Merkato e “çmendur” e Interit. Në rrjetë Dybala, Roben, Goding dhe Hereira

472
Sigal

“Çmendet” Interi, Dybala, Goding, Roben dhe Hektor vishen zikaltër, “kombëtarasit” Gjymshiti dhe Hysaj pushtojnë merkaton, për Rooney-n, “vesi del me shpirtin”, kapet i dehur. Kryqëzohet çiklisti 90-vjeçar

Paolo Dybala është pranë divorcit me Juventusin, edhe pse konsiderohet si ndër lojtarët më të mirë të “Zonjës së Vjetër”, ardhja e Ronaldos e ka lënë në hije argjentinasin, por përpos kësaj edhe marrëdhënia jo e mirë me trajnerin bardhezi, Masimiliano Alegri, mund të shtyjnë “La Joya” drejt një largimi nga Torino. Në garë për shërbimet e argjentinasit janë Interi dhe Bajerni i Mynihut. Interi duket se qëndron në “pole position” për të transferuar lojtarin në Milano dhe kjo falë Giuseppe Marottës, i cili ka një marrëdhënie të mirë me lojtarin, pasi ishte pikërisht Marotta që këmbënguli për ta transferuar nga Palermo në Torino. Nga ana tjetër edhe vetë Dybala gjithashtu do të preferonte një qëndrim në Itali, edhe pse vështirësitë për të kaluar në një skuadër rivale si Interi nuk janë të pakta. Ndërkohë që për shërbimet e Dybalës, Interi jep 80 milionë euro, kundrejt 120 që kërkon Juventusi. Nga ana tjetër, emërimi i Marottës e ka “ngatërruar” keq jo vetëm merkaton italiane por edhe më gjerë. Mediat italiane e bëjnë fakt të kryer arritjen e akordit mes Interit dhe Diego Godin, me mbrojtësin uruguaian të Atletikos së Madridit që do të zbarkojë në Milano në fund të sezonit pa shpenzuar asnjë euro. Me të njëjtat parametra “zero” Marotta kërkon të bëjë edhe me holandezin 34 vjeçar Roben, të Bayern të Mynihut. Edhe meksikani i Portos Heriera tashmë mund të quhet futbollist i Interit. Refuzimi i nënshkrimit të kontratës me Porton e çojnë atë tek Marotta, i cili nga ana tjetër nuk gjen të “ngopur” teksa po monitoron dhe dyshen e Manchester Junajted, Darmian dhe Valencia. Interes ka dhe për Barelën e Kaljarit dhe Milinkoviç-Saviç të Lacios, pavarësisht se ky i fundit kushton shumë…Është vetëm fillimi, le të shohim ku do qëndrojë “pangopësia” e gjigantit të merkatos Marotta.

“Çështja” Hysaj drejt përfundimit. Lacio, destinacion i pritshëm

Ka sosur “durimi” dhe mbrojtësi napoletan Elseid Hysaj pritet të ketë një takim me trajnerin Karlo Ançeloti dhe nga aty do të mësohet më shumë mbi të ardhmen e mbrojtësit shkodran. Në periudhë merkatoje dhe me aq shumë fjalë që qarkullojnë për lojtarin e Napolit, tashmë ka një tjetër pistë merkatoje. “Il Messaggero” raporton se Igli Tare po tenton ta afrojë Hysajn te Lacio, ku do të bashkohej me lojtarin tjetër të kombëtares, Tomas Strakoshën. Në fakt nuk është hera e parë që emri i mbrojtësit të djathtë lidhet me skuadrën laciale, madje edhe para transferimit të Napolit pati një duel për shërbimet e tij. Atëherë Sarri arriti të bindte De Laurentis, i cili pagoi 6 milionë euro tek Empoli për kartonin e tij. Sot Hysaj vlen shumë më shumë dhe duket i papërballueshëm për Lacion e Lotitos.

“Berati” drejt Beshiktashit të Stambollit

Mbrojtësi i kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti pritet të transferohet në Beshiktash, për ta mbushur boshllëkun e lënë nga largimi i yllit portugez Pepe. Gjimshiti, mbrojtësi i Atalantës, është nën “radarët” e gjigantëve turk të Beshiktashit. Këta të fundit kërkojnë 2 mbrojtës në merkato dhe shikojnë shqiptarin si zëvendësuesin perfekt të Pepes, pas largimit të këtij të fundit. Lajmi bëhet i ditur nga “Fotospor” ku thekson se edhe Demagoj Vida është drejt largimit. Agjenti i futbollistit ka pasur një takim me drejtuesit turq.

Fantazisti spanjoll, Fabregas i bashkohet shokut të ekipit Henry

Cesk Fabregas beson se aftësitë e tij teknike kurrë nuk janë dobësuar, edhe nëse ai ka nisur ta humbë mprehtësinë si pasojë e moshës. Mesfushori spanjoll do ta largohet nga Chelsea tani në janar, për t’iu bashkuar Monacos në Ligë 1. Fabregas ishte kapiten i Chelseat në fitoren 2-0 ndaj Nottinhgham Forestit në FA Cup të shtunën, duke i dhënë një lamtumirë emocionale tifozëve në Stamford Bridge në fund të takimit. Mediat britanike shkruajnë se 31-vjeçari do të mbajë bisedime me Monacon të dielën, para se ta kompletojë kalimin në Ligë 1, ku do të ribashkohet me ish-bashkëlojtarin te Arsenali, Thierry Henryn, i cili e mori drejtimin e Monacos në tetor.

Përkundër që e humbi penalltinë ndaj Forestit, Fabregas këmbëngul se teknika, të cilën e ka treguar gjatë karrierës së tij të bujshme, nuk do t’i venitet as në vitet e fundit të karrierës së tij.

“Teknika është diçka që gjithmonë e kam pasur, dhe ndiej se derisa jam rritur dhe plakur, është ndër gjërat që mendoj se do të qëndrojë me mua”- do të shprehej spanjolli mbas skepticizmit që shpërtheu mbas humbjes së penalltisë së fundit me bluzën e Chelseas

Andrezieux, ekipi i kategorisë së katërt eliminon Marsejën nga Kupa e Francës

Ekipi i Andrezieux, skuadër që luan në National 2, kategoria e katërt e futbollit francez, ka eliminuar Marseille nga Kupa e Francës duke siguruar një vend në raundin e katërt të kompeticionit. Skuadra e Rudi Garcia-s, e cila nuk po kalon një sezon të mirë as në Ligue 1, ku mban vendin e gjashtë pas 17 ndeshjesh, është mundur në pasditen së dielës me rezultatin 2-0. Ngwabije (17′) dhe Milla (82′) nga amatorët e Andrezieux.

Marseille, që ka fituar 9 tituj në Ligue 1 dhe 10 Kupa të Francës, është i vetmi klub francez që ka triumfuar në Champions League, duke mundur Milanin 1-0 në finalen e vitit 1993. Tashmë gjendja e Garcias është më shumë se e lëkundur dhe Marseja si asnjëherë në historinë e futbollit ndodhet në këto nivele.

Arrestohet Rooney, legjenda e Manchester Unitedit kapet i dehur
Wayne Rooney është arrestuar për arsye të dehjes dhe sharjeve në aeroportin e Washington D.C në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit aktualisht jeton në SHBA dhe luan për D.C United në Major League Soccer. Ai nënshkroi kontratë trevjeçare me klubin amerikan në korrik të vitit 2018. 33-vjeçari është arrestuar një ditë pas kthimit nga një event në Arabinë Saudite. Anglezi është liruar dhe ka paguar gjobën prej 25 dollarëve amerikan më 4 janar të këtij viti. Ndikimi nga alkooli ka qenë një “ves” i përsëritur i futbollistit anglez, teksa edhe ky rast ndodh 15 muaj pas arrestimit në Cheshire të Anglisë në shtator të vitit 2017, për shkak të ngarjes së makinës nën ndikimin e alkoolit,dhe pastaj iu është ndaluar leja e dhënies së makinës për dy vjet.


USA: Çiklistit 90-vjeçar i zhvleftësohet rekordi botëror

Çiklisti amerikan 90-vjeçar, Carl Grove, kishte thyer rekordin botëror në Kampionatin Kombëtar ‘Masters Track’ vitin e kaluar dhe i është hequr ky rekord, pasi testet kundër dopingut, i dolën pozitivë. Agjencia e SHBA-së kundër Dopingut (USADA) ka thënë se veterani në çiklizëm ka më së shumti gjasa të mos i ketë kaluar testet e dopingut. për shkak se kishte ngrënë mish të kontaminuar para se të zhvillohej gara. “USADA deklaroi se Carl Grove, nga Bristol, një atlet në sportin e çiklizmit, e ka marrë një paralajmërim publik për shkeljen e rregullave kundër dopingut. Testi ishte bërë më 11 korrik, pasi atleti e kishte thyer rekordin botëror”. Gjithsesi Grove ka ofruar dëshmi për USADA-n, se rezultatet e testit dolën pozitive për shkak se ai kishte ngrënë mish të kontaminuar para garës. Rezultatet e testit kundër dopingut para se ai u ushqye kishin dalë negative…