Mes kaosit ndaj Flamurtarit, arrin fitoren bindshëm Partizani

394
Sigal

Polemika, gola dhe emocione të shumta në duelin mes Partizanit dhe Flamurtarit në Kategorinë Superiore. Të Kuqtë kanë arritur që të fitojnë 3-1 ndaj vlonjateve, në një ndeshje që do të rezultonte një tjetër shfaqje e shëmtuar në këtë sezon.

Në minutën e 11-të, Asani dha një pasim fantastik në zonë për Bardhin, i cili e kishte të thjeshtë për ta shoqëruar topin në rrjetë. Flamurtari reagoi mjaft mirë duke u hedhur në sulm me aksione të rrezikshme, ndërkohë që Partizani provoi sërish me Asanin. Në minutën e 40-të, Andi Ribaj shënoi golin e barazimit, duke çuar shifrat në 1-1. Futbollistët e skuadrës vlonjate u rreshtuan para fotografit të tyre për të festuar golin në mënyrën e tyre tradicionale kohëve të fundit.

Gjithsesi kjo ka acaruar tifozët e “Të Kuqve”, të cilët kanë kaluar rrethimin dhe janë vërsulur drejt fotografit të cilin e kanë goditur dhe i kanë marrë aparatin fillimisht, të cilin ja kthyen vetëm pasi ndërhynë forcat e sigurisë. Ky moment nuk ka kaluar pa pasoja për Flamurtarin, pasi gjyqtari kryesor ka ndëshkuar me karton të kuq Ribajn, për shkak të tensionit që ka krijuar duke provokuar tifozët e Partizanit, sipas sinjalizimit të gjyqtarit të katërt.

Në pjesën e dytë, skuadra e Gegës u rikthye sërish në avantazh me Hebajn. Bardhi tentoi me një goditje të fortë në hyrje të zonës që ndalet nga Koliçi dhe më pas shkon në këmbët e sulmuesit, që e ka të thjeshtë me portën e boshatisur. Hebaj do të bëhej sërish protagonist në minutën e 72-të, pasi shfrytëzoi më së miri një tjetër asist të Asanit duke realizuar golin e dytë personal. Partiani me këtë fitore ruan kreun e renditjes me 49 pikë, 10 më shumë se Teuta, që ka dhe një sfidë më shumë për të luajtur.