Kreu i kampionatit kalon nga Vlora, skuadrat në krye të “detyrës”

468
Sigal

Nuk ka ngelur edhe shumë, deri në fundin e këtij viti sportiv në futbollin shqiptar, por deri atëherë duhet të kalojnë edhe dy ndeshje për secilën skuadër, me të gjitha që përpiqen për të vënë pikat mbi “i” në këto shanse të ngelura. Pikërisht sot luhen ndeshjet e parafundit në Superligë, ku rritet akoma edhe më shumë tensioni i skuadrave, e sidomos i atyre që qëndrojnë në krye dhe kanë synim që ta mbyllin vitin të parët. U duk para disa javësh se titulli i kampiones dimërore i takonte Partizanit ose edhe Tiranës, por situata u kthye në favor të Kukësit dhe Skënderbeut, falë fitoreve që bënë por edhe humbjeve që pësuan kundërshtaret. Sot janë po këto skuadra që luajnë shanset e parafundit për tu pozicionuar sa më mirë në mbyllje të këtij viti kalendarik. Nuk do të ketë aspak javë të lehtë skuadra e Kukësit, që pasi “likuidoi” Tiranën, sot shkon në Vlorë për tu takuar me Flamurtarin, një Flamurtar i “plagosur” nga humbja në Korçë dhe rrugë të vetme shpëtimi ka fitoren në fushën e vet. Kukësi duket më i avantazhuar për të fituar, duke parë formën e mirë që ka treguar, sidomos në ndeshjen ndaj Tiranës, por përsëri Flamurtari njihet si skuadra e surprizave që pavarësisht se këtë vit nuk është gjendur mirë as në renditje e as në formën e përgjithshme, arriti që të ishte e dyta skuadër në kampionat që i shkaktoi humbjen Partizanit, pikërisht dy javë më parë. Duke parë renditjen aktuale, rezultati i kësaj ndeshjeje do të ketë rolin kryesor në tabelën e përgjithshme, ku në rast se fiton Kukësi pothuaj e “gëzon” me të drejta të plota titullin e kampiones së dimrit, por n.q.s fiton Flamurtari, do hapet drita jeshile edhe për skuadrat e tjera të kreut që të përfitojnë, duke qenë se janë shumë afër me pikë. E dyta në renditje, Skënderbeu, takohet sot me Vllazninë në Shkodër, në një ndeshje që sigurisht nuk do të jetë e lehtë për korçarët. Ecuria shumë e mirë e shkodranëve aktualisht, po e bën një nga skuadrat më të “frikshme” të kësaj periudhe e pa dyshim kjo gjë dihet edhe nga juglindorët që do të shkojnë në Shkodër më se të përgatitur që pikë së pari të dalin pa humbje nga “Loro Boriçi”, diçka që po bëhet shumë e vështirë kohët e fundit. Pretendentja tjetër, Tirana ka një ndeshje delikate ndaj Teutës, pasi kjo e fundit vjen direkt nga fitorja e javës së kaluar me Apoloninë ndërkohë që kryeqytetasit u mundën në Kukës. Fitorja është pa dyshim një detyrim për bardheblutë që situata aktuale u kthye në disfavor të tyre. Ndërkohë, “humbësit e mëdhenj” të javës që shkoi, Partizani, për fatin  e tyre të mirë do të shkojnë në Elbasan, dhe kanë mundësinë për të shfrytëzuar rastin që të kthehen tek fitorja pas dy humbjeve radhazi, humbje që vrasin shumë si për trajnerin ashtu edhe për lojtarët e Partizanit. Ndërkohë ndeshja e fundit për sot është mes Apolonisë dhe Laçit, takim që luhet në Fier dhe ndoshta fierakët kanë rastin e vetëm për tu përgjigjur në lojë dhe rezultat, në mënyrë që ti largohen sa do pak fundit të tabelës, diçka që aktualisht po e zotërojnë me të drejta të plota, duke parë se edhe Elbasani i tejkaloi. Pas përfundimit të ndeshjeve të sotme, do të ketë vetëm edhe një javë të fundit për këtë vit, dhe kjo me datë 24 dhjetor, për të dhënë përgjigjen finale se cila nga skuadrat ka bërë më mirë gjatë gjysmës së parë të kampionatit.

Tirana-Teuta

Vllaznia-Skënderbeu

Apolonia-Laçi

Flamurtari-Kukësi

Elbasani-Partizani

Basketboll/ Apolonia e femrave fiton Kupën e Shqipërisë

Dje u zhvillua finalja e Kupës së Shqipërisë ku në fund, pas një lojë shumë të fortë dhe të luftuar si nga Luftëtari dhe Apolonia, kampione u shpallen këto të fundit. Me lojën e treguar dje, arritën që të tregonin vlerat e tyre duke mundur një kundërshtare të fortë si skuadra e Flamurtarit që vitet e fundit ka qenë një pengesë e pakalueshme për secilën nga kundërshtarët. Rezultati përfundimtar ka folur e gjitha për Apoloninë, ku arritën të shënonin plot 81 herë përkundrejt 65 koshave të kundërshtareve. Ky trofe shkon në Fier pas plot tre vitesh mungesë, duke u shpallur kështu katër herë kampione e Kupës së Shqipërisë. Ndeshja e djeshme tregoi një nivel shumë të mirë të basketbollit të femrave në Shqipëri, diçka që nuk ka munguar as në kampionat gjatë këtij sezoni. në fund të asaj ndeshje u kalua “kurora” nga vlonjatet tek fieraket, që duket se me forcën e grupit do të vazhdojnë të dominojnë në këtë sport si paraardhëset e tyre.

 Peshëngritja shqiptare  merr “shuplakën” e dytë, Romela Begaj pozitive në testin B

 Humbet edhe shpresa e fundit (nëse kishte ndonjë) për Romela Begajn që të “pastrohet” me testin e dytë antidoping për përdorimin e substancës së ndaluar “stanozolol”. Në fakt, Begaj, ishte e para që hapi rrugën e të tjera “zbulimeve” bombë ku u etiketuan edhe Godelli dhe Pulaku si përdorues të po së njëjtës substancë dhe janë në pritje të testit B, por rezultati pozitiv i Begajt në testin e dytë jep pak shpresë edhe për “negativitetin” që në këtë rast do të ishte pozitiv edhe për Godellin dhe Pulakun. Por duke qenë se deri më tani vetëm rasti “Begaj” u qartësua nga “mjegulla”, ia vlen të flasësh vetëm për këtë. Pa dyshim që medalja e saj si Kampione Bote tanimë nuk ka vlerë pasi do i hiqet nga “qafa”, por çështja qëndron në Federatën tonë të peshëngritjes, dhe deklaratës që bënë se nëse edhe në testin B rezultonin pozitiv këta peshëngritës, do të përjashtoheshin. Përjashtimi nga Federata, për gabime të vetë Federatës. Kjo është një çështje që akoma kërkon zgjidhje dhe qartësim, pasi në gjithë këtë periudhë, që kur rezultuan pozitiv këta sportistë, e vetmja gjë që ky institucion ka bërë, ka qenë që të largojë përgjegjësitë nga vetja duke treguar punën e mirë që po bën. E në fakt, me këto rezultate skandaloze dhe që sportin tonë e nxijnë me kuptimin e vërtetë të fjalës, është vetë Federata që meriton përjashtim, pasi përballemi me raste të përsëritura të dopingut, e nisur nga kjo, përjashtimi (edhe pse një gjë aspak e pëlqyeshme) nga aktivitetet ndërkombëtare nuk do të jetë i largët, pasi kujtojmë që diçka të tillë e rrezikoi edhe në vitin 2012-ë por u fal nga Federata ndërkombëtare, diçka që sot do të jetë e vështirë të arrihet.