Kelmendi “Nderi i Kombit”, Nishani “Ambasadorja më e mirë e Kosovës”

448
Sigal

“Nderi i Kombit”, është titulli i dhënë nga presidenti Bujar Nishani për Majlinda Kelmendin, dy herë kampione bote në sportin e xhudos.  Kreu i shtetit shqiptar vlerëson se sportisten për veprimtarinë e saj në sportin e xhudos duke marrë dy medalje.  Sipas kreut të shtetit shqiptar, emri i shqiptarit është radhitur në mënyrë të denjë përkrah më të mëdhenjve të botës së sportit.

“Dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen dhe të shpreh kënaqësinë time të veçantë që, më së pari, takohem me sportistë, me përfaqësues të denjë të sportit, artit, kulturës, të trashëgimisë sonë kulturore, të cilët çdo ditë me angazhimin, punën dhe arritjet e tyre japin një kontribut shumë të madh, japin një kontribut shumë të madh në lartësimin përmes sportit, përmes kulturës, të emrit të shqiptarit”, deklaroi Nishani.  

Sipas tij  Kelmendi po bën një përfaqësimin dinjitoz për Kosovën.  “Me sigurinë më të madhe mund të them sot që, krahas asaj pune të madhe që bën sot në tërësi populli në Kosovë, institucionet e saj, Majlinda si dhe shumë sportistë të tjerë, artistë, shkencëtarë të Kosovës sot janë ambasadorët më të mirë të saj”, deklaroi Nishani.

Për sportisten kosovare  kjo dekoratë është një vlerësim i madh për të, pavarësisht se ajo është nga Kosova.

“Dëshiroj të falënderoj Presidentin zotin Bujar Nishani për këtë dekoratë! Është nder, kënaqësi dhe privilegj shumë i madh për mua që sot shpallem ‘Nderi i Kombit’. Është e vërtetë që unë vij nga Kosova, kam lindur në qytetin e Pejës, dhe karrierën si sportiste e kam filluar aty, dhe vazhdoj aktivitetin tim aty, mirëpo mendimi im është që, nuk ka rëndësi se nga cili vend vijmë; nga Kosovë, Maqedonia apo Shqipëria. Ne jemi të gjithë shqiptarë, kemi të gjithë një gjak dhe Shqipëria është shteti ynë dhe Presidenti i Shqipërisë është Presidenti i të gjithë ne. Kështu që, faleminderit dhe një herë dhe ky është një inkurajim shumë i madh për mua”, tha Majlinda Kelmendi.