Mirel Josa: Fitorja me Serbinë detyrim, respekt edhe për tifozët kuqezi

27
Sigal

SHQIPËRI-SERBI/ Të shtunën ora 20:45 luhet sfida delikate për “Botërori 2026” në Grupin K, ish-mesfushori kuqezi Mirel Josa nuk mendon se do ketë ndikim politik në këtë përballje

Agron KAJA

Agron Kaja

Në Shqipëri, atmosfera kuqezi është përqëndruar për ndeshjen me Serbinë, si e vlerësoni këtë atmosferë?

Për mendimin tim, kjo situatë nuk është problemi i atmosferës, por sepse luan ekipi kombëtar që ka objektivat e veta në këto ndeshje kualifikuese për Botërori 2026 e nuk duhet të ketë ngarkesë. Kemi një atmosferë të zakonshme kur luan kombëtarja.

Serbia vjen në Shqipëri pas 10 vitesh, do ndikojë ky rezultat në përballjen e 7 qershorit?

Nuk besoj se ka ndikim, sepse çdo ndeshje ka specifikën e vet. Atëhere ishin kushte të tjera, ndërsa sot janë krejt ndryshe. Nuk ka asnjë lloj ngarkese, sepse lojtarët përqëndrohen te loja, ndërkohë shohin edhe zhvillimet e kundërshtarit.

Po atmosfera e ndeshjes së Beogradit më 14 tetor 2014, do ketë ndikim në lojë e në shkallët e stadiumit?

Edhe kjo ndeshje nuk ka ndikim në këtë përballje të së shtunës. Ajo sfidë u luajt në Beograd ku tifozeria serbe, droni që u hodh e të tjerë faktorë, e acaruan situatën. Lojtarët tanë patën mbështetje për flamurin, gjëra të zhvilluara nga droni.

Pse historia mes Shqipërisë me Serbinë është e tensionuar prej shumë kohësh, pse ndodh kjo me këtë fqinj gjeografik?

Në një ndeshje të tillë dhe me rregullat që kanë vendosur të dy federatat respektive, që në ndeshjet në Tiranë mos ketë tifozë serbë dhe në Tiranë nuk do ketë tifozë shqiptarë, kjo do jetë pozitive për ecurinë e ndeshjeve. Por do mungojë tifozeria.

Ndërkohë që në sfidën e 7 qershorit, bilanci Shqipëri-Serbi është i barabartë me nga 1 fitore seicila, do kenë ndikim shifrat?

Ne e kemi marrë fitoren 3-0 në tavolinë, dhe ajo nuk është njësoj si këtu që humbëm në fushën e lojës. Edhe të shtunën luhet në fushë, dhe ndikimi i këtyre shifrave nuk është problem. Rëndësi kanë gjëndjet e skuadrave ditën e ndeshjes.

Fakti që në stadium do jenë 22 mijë tifozë shqiptarë, do ndikojë te skuadra dhe te atmosfera kuqezi?

Tifozë ne i kemi patur në çdo ndeshje, me mbështetje të madhe. Por varet se sa e organizuar do jetë kjo tifozeri, pasi informacionet e fundit thonë se Tifogrupi nuk do të ketë mundësinë e organizimit në këtë ndeshje. Gjithsesi, tifozët tanë nuk janë problematikë. Më tepër jemi provokuar ne nga nacionalizmi serb.

Grupi K ku luan edhe Shqipëria ka luajtur dy ndeshje (veç Serbisë), si e përshkruan situatën në këtë grup në prag të ndeshjes së tretë?

Si situatë grupi, natyrisht që Anglia duket pretendente kryesore. Nëse marrim  pikët me Serbinë këtu, në ndeshjen e kthimit në Beograd varet si do zhvillohet ndeshja. Detyra jonë është të marrim fitoren këtu, pastaj të shohim vazhdimësinë.

Sa duhen marrë parasysh kompanitë e basteve në Europë, të cilat e favorizojnë Serbinë?

Unë nuk merrem me bastet, sepse shoh anën teknike, përbërjen e skuadrave dhe ecurinë e tyre. Për mendimin tim, nuk shoh favoritë në këtë ndeshje, e shoh si të barabartë ku lojtarët tanë nuk duhet të influencohen nga politika. Të luajnë futboll.

Në një këndvështrim të historisë së çdo skuadre në Grupin K, cilat skuadra i mendoni mendoni më pranë  kualifikimit?

Për momentin, në Grupin K favorite shoh vetëm Anglinë, ndërsa Serbinë e mendoj pak më të favorizuar se ne. Në Grupin K, unë mendoj se vetëm për vëndin e dytë do ketë luftë sportive, mes Shqipërisë dhe Serbisë. Uroj për Shqipërinë.

 

Thirrja e Dukës: Serbia, vetëm një kundërshtar sportiv

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka bërë thirrje që Serbia të vlerësohet si një kundërshtar sportiv, një ndeshje që pritet me interes të madh nga opinioni sportiv. Ai theksoi se synimi kryesor është arritja e një rezultati pozitiv, duke zhvilluar një ndeshje korrekte dhe në frymën e garës sportive. Gjithashtu, për shpërndarjen e biletave përmes shortit kompjuterik, Duka garantoi transparencë të plotë sipas standardeve të UEFA-s.

BILANCI SHQIPËRI-SERBI

Ndeshje të luajtura 2;  Fitore Shqipëria 1; Barazime 0; Fitore Serbia 1; Golat 2:3

 

“BOTËRORI 2026”

Kualifikueset-Grupi K

Ndeshjet-Shqipëria

Angli-Shqipëri                         2-0

Shqipëri-Andorrë        3-0

RENDITJA

Skuadrat        Nd       P

1.Anglia          2          6

2.Shqipëria      2          3

3.Letonia         2          3

4.Serbia           0          0

5.Andorra        2          0

Datë 7 qershor 2025

Shqipëri-Serbi 20:45

Datë 10 qershor 2025

Letoni-Shqipëri           20:45

Datë 9 shtator 2025

Shqipëri-Letoni           20:45

Datë 11 tetor 2025

Serbi-Shqipëri             20:45

Datë 13 nëntor 2025

Andorrë-Shqipëri        20:45

Datë 16 nëntor 2025

Shqipëri-Angli                         20:45

 

FORMACIONI I MUNDSHËM

Shqipëria: 1-4-3-2-1

 

Strakosha

 

Hysaj              Ajeti    Gjimshiti                    Mitaj

 

            Ramadani                              Laçi

Asllani           

 

       Asani                               Bajrami

 

                        Broja

Trajner: Silvinjo

 

Arbitrat e sfidës, bilbili italian Davide Massa

Edhe UEFA nuk ka munguar gjatë, por që ditën e enjte i ka bërë publikë arbitrat që janë besuar të drejtojnë sfidën Shqipëri-Serbi, e vlefshme për ndeshjet kualifikuese “Botërori 2026”, Grupi K kualifikues. UEFA ja ka besuar këtë sfidë italianit Davide Massa që të vendosë drejtësi të shtunën e 7 qershorit në “Arenën Kombëtare” në orën 20:45. Massa e ka drejtuar Shqipërinë vetëm një herë më parë, më 16 nëntor 2015 në ndeshjen miqësore Shqipëri-Gjeorgji 2-2, ndeshje, e cila u luajtë në ish-stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë. Ndërkohë, asistentët e Masës do jenë Filippo Meli dhe Ciro Carbone, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Fabio Maresca. Aleandro Di Paolo arbitër i VAR.