Mario Baloteli i pandreqshëm, trajneri e largon nga stërvitja e Breshias

471
Sigal

Mario Baloteli nuk zë mend dhe me sa duket te Breshia nuk e ka të gjatë, ai ose trajneri Fabio Groso me të cilin nuk ka një marrëdhënie të mirë. Pas debutimit me humbjen e thellë 0-4 të Grosos në pankinë dhe zëvendësimit që i bëri ai futbollistit që në pjesën e parë të sfidës, ka ardhur edhe një përplasje në stërvitje.

“Mario largohu”, kanë qenë fjalët e teknikut gjatë seancës së sotme, duke çuar para kohe në dhomat e zhveshjeve futbollistin. Sipas mediave italiane, gjatë të gjithë seancës stërvitore Baloteli është shfaqur i nervozuar, ndërsa zyra për shtyp e Breshias insistonte se largimi ishte pasi Groso kishte mbaruar punën specifike që kishte pasur me lojtarin.

Tani mbetet të shihet se si do të reagojë Baloteli në fushën e lojës apo edhe jashtë saj, pasi nuk i shmanget kurrë polemikave e përplasjeve, të cilat kanë qenë të shumta thuajse në çdo klub ku ka luajtur. Në periudhën kur ishte pjesë e Mançester Sitit, një përplasje e tij me Roberto Mançinin bëri xhiron e botës pasi trajneri kapi sulmuesin nga bluza për ta bindur që të bënte një ushtrim.