Mjafton një gol i Shkurtaj, Kukësi thyen Bylis por penalltia tërbon ballshiotët

81

Kukësi nuk heq dorë nga titulli kampion, vijojnë të besojnë deri në fund, deri sa matematika t’ia lejoj, këtë e vërtetuan sërish, duke reaguar menjëherë pas humbjes së pësuar në Laç. Ekipi i Orges Shehit kaloi një nga kundërshtarët më vështirë, Bylis, një sfidë shumë e ndërlikuar e cila u zgjidh nga 11 metra distancë, një penallti që solli shumë polemika, e ekzekutuar saktësisht nga Vasil Shkurtaj. Me Vllazninë që e ka të pamundur të reagoj, as Bylis nuk shqetësohet shumë për kampionatin, zona “play out” duket e largët, po ashtu edhe europa. Verilindorët ishin më kërkues në fillimin e ndeshjes, në minutën e 18-të zbritën në zonën e Hidit me një aksion të bukur, me pasime të sakta, në fund Abazaj provoi me një goditje të ëmbël që shkoi ngjitur me shtyllën pingule. Kukësi kishte mundësinë më të pastër për të kaluar në avantazh në minutën e 30-të por Shkurtaj në kohë vonesë nuk arriti të devijoj topin në portën e boshatisur.

Momenti më i dyshimtë i sfidës, ishte ky në minutën e 36-të, ku Gavazaj pengohet në zonë, gjyqtari i takimit akordoi një penallti, aq shumë e kontestuar më pas nga ekipi ballshiot. Nga 11 metra distancë, Vasil Shkurtaj u tregua i saktë duke kaluar Kukësin në avantazh. Bylis luajti gjithçka për gjithçka në pjesën e dytë, duke iu afruar në dy momente golit të barazimit, fillimisht me Maçi në minutën e 61-të ndërsa 7 minuta më pas shpërdoruan një mundësi të pastër për të barazuar shifrat. Rezultati nuk ndryshoj deri në fund me Kukësin që merr një fitore e cila i jep më shumë besim për pjesën e mbetur të sezonit.