshëm, është sërish aty – për të komentuar, për të treguar, për të analizuar. Edhe, kur zëri i ligështuar përkohësisht e ndalon të komentojë ndonjë ndeshje, nuk mungon kurrë si i ftuar, si analizues, si mik që e njeh rrënjësisht çdo trajner, çdo skuadër, çdo dilemë që sporti ngre. Ai është i pranishëm – me mendje, me fjalë, me shpirt. Një familjar i përkushtuar dhe një gjysh i dashur Përtej mikrofonit, Moisiu është babai krenar i një djali dhe një vajze, por është sidomos gjyshi që e merr nipin për dore dhe e çon në stadium – jo vetëm për t’i treguar lojën, por për t’i treguar jetën. Nipin e ka si pasqyrë ku sheh vazhdimësinë, ku projekton të nesërmen e vetes së tij. Dhe ky raport, kaq njerëzor, është prova më e mirë se pas gjithë profesionit, pas të gjithë viteve të komentimit, pas të gjitha artikujve të shkruar – qëndron një zemër e ngrohtë, e papërtuar, që di të dojë, të japë, dhe të jetë pranë.
Moisi, je më shumë se zë – je kujtesë, je pasion, je frymë Në këtë 69-vjetor, ti nuk feston thjesht një numër. Ti feston një jetë me vlerë. Një jetë që ka folur për të tjerët, që ka ndriçuar emra, që ka mbajtur gjallë tradita, që ka përcjellë emocione. Në këtë përvjetor, miqtë e tu, kolegët, dëgjuesit dhe lexuesit të ngrenë urimin me shumë zëra: Jetë të gjatë Moisi Dalipaj! Zëri yt le të mos shuhet kurrë. Shëndeti yt, le të mbështillet me duart tona të miqësisë. Puna jote le të frymëzojë breza të rinj. Dhe mbi të gjitha – le të jesh gjithnjë ti: i qeshur, i gatshëm, i pranishëm, i paharruar.