Kupa e Shqipërisë/ Apolonia i bën “gjëmën” Teutës, për të mëdhatë s’ka shkitje.

Dje zunë vend takimet e kthimit të fazës së dytë në Kupën e Shqipërisë, dhe ashtu siç pritej, surprizat nuk u bënë pjesë të ndeshjeve, me të gjitha skuadrat e “forta” që bënë përpara në fazën tjetër. Në fakt, duket se punën më të thjeshtë e ka pasur Flamurtari, që edhe pse fitoi në ndeshjen e parë 6-1 ndaj Veleçikut, në ndeshjen e kthimit nuk ju desh të angazhohej pasi koplikasit nuk shkuan fare të luanin në Vlorë, vendim ky që në bazë të rregullave të Disiplinës, i akordon fitoren në tavolinë Flamurtarit. Ndërsa në ndeshjet e tjera, të vetmen të papritur mendon ta bëjë Teuta, që nuk arriti të gjente rrjetën në portën e Apolonisë, duke lënë në fuqi rezultatin e ndeshjes së parë, me fierakët që favorizohen nga ai 2-1 në shtëpinë e tyre. Ky rezultat vjen disi i papritur për durrsakët, por që gjithsesi diçka e pranueshme po të mendosh se janë ndeshur dy skuadra që luajnë në të njëjtën kategori, pavarësisht se Apolonia ka 5 pikë më pak se Teuta në renditjen e përgjithshme. Nuk harxhon energji Vllaznia, që e kishte vulosur kualifikimin në ndeshjen e parë, në atë fitore 4-0 në Mamurras. Ndeshja e djeshme ishte më shumë si stërvitje e detyrueshme për shkodranët, që këtë javë në Superligë do kenë përballë Flamurtarin dhe pritet që bashkë me vlonjatët të vinë edhe tifozët në fushë. Përparimi në fazën tjetër të Kupës, e bën situatën e Vllaznisë më pak të tensionuar se ç’ ishte pak kohë  më parë, duke u fokusuar tani më shumë tek kampionati dhe rikthimi në rezultatet pozitive. Në ndeshjen e grupit A mes Laçit dhe Elbasanit, kurbinasit nuk ngurruan të tregonin dhëmbët, duke mos e vënë asnjëherë në dyshim fitoren, pavarësisht se rezultati i ndeshjes së parë të linte të mendoje se kjo ndeshje do të ishte përsëri e luftuar. Në fakt, Elbasani e ka konfirmuar se nuk ka asnjë ambicie në këtë turne, pasi rrezikon rënien nga superiorja, dhe nisur nga kjo të gjitha forcat i ka përqendruar atje. Në takimin e parë të dy skuadrave që luajnë në Superligë, fituese doli ajo që pritej, jo si tek Teuta-Apolonia ku triumfoi skuadra që pritej më pak, nisur nga renditja por edhe nga fakti se Teuta luante në shtëpi dhe meritonte një përgjigje të mirë për tifozët, që kanë dëshirë ta shohin skuadrën e tyre të vejë sa më larg. Në takimet e ditës së djeshme, ndeshja që tregoi në fillim potencial për rezultat surprizë ishte ajo mes Partizanit dhe Lushnjës, me këta të fundit që kaluan në avantazh që në minutën e 17, e me këtë rezultat ndeshja shkonte vetëm në shtesë, duke marrë parasysh se takimi i parë mes këtyre dy ekipeve u mbyll 1-0 për Partizanin. Por ky mendim nuk zgjati shumë, dhe për këtë mendoi në veçanti Fejzullahu që shënoi një gol në minutën e 26 për tu ndjekur nga golat e tjerë në minutat e 42-të dhe 82-të. Fitorja e Partizani nuk diskutohej, por përsëri mes këtyre dy skuadrave u pa një lojë shumë e bukur dhe cilësore, diçka që tregon edhe vlerat e skuadrave të Kategorisë së Parë. Skuadra tjetër që e gjen veten në fazën e tretë të Kupës së Shqipërisë është Kukësi, që me fitoren bindëse si në ndeshjen e parë por edhe në të dytën ndaj Pogradecit, tregoi që është një nga pretendentet e vërteta për fitimin e turneut, duke e vënë veten me meritë përkrah Tiranës, Partizanit e Skënderbeut. Ndeshja e djeshme që Kukësi zhvilloi ndaj Pogradecit u mor përsipër nga futbollistët e rinj, duke lënë pushim titullarët për shkak të ndeshjes ndaj Partizanit në Tiranë, këtë të shtunë. Ndeshjet e ditës së sotme.

Janë lënë dy ndeshje për ditën e sotme, nga ku do të gjejnë veten përballë njëra-tjetrës Skënderbeu-Tërbuni dhe Tirana-Bylis. Nuk priten surpriza në këto dy takime, edhe pse Skënderbeu u nda barazim në ndeshjen ndaj Tërbunit, por përsëri me takimin që zhvillohet në fushën e tyre nuk ka vend për asnjë zhvillim tej pritshmërive. Ndërkohë që Tirana ndeshet me Bylisin, me takimin e parë që u mbyll në favor të kryeqytetasve 1-0, e ashtu si edhe Skënderbeu, as Tirana nuk e lë ti shpëtojë faza e tretë e Kupës, turne që pavarësisht gjendjes së mirë ose jo, në kampionat, pëlqehet shumë nga të tëra skuadrat.

NOA

Rezultatet e djeshme

 Grupi A

Laçi-Elbasani   2-0

Partizani-Lushnja    4-1

Flamurtari-Veleçiku* (6-1)

Skënderbeu-Tërbuni (sot)

Shënim: Veleçiku nuk u paraqit të luante në Vlorë

Grupi B

Kukësi-Pogradeci     5-2

Teuta-Apolonia         0-0

Vllaznia-Kastrioti     0-0

Tirana-Bylis              (sot)

 

Mediat italiane: Xhenova, një “provincë” e Tiranës

 Nuk ishte menduar asnjëherë që në stadium italian, në një ndeshje që luante vetë Italia, shumica e tifozëve të jenë e një kombësie tjetër, e në këtë rast shqiptare. Nuk kishte si të kalonte pa u vënë re prania e madhe e tifozëve, por mbi të gjitha u vu në pah qytetaria me të cilën u përfaqësuan tifozët në radhët e stadiumit. Mediat dhe tifozët italianë ishin mësuar në fakt, që tifozeria e shteteve ballkanase të ishte mëse e “nxehtë” ku djegia e flamujve apo edhe hedhja në fushë e materialeve piroteknike të ishte diçka më se e zakonshme. Kujtojmë këtu takimin me Serbinë në 2010 ku ndodhën trazira të shumta në shkallët e stadiumit e nuk u shmang as djegia e flamurit shqiptar huligani serb, tashmë i mirënjohur për idiotësitë e tij, Bogdanov. Edhe pak ditë më parë, tifozët kroatë shkaktuan trazira në Milano, në ndeshjen për “Euro 2016” ku hodhën në fushë fishekzjarrë dhe dogjën flamurin serb. Këto kujtime sigurisht që nuk janë të mira, por e kundërta ndodhi me tifozët shqiptar, që edhe pse ishin më të shumtë në numër treguan se dinë të vlerësojnë një ndeshje futbolli duke kënduar vetëm në mbështetje të skuadrës së tyre, jo duke bërtitur me sharje ndaj shteteve të tjera. Mediat italiane i kushtuan dje një pjesë të mirë të artikujve të tyre paraqitjes së tifozerisë, duke përmendur mbi të gjitha se fituesit e vërtetë ishin tifozët pasi ndeshja luhej për bamirësi dhe tifozët e treguan qartë se ditën ta vlerësojnë këtë. Federata Italiane e Futbollit, në një deklaratë të tyre, shpreheshin për tifozët e të dy palëve se ishin “Vëllezër të futbollit”, diçka që në fakt u vu re edhe gjatë ndeshjes. “La Gazzeta dello Sport”, nuk ngurron ta quajë Xhenovan një “provincë” të Tiranës, ku ngjyra e kuqe mbizotëroi në mbështetje të Kombëtares. E në fund një “Bravo” të madhe për çdo gjë që u luajt jashtë fushe, e edhe për tifozët që u futën në fushë, por që ndryshe nga ata serb, nuk shkuan të qëllonin askënd por vetëm të takonin ata lojtarë që po përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë.