Akciza për energjiket, Ekonomia: Jo heqjes, votimi shtyhet të premten

596
Sigal

TIRANE – Deputetët e mazhorancës në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, edhe në mbledhjen e kësaj të marte kanë shprehur kundërshtinë ndaj propozimit të Ministrisë së Financave që heq akcizën mbi pijet energjike.
 
Gjatë diskutimeve për paketën fiskale të vitit 2015, komisioni i Ekonomisë këmbënguli në vendosjen e akcizës duke theksuar se të gjitha vendet europianë kanë të njëjtin standard, dhe se Shqipëria nuk duhet të bëjë përjashtim.
 
Gjithashtu deputetët e mazhorancës, propozuan vendosjen e kodit për të gjitha pijet që perfshihen në kategorinë e pijeve jo alkolike, kjo me arsyetimin për të shmangun evazionin fiskal.

“Jemi kundër propozimit që ka ardhur nga Qeveria për heqjen e akcizës për pijet energjike. Mbetet për ditën e premte që ju të na ktheni përgjigje për kodet respektive që vitin e ardhshëm të mos kemi argument që të na referojë në evazion fiskal”, tha kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe.

Ndërsa vendosjen e akcizës për industrinë vendase, Braçe e jep me argumentimin për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe jo për prishjen e balancave në treg dhe vjeljen e taksave.

Nga ky lëshim sipas përllogaritjeve  shteti heq dorë nga 2 milionë euro të ardhura në vit, që do t’i fitojnë sërish biznesmenët e këtyre produkteve. 
 
Ndërsa Ministrisë së Financave ka kohë deri të premten për akcizën e pijeve energjike, pjesa tjetër e paketës fiskale u votua sipas variantit të propozuar nga qeveria, edhe pse rritja e Tatimit mbi të ardhurat ngjalli debate të forta mes deputetëve.  Ministria e Financave ka parashikuar vendosjen e taskës standarde 15% e fitimeve, pavarsisht të ardhurave. Ndërsa komisioni ka kërkuar vendosjen e taksës në varësi të fitimit. Braçe theksoi se kush fiton me shumë do të paguajë më shumë.
 
Paketa e re fiskale ndryshon 18 taksa, 15 prej të cilave në ulje. Por, në total barra fiskale për individët dhe biznesit nga kjo paketë rritet me 160 milionë dollarë në vit.