INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Klevis Dalipi, ish-sulmuesi i Partizanit në skanerin e Superiores
Agron KAJA

U luajtën ndeshjet e javës së katërt të Superiores 2025-2026, si i përshkruani për rezultatet?
Jam pak i surprizuar me performancën e Dinamos. Sepse e ka larguar dy lojtarë kyç dhe do kohë ta gjejë veten. Po ndodh me skuadrat që luajtën në Europë, të cilat nuk e kishin kohën e përgatitjeve. Duan pak kohë që të shfaqen më mirë se skuadrat e tjera.
Cilën nga ndeshjet e veçoni si më të mirën, njërën prej tyre që doli jashtë pritshmërive, apo edhe një të dobët?
Pritej më tepër nga Flamurtari, dhe mendoj se humbja e tij me Vorën ishte surpriza e kësaj jave. Pa hequr meritën e Vorës që na surprizoi. Por edhe Dinamo doli nga pritshmëritë, po bashkë me Vllazninë e Partizanin do pëtrmirësohen gjatë rrugës.
Në këto katër javë kryeson AF Elbasani dhe mbyll tabelën Tirana, janë shprehur skuadrat në vlerat e tyre reale?
AF Elbasani ka qënë më konkret në marrjen e rezultatit, por kampionati është i gjatë dhe do ketë ulje e ngritje. Tirana po vuan periudhën e tranzicionit, mungesën e lojtarëve vëndas që e njohin futbollin shqiptar dhe dinamikat e klubit nuk kanë ekuilibër.
Renditja e katër javëve, tregon se skuadrat e kryeqytetit kanë një nisje të dobët në raport me synimet e tyre?
E përmënda se Dinamo po vuan largimet dhe lodhjen nga Kupat e Europës. Kështu edhe Partizani që nuk po bind në prapavijë, por ka lojtarë të rinj në përbërje. Ndërkohë që Tirana do ta vuajë atë që u shpreha më sipër me lojtarë të huaj.
Në katër javë janë shënuar 38 gola, është tregues normal ky për startin e këtij kampionati?
Unë mendoj se 38 janë shumë. Sepse kur ka shumë gola, në dukje thuhet se mbrojtjet nuk kanë punuar mirë, por edhe sulmi ka shënuar me rregullsi. Është një përcaktim relativ ky, por që si numur 38 mendoj se është shumë normal.
Ju duket si një problem shqetësues për futbollin shqiptar prania e numri të lartë të futbollistëve të huaj në fushë?
Me thënë të drejtën, unë jam kritik në këtë problem. Klubet duhet të hartojnë programe të mira me të rinjtë, të kenë durim në procesin e trajnerëve në grupmosha, që lojtarët vëndas të jenë pjesë e ekipit që i “prodhon”, Po u zenë vëndin lojtarët e huaj që nuk bëjnë diferencën.
Po tifozeria, sa e ka treguar veten “Lojtari i 12-të” në këto katër javë?
Te Vllaznia, Elbasani dhe tek Teuta, duket se po kthehen tifozët. Shohim 2 mijë deri në 3 mijë vetë në stadiume, dhe kjo tregon mbështetjen e tyre për skuadrat respektive. Por Teuta veçohet se ka interes nga tifozeria, na ka ka surprizuar.
Ndeshjet e javës së pestë do luhen në shtunën dhe të dielën, cilat janë pritshmëritë tuaja?
Partizani duhet të bëjë dallimin në Ballsh. Delikate është sfida Dinamo-Tirana, një derbi që luhet në moment jo të mirë për të dyja këto skuadra. Elbasani do ketë sukses me teutën, Vllaznia do ta shfrytëzojë me fitore ndaj Vorës. Flamurtarit i duhen pikët me Egnatian e konsoliduar, por jo e pathyeshme.
Nisur nga renditja në katër javë, cilën prej këtyre ndeshjeve e veçoni si një kryendeshje, apo do të jenë të gjitha të tilla?
Është e natyrshme dhe unë do ta veçoja si të tillë sfidën Dinamo City-Tirana. Kjo mbetet edhe si kryendeshje kyçe e kësaj jave, e cila do flasë shumë për vazhdimësinë e të dyja skuadrave. Një “derbi” në moment delikat për të dyja.
Po parashikimi juaji për grupin e skuadrave “Final 4” dhe ato që rrezikojnë rënien, cili është?
Është shumë shpejt për të folur për këtë grup “Final 4”, apo edhe për rënie nga Superiorja. Por Elbasani është favorit për “Final 4”, bashkë me skuadrat e sezonit të kaluar. Kampionati është i gjatë dhe do ketë ulje e ngjitje gjatë rrugës.
Shpërthimi i Nevil Dedes: Po ndërrojnë historinë dhe identitetin
Në katër javë, Tirana ka grumbulluar vetëm 2 pikë dhe mbyll tabelën e renditjes. Për këtë situatë, ish-futbollisti, kapiteni e trajneri bardheblu, Nevil Dede shprehet: “Tirana ka ndërtuar një skuadër me disa njerëz që shëtisin në fushë. Këta dhe Vlora vazhdojnë të shëtisin. Nuk ma kap logjika, me 1 vit eksperiencë ke venë një të huaj kapiten të ekipit?! Po e ndërrojnë historinë dhe identitetin. Nuk kam fjalë”.

ABISSNET SUPERIORE
SEZONI 2025-2026
Ndeshjet-Java e katërt
E shtunë, 20 shtator 2025
Partizani-AF Elbasani 0-1
Egnatia-Tirana 2-0
E dielë, 21 shtator 2025
FK Vora-Flamurtari 1-0
Dinamo City-Bylis 0-0
Teuta-Vllaznia 1-1
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.AF Elbasani 4 10
2.Vllaznia 4 7
3.Vora 4 7
4.Egnatia 4 7
5.Teuta 4 6
6.Dinamo City 4 4
7.Partizani 4 4
8.Bylis 4 3
9.Flamurtari 4 2
10.Tirana 4 2
Kamza? Na ishte dikur edhe në Superiore
Kur dikush, një koleg të telefonon nga Kamza dhe të pyet ty në Tiranë, se a di gjë pse po prishet stadiumi, kjo duket edhe e pa besueshme. Por ja që po ndodh, madje ka disa ditë që këtë lajm e ka publikuar gazeta “Telegraf”, ndërsa sot (dje), gjithçka është e vërtetë. Pasi Bashkia shkriu ekipin e futbollit në vitin 2019, tashmë po shkatërron edhe stadiumin. Në stadium ka ditë që janë parkuar makina të tonazhit të rëndë dhe grumbuj me çakull. Ky është vendimi i dytë që e godet futbollin në këtë bashki, pasi në vitin 2019 shkriu ekipin e futbollit. Sepse atëherë Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF vendosi ta përjashtonte klubin nga Abissnet Superiorja pas ngjarjeve të dhunshme në ndeshjen me Laçin. Në muajin prill të vitit 2025, kryetari aktual i Bashkisë së Kamzës e shpalli tenderin për prishjen e stadiumit me sipërfaqe 13.000 m2, dhe ndërtimin e godinës së re të bashkisë, që sipas Censusit të vitit 2011, Bashkia Kamëz ka një popullsi prej 104,190 banorësh, ndërsa sipas regjistrit civil numëron 125,632 banorë. Tashmë do kujtojmë: Na ishte dikur Kamza e futbollit në Superiore dhe me një stadium komod!

Historia, Stadiumi dhe Skuadra
Stadiumi i Kamzës u ndërtua në vitin 2007, me një kapacitet prej 5 mijë vënde të ulur. Në vitin 2008 ai u bë i përdorshëm, dhe gjatë viteve 2011, 2013, 2015 dhe 2016 është rikonstruktuar, pasi aty luheshin ndeshjet e skuadrës, e cila në sezonin 2017-2018 renditej në vëndin e dytë të Abissnet Superiore. Muaji shtator është edhe përvjetori i 89-të të futbollit kamzali, i cili festohet pa skuadër dhe pa stadium.




















