INTERVISTA/ Sulejman Mema: Po luhet një Kampionat i fortë, deri në fund do të ketë rivalitet e luftë sportive

490
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” ish-mesfushori e trajneri i Tiranës, ja “skaneri” i tij për gjashtë javët e mbetura të Superiores
Gjashtë javë para përfundimit të Kategorisë Superiore, çfarë tregon për ju renditja në 30 javët e luajtura?
Mendoj se tregon një kampionat të fortë, si për skuadrat që kërkojnë të luajnë në Europë, ashtu edhe për ato që kërkojnë të mbijetojnë në Kategorinë Superiore. E thënë më qartë, po shohim një kampionat plotësisht Superior, duke e parë në të gjithë treguesit e tij.

Mendoni se në këto gjashtë javë të mbetura do të jenë në lojë 8 skuadra, apo më pak?
Natyrisht që 8 skuadrat kanë thuajse që në fazën e tretë që janë në lojën e synimeve të tyre. Përjashtuar Skënderbeun që asnjëherë nuk e ka diskutuar vendin e parë në renditje, njëherësh edhe Lushnjen e vendit të fundit, të gjitha të tjerat janë në garë, madje shumë të fortë mes tyre.

Cila është sipas jush dukuria më evidente e Superiores në këto 30 javë të luajtura?
Rivaliteti e lufta sportive janë ato më evidentet. Unë nuk mund të them se ky kampionat nuk ka edhe dukuri të tjera, por këto spikasin, dhe e kanë bërë tërheqëse. Duke qenë se 9 nga 10 skuadra janë në pikun e synimeve të tyre, ky rivalitet e lufta sportive do të jenë të pranishëm deri në javën e fundit.

Në këndvështrimin tuaj teknik, ku e mendoni më shumë rivalitetin në 6 javët e mbetura?
Rivaliteti do të jetë në të dy ekstremet e tabelës së renditjes, por ajo për mbijetesë do të jetë edhe më e fortë. Sepse po diskutohen në zbresin në Kategorinë e Parë dy skuadra me shumë emër në futbollin shqiptar, sikundër ndodhi në sezonin e kaluar edhe me Tiranën 24 herë Kampione e Shqipërisë. 

Ndërmjet Kamzës, Teutës e Vllaznisë, cilën prej këtyre skuadrave e shikoni si më të rrezikuarën për mbijetesë?
Për të tria: Kamzën, Teutën e Vllazninë, këto 6 javë kërkojnë një situatë për më shumë motivim prej tyre. Në sfidën e së dielës, Teuta-Kamza, do të vendoset më qartë se cila do të jetë njëra nga tre skuadrat kandidate për mbijetesë në Kategorinë Superiore.

Çfarë mund të presim pas ndeshjeve të javës së 31-të?
Të gjitha janë ndeshje të forta dhe interesante, duke përjashtuar takimin Lushnja-Partizani. Edhe Vllaznia e ka të vështirë sfidën me Laçin, ndërsa në Gjirokastër, Luftëtari ka mundësinë e afrimit me Kukësin, duke pasur parasysh që kuksianët luajnë në transfertë me Skënderbeun në Korçë.

Kjo formulë me 10 skuadra, është më efiçente për kushte e futbollit shqiptar?
Në gjykimin tim profesional, unë e theksoj se kjo formulë me 10 skuadra në përbërjen e Kategorisë Superiore, është më eficiente dhe më e mira. Kjo është formula që ka treguar më shumë rivalitet, ka treguar nivel më të lartë se formulat e tjera me më shumë skuadra. Për më tepër, me 10 skuadra progresi në futbollin tonë bëhet edhe më i prekshëm.
Rivaliteti e lufta sportive janë dukuritë më evidente në këtë Kampionat. Këto e kanë bërë tërheqëse Superioren, edhe për faktin se, 9 nga 10 skuadra janë në pikun e synimeve të tyre, dhe ky rivalitet e lufta sportive, do të jenë të pranishëm deri në javën e fundit.
Java e 31-të e Superiores, “bingo” për Partizanin, “ferr” në Durrës
Nisur nga kalendari i javës së 31-të të Kategorisë Superiore, do të kemi disa sfida shumë të nxehta, si për zonën në Evropë, është edhe në atë për mbijetesë. Kështu, në Gjirokastër ku do të përplasen Luftëtari-Flamurtari, luhet për Evropën dhe shanset më të mëdha i kanë gjirokastritët. Flamurtari nuk ka çfarë të humbasë, e do të japë gjithçka, minimalisht për të marrë barazimin. Vllaznia është në emergjencë pikësh, dhe ndaj Laçit do të kërkojë vetëm fitoren, edhe pse e dinë që kanë një kundërshtar të fortë që kërkon të luajë në Evropë për sezonin e ardhshëm. Për Partizanin, kalendari e favorizon në dy javë, 31 e 32, pasi luan në Lushnje e pret Teutën, ndërsa ndeshja në Korçë ku do të luajnë dy skuadrat kryesuese, parashikohet të jetë më e qetë në aspektin e rezultatit. Të gjitha ndeshjet e javës së 31-të do të do të luhen në dy ditë, të shtunën 28 prill dhe të dielën 29 prill 2018.
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 31-të
Të shtunën, 28 prill 2018 
Luftëtari-Flamurtari 16:00
Lushnja-Partizani 16:00
Të dielën, 29 prill 2018 
Skënderbeu-Kukësi 19:00
Vllaznia-Laçi 19:00
Teuta-Kamza 19:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 30 69
2. Kukësi 30 55
3. Luftëtari 30 47
4. Partizani 30 45
5. Laçi 30 43
6. Flamurtari 30 43
7. Kamza 30 37
8. Teuta 30 33
9. Vllaznia 30 33
10. Lushnja 30 10
Sigal