Trajneri i Vorës, Arjan Bellai: Ndjehem krenar dhe i respektuar për këtë skuadër

KATEGORIA E PARË/ Trajneri i Vorës, arkitekti i skuadrës që u ngjit në Superiore

Agron KAJA

Sigal

Skuadra e Vorës e siguroi ngjitjen në Abissnet Superiore tre javë para se të mbyllej faza e tretë e Kategorisë së Parë. Kryesimi i renditjes nga skuadra vorake për të treja fazat, solli që ngjitja të jetë e sigurt, e njëherësh të realizohet objektivi historik i kësaj skuadre. Por akritekti i kësaj skuadre, Arjan Bellai, “usta” për ngjitje të tilla, dje për gazetën “Telegraf”, para se të tregojë ndjeshmërinë e krenarisë, falenderon drejtuesit e klubit për besimin që i dhanë në drejtimin e skuadrës. “Unë ndjehem i respektuar nga drejtuesit e kësaj skuadre, të cilët më besuan në këtë arritje të madhe historike për Vorën. Mua do më mbetet në kujtesë kjo arritje, edhe pse të tjera kisha përjetuar në karrierën time, por si futbollist elite. Këtu e them me bindjen e një specialisti futbolli, se kjo arritje kishte si bazë forcën e grupit, krahas mbështetjes që ka patur skuadra në financa dhe në menaxhim”, kështu e nisi bisedën trajneri Arjan Bellai, i cili tregon më pas edhe rivalitetin me dy skuadrat që e kanë ndjekur në renditje nga java në javë. “Forcën e grupit e tregoi edhe rivaliteti që ne patëm thuajse gjatë gjithë kampionat, me dy skuadrat që na ndjekin në renditje, Besën e Flamurtarin. Edhe ne kemi humbur në këto tre faza, por humbjet e tyre kanë qënë edhe brenda fushës, ndërkohë që Vora vetëm jashtë fushës së saj humbi 3 ndeshje, barazoi 4 dhe fitoi 24 të tjerat. Pra, për ne është një bilanc që tregoi se ishim skuadra e pathyeshme për të qënë kryesuese, kryesim, të cilin e kemi merituar plotësisht”. Këtë javë, Vora do të luajë me Besën, dhe trajneri Arjan Bellai e quan atë një sfidë të rradhës për t’u fituar. “Nuk është ndeshje e veçantë kjo me Besën, është ndeshja e radhës, të cilën Vora e ka vlerësuar për fitore. Të dyja ndeshjet që kemi luajtur me kavajasit i kemi vlerësuar në maksimum, e këtu nuk kemi arsye tjetër që të ndryshojmë vijën tonë të fitoreve”. Në përfundim, Bellai shuan edhe një kurreshtje, lidhur me të ardhmen e Vorës në Abissnet Superiore, sa i përket stadiumit të tyre që nuk është i liçensuar për këtë kategori. “Asgjë nuk do të ndodhë ndryshe, kudo që Vora të luajë, si tifozeria, ashtu edhe skuadra do jenë në këto nivele si ky sukses”, ishte kjo biseda me Bellain, që kështu e mban të ndezur “pishtarin” e fitoreve të Vorës në këtë kampionat. Ndeshjet e javës së 32-të do të luhen të gjitha ditën e shtunë në ora 15:00.

LEGJIONARËT

Broja ende nuk e ka arritur formën në 100%

Me aktivizimin në Premierligë me Evertonin, sulmuesi i Kombëtares sonë Armando Broja, dje është shprehur për mediet sportive angleze, se ai tashmë është në 100% të formës së tij, duke menduar se dëmtimi tashmë i përket të shkuarës. “Ndihem shumë më mirë tani. Jam i lumtur që mund të futem në fushë dhe të luaj pa dhimbje. Kjo është çdo gjë që doja, të mos kisha dhimbje, të shijoj futbollin, të luaj përballë tifozëve dhe të provoj të bëj më të mirën për skuadrën.

Jam 100% i sigurt që ka shumë më tepër që mund të vijë prej meje. Më e mira nuk ka ardhur akoma. Mund të bëj shumë më tepër. Do të ketë momente kur golat të vijnë dhe do të luaj shumë më mirë, e sigurt”. Dhe për Brojën, tashmë gjëja më e rëndësishme është që u rikthye sërish, pa dhimbje, duke lënë pas çdo dëmtim që ka patur në të kaluarën dhe të shohë përpara. Kjo për të është pjesë e të qenit një futbollist.

Mbrojtësi kuqezi gjen golin pas 123 aktivizimeve

Mund të quhet një moment historik për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Jon Mersinaj, i cili në fundjavën e shkuar shënoi golin e parë në kampionat pas 123 ndeshjesh. Është një moment tepër special për të, i cili kështu e ka bërë “sefte” në elitën e futbollit kroat, duke gjetur golin e parë. Në sfidën kundër Osijekut, Mersinaj shënoi golin e parë në minutën e 75-të të ndeshjes, ndërsa skuadra e tij Shibenik humbi 1-4. Mersinaj është pjesë e kampionatit kroat prej sezonit 2019-2020, teksa deri në merkaton e janarit të këtij viti, mbajti veshur fanellën e Lokomotivës së Zagrebit, por pa mundur të shënojë asnjë gol, ndërsa në aktivizimin e tij të tretë me Osijekun gjeti rrugën e rrjetës. Në total, Mersinaj numëron 123 aktivizime në kampionatin kroat, teksa ky ishte goli i parë, ndërsa kujtojmë se ai është aktivizuar edhe 12 ndeshje në Kupën e Kroacisë dhe 1 në Europa League.

 

Tradhëti te Flamurtari? Idrizi thotë jo!

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, dje ka reaguar për ngjarjet që ndodhën ditën e shtunë në përfundimin e ndeshjes me Besën. Ai e cilëson të shëmtuar situatën, ku në fund tifozët u acaruan me festën e futbollistëve të Besës, si dhe ofenduan lojtarët e Flamurtarit. Idrizi me gjuhë zbutëse, i quan ndodhi të një klasikeje, që kur rezultati nuk është ai i pritshmi dhe i dëshiruari, shigjetohen nga të gjitha krahët dhe për çdo gjë dhe harrohet çdo gjë e mirë që ka bërë ky ekip. Këtu vetëm për tradhëti nuk ka vënd.

KATEGORIA E PARË

Ndeshjet-Java 32

E shtunë, 12 prill 2025

Flamurtari-Erzeni                    15:00

Besa-Vora                               15:00

Burreli-Valbona                      15:00

Pogradeci-Kukësi                    15:00

Kastrioti-Apolonia                  15:00

Lushnja-Korabi                       15:00

RENDITJA         

Skuadrat                    Nd       Pikë    

1.Vora                         31        76

2.Flamurtari                 31        69

3.Besa                         31        68

4.Burreli                      31        52

5.Pogradeci                 31        46

6.Apolonia                  31        43

7.Lushnja                    31        43

8.Korabi                      31        35

9.Kastrioti                   31        34

10.Kukësi                    31        28

11.Valbona                  31        16

12.Erzeni                     31        11