Komisioni i Disiplinës ‘thyen’ zemrat e tifozëve kryeqytetas

465
Sigal

Vendimi për uljen e dënimit nuk ndryshon, të paktën deri të premten

Një stadium i boshatisur. Ky do jetë rezultati i gjithë thirrjes së tifozëve për praninë në stadium. Pas shumë e shumë përpjekjesh si nga drejtuesit ashtu edhe nga tifozët Komisioni qëndron i ngurtë. Vendimi që mori ishte thjeshtë shtyrja e ‘vendimit’. Shpresat ishin të pakta në fakt, por nuk mund të themi se nuk pritej më shumë duke parë mobilizimin e klubit të Tiranës që pothuajse pranuan fajin për trazirat në “Loro Boriçi” duke kërkuar falje me anë të donatorit Halili e duke pranuar kërkesën për dëmshpërblim. Madje, ishte përsëri Tirana ajo që do të hidhte hapin tjetër e të kërkonte takim mes krerëve më të lartë të të dy klubeve, Tiranës dhe Vllaznisë. Qëllimi ishte të mos linin asgjë në dorën e Komisionit të Disiplinës, por të merreshin vesh bashkë, pa qenë nevoja për ‘kurse’ pajtimi. U arrit shtrëngimi i duarve dhe rivënia në vijë e marrëdhënieve të mira që gjithmonë kanë karakterizuar këta dy klube. E ndërsa flitej për një tjetër mbledhje të Komisionit, sytë e këtyre dy klubeve ishin të drejtuara aty, shpresohej për një ulje të dënimit, shpresohej për një falje, por nuk morën asgjë më shumë sesa përgjigjen që vendimi do të merrej me datën 29 të po këtij muaji. Nuk u dha asnjë sqarim për mbledhjen vetëm u tha se të hënën do mblidhej edhe njëherë Komisioni, pra përfundimi i vetëm i nënkuptuar i këtij takimi është se ajo ndeshje mes Tiranës dhe Partizanit ditën e premte me 26 shator, do të luhet ashtu siç nuk duhet të luhet: Pa tifozë! Pak ditë më parë ishte edhe vetë zoti Duka që foli për këtë çështje, duke shprehur dëshirën e tij për stadiume plot por nga ana tjetër duke theksuar se duhej të respektoheshin rregullat. Por pavarësisht kësaj duket se skuadrat dhe vetë tifozët nuk do të rrinë duarbosh por do të kërkojnë të kanalizojnë mbështetjen në çdo mënyrë. Flitet për një mbledhje të tifozëve të te dy kampeve për të parë ndeshjen në afërsi të stadiumit, në mënyrë që skuadrat e tyre ta ndiejnë mbështetjen, pavarësisht se jo nga shkallët e stadiumit që do të jenë të zbrazura.

Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së është mbledhur edhe dje dhe ka paralajmëruar disa nga skuadrat e superiores si Skënderbeu, Teuta, Laçi apo Partizani që në rast të përsëritjes së sjelljes së pahijshme do të bëhen subjekt i Kodit të Disiplinës Sportive. Gjithashtu, u dha një pezullim prej pesë ndeshjesh për futbollistin e Elbasanit, Elton Basriu, për goditje ndaj kundërshtarit, gjithashtu paralajmërohet trajneri i Teutës, Hasan Lika që në rast mospjesmarrje në konferencën për shtyp pas ndeshjes, do të bëhet subjekt i Kodit të Disiplinës.

Vendimet janë si më poshtë:

1. Lojtari i KF “Elbasani”, Elton Basriu, për goditje ndaj lojtarit kundërshtar dënohet me 5 ndeshje pezullim nga aktiviteti.
2. KF “Skënderbeu”, KF “Partizani”, KF “Laçi” dhe KF “Teuta” për sjellje jokorrekte të tifozerisë së tyre paralajmërohen se në rast përsëritje do të jenë subjekt i  Kodit të Disiplinës Sportive.
3. Trajneri  i KF “Teuta”, Hasan Lika, paralajmërohet se në rast mospjesëmarrjeje në konferencën për shtyp pas ndeshjes, do të jetë subjekt i Kodit të Disiplinës Sportive.

Opinioni serb sikletoset pa shkak nga tifozët Kuq e Zi

Serbët fushatë kundër tifozëve Kuq e Zi

 Ndeshja e Kombëtares tonë me atë serbe për kualifikueset e Europianit, ka filluar të rrëmbejë vëmendjen më shpejt sesa mendohej. Dihej se kjo ndeshje do të merrte ngjyrime politike më shumë se sa sportive që në momentin që fati deshi të ishim në të njëjtin grup, e deri më tani  asgjë nuk ka dalë tej parashikimeve. Pavarësisht se përpara kemi ndeshjen me Danimarkën, duket se këto ditë ka kaluar në plan të dytë për tifozët, kjo edhe nga ‘fushata’ që po bëhet nga mediat serbe për tifozët që mbështesin Kombëtaren  tonë. Aktualisht serbët po bëjnë thirrje ndaj Federatës së tyre që të mos lejojnë tifozët shqiptarë të jenë prezent në stadium nisur, sipas tyre, nga trazirat që kanë shkaktuar më përpara. Kur flasin për trazira, ju drejtohen praktikisht tifozëve të Prishtinës të emërtuar “Plisat” si një grup huliganësh që shkaktojnë vetëm rrëmujë. “Plisat” në fakt kanë shprehur dëshirën për të qenë prezent në stadium që herët dhe janë shprehur se nuk e kuptojnë pse mediat serbe përpiqen të japin një ngjyrim të tillë për këtë takim që është thjeshtë një lojë futbolli. Për mediat serbe, nga mënyra se si shprehen, është shumë e vështirë të menaxhohet një situatë e tillë për vetë të shkuarën politike dhe në mënyrë që të shmanget çdo e papritur duhet të mos lejohen të udhëtojnë tifozët e skuadrës ‘mike’. Nga ana e Federatës Serbe nuk ka pasur as edhe një reagim lidhur me këtë çështje pas ngacmimit mediatik, por edhe pas kërkesës së bërë nga Federata jonë që të jepet numri i caktuar i biletave për tifozët tanë, çmimi i tyre dhe sektori se ku do të qëndrojnë kuq e zinjtë. Pritet që një vendim të merret në ditët në vijim  por tani për tani asgjë nuk është bërë e ditur dhe ajo që mund të themi me siguri është se tifozët tanë nuk kanë shfaqur asnjëherë shenja dhune kur kanë ndjekur Kombëtaren, qoftë në ndeshjet e zhvilluara jashtë ose në shtëpi. Gjithmonë kanë pasur qëndrim korrekt dhe vetëm një qëllim, të bëheshin pjesë e përfaqësueses tonë si në arritje dhe në dështime.

Çmimet e kripura të biletave shqetësojnë tifozët

 U pa qartë që qe me vendosjen e çmimeve të biletave për ndeshjen me Danimarkën me 11 tetor, reagimet nuk ishin edhe aq dashamirëse ndaj FSHF, kjo për faktin se mendohet se biletat janë jashtë mase të shtrenjta për tifozët. E po te kthejmë vëmendjen këtu, kemi bileta me çmime, që për nivelin ekonomik në Shqipëri, mund ti quajmë pa dorashka thjeshtë stratosferike. Tribunat A2, A3 dhe B3 janë të paprekshme për pjesën më të madhe të tifozëve që kishin vendosur ta ndiqnin përfaqësuesen në stadium, e që tani, pas kësaj duket se do e shohin ndeshjen ose nga tribunat për karshi ose nga televizori. Në këto tribuna çmimi është 10.000 lekë, duke vazhduar me tribunat e tjera që variojnë nga 8.000/6.000/3.000/2.000 lekë, për të përfunduar në tribunat pas porte që kanë çmimet më të lira me 1.500 dhe 1.000 lekë. Reagimi i FSHF lidhur me këtë çështje është ashtu siç mund të merret me mend, se këto çmime janë vendosur sepse ka një kosto më të lartë në organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare në këtë stadium të ri, dhe se duhet të nxjerrin shpenzimet. Pyetja është, tifozët, dashamirës të këtij sporti, ku do i nxjerrin shpenzimet pasi të mbështesin Kombëtaren në këtë ndeshje?