Migen Memelli: Pa asnjë paragjykim në parashikim, kjo është javë përcaktuese

42
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Migen Memelli, në fokus analiza e ndeshjeve të javës së 34-t

Agron KAJA

Cila është përmbledhja juaj e kësaj jave të 32-të me rezultatet që u arritën?

Të gjitha ndeshjet kishin të veçantat e tyre, u zhvilluan me garë të fortë. Por ndeshje surprizë unë mendoj se ishte Laçi-Skënderbeu 1-2 dhe Elbasani-Egnatia 1-2. Ndërsa tre të tjerat ishin të pritshme për rezultatet që u shënuan.

Nisur nga renditja, mund të themi se zona e mbijetesës është më e pa stabilizuar?

Po, se për deri sa janë pesë skuadra me pikë kaq të përafërta, besoj se kështu do shkojnë deri në javën e fundit. Them kështu, sepse që një skuadër nga këto të shpëtojë rënien, duhet të ketë 41 pikë. Ndryshe mbetet e rënë nga Superiorja.

Në mesjavë u luajtën dy ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, ndikuan te skuadrat?

Nuk mendoj se ndikuan, sepse të gjitha skuadrat kanë nga 25 lojtarë në përbërjen e tyre, duke patur alternativa që e përballojnë fizikisht ndeshjen. Në lojtarë të veçantë edhe mund të ketë ndikuar, por në skuadra jo.

Në katër javët e mbetura, e mendoni se do kemi ndeshje të paracaktuara, si Skënderbeu-Dinamo dy javë më parë?

Nuk kam asnjë paragjykim për asnjë ndeshje të kësaj jave, sepse verdiktet e fushës nuk mund të diskutohen më parë, ndryshe është një paragjykim që unë nuk e mendoj. Uroj që të kemi ndeshje normale, të forta e pse jo, të bukura.

Nga pesë ndeshjet e javës së 33-të, ju cilën e veçoni si sfidën më delikate e përcaktuese për çdo skuadër?

Nëse i referohemi kalendarit të javës së 33-të dhe këtë e lexojmë në renditjen e 32 javëve, them se të gjitha ndeshjet përcaktuese janë. Kryesisht për ato skuadra që renditen në zonën e mbijetesës, duke veçuar këtu Teuta-Laçi e Skënderbeu-Tirana.

Këtë javë luhen edhe dy ndeshje mes skuadrave të zonës “Final 4”, do ketë lëvizje në renditjen e tyre?

Edhe nëse lëvizin mes tyre, ato janë në “Final 4”, por këtu Partizani ka ndeshjen më finale për këtë zonë, sepse i duhet fitorja me Egnatian. Skuadra rrogozhinase është më e stabilizuar dhe luan pa presionin që do ketë Partizani.

Te ndeshjet e tjera, mendoni se do kemi ndonjë rezultat të pa parashikuar?

Duke ju referuar kalendarit dhe renditjes, në tre ndeshjet e tjera favorite duken skuadrat pritëse. Ndaj unë e përmenda më sipër që në parashikimin tonë nuk duhet të kemi paragjykime. Këto janë ndeshje përcaktuese për të gjashta skuadrat, ndaj edhe të gjitha luhen në një ditë dhe të njëtin orar.

Kësisoj, ju mendoni se pas kësaj jave verdiktet nuk do jenë të përcaktuara të gjitha, veç në zonën “Final 4”?

Edhe në zonën “Final 4” nuk kemi përcaktim të saktë të të gjitha skuadrave. Ndoshta Egnatia duket si më e stabilizuar, ndërsa të tjerat janë në dritëhije, kryesisht Partizani që rrezikohet nga AF Elbasani, pasi kanë diferencë 1 pikë mes tyre.

Dhe në tërësinë e të pesta ndeshjeve, këndvështrimi juaj cili është?

Një këndvështrim profesional. Që do të thotë se të gjitha ndeshjet janë për t’u ndjekur, do kemi një javë që në terminologjinë sportive përdoret si “Për jetë a vdekje”. Besoj se të gjitha do luajnë fort në fushë, sepse aty do ta gjejnë synimin që kërkojnë.

 

Panik dhe kaos, por Lulaj shtrihet përtokë

Momentet e kaosit pasi një tifoz i Egnatias ra nga tribuna e stadiumit në Rrogozhinë, përfshin edhe një ngjarje të turpshme që duhej shmangur me çdo kusht. Lojtarët e të dy skuadrave u afruan me shpejtësi për të ndihmuar tifozin e rënë nga tribuna dhe kërkuan ndërhyrjen e ambulancës, teksa dukej qartësisht shqetësimi që po përjetonin. Por në një moment kur disa futbollistë të Elbasanit po ndiqnin nga afër skenën kur tifozi po transportohej në ambulancë, Lulaj përfundoi i shtrirë në tokë. Që erdhi nga një send i hedhur nga tribuna përballë!

Stadiumi i ri, ogur kthese për mbijetesën e Tiranës

Në javën e 33-të të Abissnet Superiore, vëmëndje ka marrë “derbi” Tirana-Partizani, i cili për nga renditja e këtyre dy skuadrave, mendohej se do fliste për Partizanin. Në fund nuk ndodhi kështu, sepse Tirana e fito pastër dhe bindshëm 3-0. Kjo ishte një fitore mbijetese për bardheblutë, ndërsa gëzimi i tri pikëve nuk ishte me kaq. Tifozë të ndryshëm dje i kanë “bombarduar” rrjetet sociale, ku në këtë fitore vendosin si fat edhe projektin e stadiumit të ri “Selman Stërmasi”. Projekti i dizajnuar nga “OMA” që pret dritën jeshile për t’u vënë në zbatim bashkë me investitorët ndërkombëtarë e shqiptarë, do të jetë i kategorisë IV të UEFA-s, që do të thotë i gatshëm për të pritur ndeshje të niveleve më të larta, përveç finaleve shumë të rëndësishme që kërkojnë stadium me mbi 50 mijë vende. Këtë lajm ata e kanë quajtur si largimin e së keqes që po kalon Tirana në këtë kampionat.

Boksi në tribunë, e prishi syrin e keq të humbjeve

Në një nga ndeshjet më të mëdha të Abissnet Superiore për javën e 33-të, Tirana-Partizani, nuk kishte si të mungonin edhe të veçantat, që në këtë “derbi” deri diku dukej se do të merrnin mungesë. Në “Arenën Kombëtare” ishin të pranishëm 9391 tifozë, shifër trefish më e madhe se ajo e derbit të kaluar të luajtur që u luajt në “Arenën e Demave” të Partizanit. Këtë herë, tifozeria bëri që të heshtin rrugët e kryeqytetit, por nuk e bënë këtë brënda stadiumit, gjatë zhvillimit të ndeshjes. Sepse huqet e vjetra të tyre ende ishin të gjalla. Tensioni në tribunën kryesore ku disa persona u ndeshën mes tyre fizikisht, thirri në apel policinë, e cila i nxorri ata jashtë stadiumit. Dhe nuk mbaroi me kaq, sepse në minutat e fundit të ndeshjes, mjaft femra të pranishme në stadium, u larguan, dhe mes tyre edhe tifozë të tjerë.

ABISSNET SUPERIORE

Ndeshjet-Java 34

Datë 12 prill 2025

AF Elbasani-Bylis                   15:30

Vllaznia-Dinamo C                 15:30

Partizani-Egnatia                     15:30

Skënderbeu-Tirana                  15:30

Teuta-Laçi                               15:30

RENDITJA       

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Egnatia                     33        58

2.Dinamo City             33        55

3.Vllaznia                    33        52

4.Partizani                   33        47

5.AF Elbasani              33        46

6.Skënderbeu              33        36

7.Bylis                         33        36

8.Teuta                        33        35

9.Tirana                       33        35

10.Laçi                        33        33