MERKATO/ Agron Kaja: Skuadrat në Superiore deklarojnë emra në hyrje e dalje, realiteti duket ndryshe

107
Sigal

Lëvizjet janë në letër, llogaritë në fushë nuk dalin!

Agron Kaja

“Katër skuadrat që luajtën e luajnë në Europë i treguan në fushën e lojës të gjitha lëvizjet e tyre në hyrje e dalje. Ndërsa të tjerat, duhet të barazojnë llogaritë mes deklarimeve dhe llogarive në fushën e lojës”

Lajmi që ka dalë nga burime zyrtare se mund të shtyhet nisja e kampionatit për një javë, u jep skuadrave të Abissnet Superiore edhe shtatë ditë kohë përgatitore me skuadrat e tyre. Ndërkohë që, skuadrat në të gjitha nivelet e futbollit tonë, në periudhën verore bëjnë kompletimin e tyre për ta filluar sezonin e ri me lojtarë e trajnerë më cilësorë në raport me sezonin e kaluar. Duke qenë se nga ai sezon të gjitha e kanë parë çfarë ju ka munguar në arritjen e synimeve, apo çfarë u mungon që këtë vit të korrigjojnë shënjestrën e synimeve, tashmë piku në këtë tregues po vlon. Të gjitha janë përfshirë në largime e afrime, duke deklaruar emra të shumtë mediatikisht, por duke parë në fushën e lojës në ndeshjet miqësore, që vetë skuadrat kanë luajtur gjatë kësaj periudhe përgatitore, shikohet edhe një fakt. Jo të gjitha largimet apo afrimet shfaqen në fushë, kryesisht në ndeshje kontrrolli apo miqësore. Madje, ndonjërin prej tyre nuk e sheh as edhe në stolin e lojtarëve rezervë. Dhe duke ju referuar fillimisht numrave të lëvizjeve që skuadrat kanë bërë gjatë kësaj merkato vere, në lojtarë, trajnerë apo drejtuesa teknikë e sportivë, duket se shifrat janë të larta. Sepse nga 10 skuadrat e Abissnet Superiore janë larguar 104 lojtarë, ku mes tyre ka edhe trajnerë, ndërkohë që janë afruar 102 të tjerë. Pra, “merre nga njëra dorë – kaloje tek tjetra”, kështu duket nisur nga shifrat largime-afrime. Sepse lojtarë që largohen nga një skuadër shkojnë tek të tjerat, dhe ky zinxhir vazhdon deri në ditën e mbylljes zyrtare të merkatos. Duke ju referuar ndeshjeve miqësore, që këto skuadra kanë zhvilluar gjatë kësaj periudhe përgatitore verore, llogaritë në fushë nuk dalin sikundër drejtues të skuadrave deklarojnë në media. Dhe duke e nisur këtë konstatim me Erzenin, i cili dje ka deklaruar se ka marrë një mesfushor argjentinas, Agustin Rojas, por që ende nuk e ka një trajner të parë. Vetë klubi deklaron se ka 15 lojtarë të larguar dhe 10 të afruar, por këta nuk duken të tillë në seancat stërvitore, ashtu edhe në miqësoret me pikatore që ka zhvilluar skuadra shijakase. E njëjta situatë edhe me skuadrat e tjera, e këtu Kukësi bën më të veçantën. Pas problemeve që Presidenti Safet Gjici ka me drejtësinë, skuadra sikur u lëkund dhe largimet sikur u bënë në modë duke kapur numrin 16, ndërsa deklarohet për 8 të afruar. Duke kaluar në katër skuadrat e para të renditjes sipas Superiores në sezonin e kaluar, ato thuajse i kanë të barabarta numrat e largimeve dhe afrimeve, çka tregon se kanë ditur të mbajnë balancat. Por këtu nuk mund të thuhet se edhe cilësia me këto shifra të balancuara do të jetë më e mirë, apo më e dobët. Kështu, ndryshe janë katër skuadrat që luajtën e luajnë në Europë, pasi ato i treguan në fushën e lojës të gjitha lëvizjet e tyre në hyrje e dalje. Ndërsa të tjerat duhet të barazojnë llogaritë mes deklarimeve dhe llogarive në fushën e lojës.

104

Ky është numri i largimeve që janë zyrtarizuar në 10 skuadrat e Abissnet Superiore

103  

Ky është numri i afrimeve që janë zyrtarizuar në 10 skuadrat e Abissnet Superiore

Abissnet Superiore

Merkato në numra

PARTIZANI

Largime               12

Afrime                 12

TIRANA

Largime               7

Afrime                 7

EGNATIA

Largime               8

Afrime                 9

VLLAZNIA

Largime               13

Afrime                 13

TEUTA

Largime               10

Afrime                 8

LAÇI

Largime               10

Afrime                 8

KUKËSI

Largime              16

Afrime                 9

ERZENI

Largime               15

Afrime                 11

SKËNDERBEU

Largime               9

Afrime                 12

DINAMO

Largime               10

Afrime                 14