Keidi Bare: Llogaritë i bëjmë në fund, janë dhe 12 pikë në lojë

542
Sigal

Moisi DALIPI

Keidi Bare: Llogaritë i bëjmë në fund, janë dhe 12 pikë në lojë

 

Në përfundim të ndeshjes së fituar tre ditë më parë, atë midis Shqipërisë dhe Islandës të gjithë vlerësuan lojën e mesfushorit 22-vjeçar, Keidi Bare. I fortë, i saktë me topin, tepër shpërthyes në lojën në krah, i saktë në pasim dhe shumë vlera të tjera pozitive që i duhen një futbollisti të ekipit tonë kombëtar. Kështu , mesfushori fierak që aktivizohet në futbollin spanjoll tek Malaga për gazetën “Telegraf” ka rrëfyer rrugën e tij sportive, por kur vjen radha për ekipin kombëtar e thotë qartë: “Llogaritë i bëjmë në fund, janë dhe 12 pikë në lojë”.

 

Keidi, urime për fitoren, por ishte një ndeshje e vështirë për ta marrë atë?

 

Kur ndeshja është vështirë dhe e luftuar deri në fund, fitorja shijon më shumë. E tillë ishte ndeshja dhe fitorja jonë në përballjen me Islandën. Gjithsesi, tifozët duhet të na kuptojnë drejt se kjo fitore ishte dhe për ata që na mbështetën aq fort në këtë ndeshje.

 

– E thënë më qartë, kjo fitore ndaj Islandës ishte dhe një “autokritikë” për humbjen me Francën?

Në një farë mënyre po. Unë e thashë pas asaj ndeshje se kemi humbur ndaj kampionëve të botës në fuqi Francës dhe jo ndaj një kundërshtari të nivelit tonë. Megjithatë rëndësi ka që skuadra gjeti mirë vetveten në ndeshjen me Islandën. Kjo fitore na qetëson diçka dhe na motivon për ndeshjet e ardhshme.

Megjithatë, Shqipëria është në vendin e katërt në Grupin e saj, me vetëm 9 pikë, në gjashtë ndeshje të zhvilluara?

 

Është e drejtë, kemi tre fitore dhe tre humbje, për mendimin tim asgjë nuk ka mbaruar, janë dhe katër ndeshje për t’u zhvilluar ose e thënë më mirë edhe 12 pikë në lojë. Llogaritë më mirë i bëjmë në fund.

– Që më konkretisht do të thotë se…?

 

Do të thotë se, kur të përfundojnë ndeshjet në Grup do të bëhet bilanci. Unë mendoj se do të jemi më mirë se deri tani. Dikush edhe mund të mendojë ndryshe, po bindja ime është kjo.

 

Në ndeshje me Islandën, trajneri Reja kishte bërë shumë ndryshime. Dyshja Memushaj-Bare, janë vlerësuar si truri i suksesit

 

Nuk është në natyrën time të gjykoj punën e trajnerit. Janë futbollistë profesionistë dhe dinë të kryejnë mirë vetëm detyrën. Për sa i përket vlerësimit të mesfushës së skuadrës sonë në ndeshjen me Islandën, përveç “ustait” Memushaj, unë fjalë të mira do të thosha për të gjithë skuadrën, edhe për ata shokë që morën pjesë më pak minuta lojë në këtë ndeshje. Suksesi ishte kolektiv dhe i tillë duhet vlerësuar.

-Çfarë ju tha Roshi pas golit që shënoi?

 

Jemi përqafuar fortë kur festuam golin e e tij. Unë i shërbeva me atë pasim, kurse ai na shpërbleu me atë gol të shënuar. Jemi të dy nga Fieri dhe po të dy kemi dalë futbollistë nga Apolonia. Të tjerat kuptohen vetë…

 

-Sa të vështire e kishit që të përshtateshit me skuadrën?

 

Është e vërtetë se përshtatja e shpejtë dhe e duhur ndikon në rendimentin e një futbollisti në fushën e lojës. Kjo është ndeshja ime e tretë me ekipin kombëtar, pas ndeshjes me Norvegjinë ku trajner ka qenë Panuçi dhe asaj të pak ditëve me parë me Francën. Dua t’i falënderoj të gjithë shokët e skuadrës për mbështetjen e dhënë dhe klimën shumë pozitive që kanë krijuar në Ekipin tonë Kombëtar.

 

-Deri ku do të shkojë , Kejdi Bare me Ekipin Kombëtar?

 

Edhe pse jam ende 22 vjeç mendoj dhe dëshiroj fort t’i shërbej ekipit tim kombëtar me të gjitha vlerat e mia pozitive. Është nder dhe vlerësim për një futbollist momenti kur vesh fanellën e ekipit Kombëtar. Unë këtë fakt e kam si motivim dhe si udhërrëfyes, kur këmbët e mia shkelin barin e gjelbër të fushës.

Në fakt jeni një futbollist që i keni kaluar të gjitha etapat me ekipet tona kombëtare?

 

Një konstatim i drejtë ky që e pasuron biografin time kuqezi. Jam aktivizuar me ekipet kombëtare të U- 15, U-17, U-19 dhe U-21 ku janë më shumë se 19 ndeshje me fanellën kuqezi. Por kjo fanellë e ekipit të parë ka tjetër peshë dhe vlerë, është më e rëndë, të bën më shumë krenar.

 

-Shumë tifozë duan të dinë diçka më shumë për biografinë tuaj sportive?

 

Po ua shuaj patjetër të gjithëve kureshtjen. Ky është sezoni im i dytë tek skuadra e Malagës. Kam ardhur tek kjo skuadër e pas një periudhe pesëvjeçare tek ekipet e moshave dhe skuadra e dytë dhe parë të Atletikos-Madrit. Edhe pse jam tek Malaga, klubi Atletikos ka 20% te vlerës së kartonit tim. Ndoshta një ditë do rikthehem tek Atletiko, ku nisa udhëtimin tim në futbollin profesionist.

 

-Me Atletikon e Madridit keni shënuar dhe një gol ndaj Liverpulit?

 

Po, është e vërtetë, ka qene një ndeshje miqësore me Liverpulin para dy vitesh kur trajneri Diego Simeone, qe ka pjesën e punës se tij në formimin tim si futbollist më besoi minuta loje në këtë ndeshje, të cilën ia shpërbleva me atë gol të shënuar. Ishte një ëndërr e bërë realitet që për mua do të mbahet mend gjatë.

 

-Cila është këshilla që ju dha trajneri Diego Simeone në atë ndeshje?

 

Me dha shumë këshilla, shumë moral, por unë do te veçoj vetëm njërën prej tyre, kur më tha:”

“Keidi mos e mbaj topin shume në këmbët e tua, lëviz në të gjithë fushën dhe paso gjithmonë saktë”. Këto këshilla të dhëna nga ky trajner i madh më shkonin ndërmend në ndeshjen me Islandën, kur hyja ne dyluftim me kundërshtarët.

 

Tek Malaga, ka ardhur tani se fundi dhe sulmuesi Sadiku…

 

E kam pritur jashtëzakonisht mire ardhjen e Armando Sadikut tek skuadra ime Malaga. Do të jemi një dyshe e mirë shqiptarësh, kur shumë shpejt jam i sigurt do të fitojmë respektin e tifozerisë. Më mirë do të thosha, se dyshja jonë te Malaga i ngjan pak a shumë dyshes fierake, Roshi-Bare tek ekipi Kmbëtar.

 

-Është e vërtetë se jeni aktivizuar që në moshën 11 vjeçare tek ekipet e moshave te Panathanaikos?

 

Po shume e vërtetë. Mbasi kam luajtur që në moshën 8 vjeçare te grupi i fëmijëve të Apolonisë, me trajner shokun e babait tim Romeo Haxhiraj, në moshën 11 vjeçare jam bërë pjesë e ekipit të moshave te Panathanaikos, kam qëndruar 4 vite tek ky klub dhe nuk harroj asgjë, përsa i përket formimit tim si futbollist.

 

Sa ka ndikuar formimin tuaj si futbollist fakti që babai juaj, Artan Bare ka qenë futbollist?

 

Kam qenë me fat që babai im ka qenë futbollist i Apolonisë dhe Bylisit për rreth 13 vite. Kam qene vetëm një vjeç kur im atë, me shokët e tij fitonin Kupën e Republikës me Apoloninë në vitin 1998. Ai më ka ndihmuar shumë në rrugën time për t’u bërë futbollist. Ai është tifozi im më i mirë, por dhe kritiku më i madh pas çdo ndeshjeje.

 

-Së fundi, çfarë dëshiron për të ardhmen Keidi Bare?

 

Të bëhem një futbollist profesionist me vlera. Të respektoj njerëzit që kanë kontribuar në formimin tim si futbollist dhe t’i shërbej me gjithë vlerat ekipit tim kombëtar.

Skeda KEIDI BARE:

Emri: Keidi

Mbiemri: Bare

Ditëlindja: Fier më 28.08.1997

Gjatësia: 1,74m

Pesha: 66 kg

Skuadra që aktivizohet: Malaga

Skuadra që është aktivizuar më parë: Panathanaikos –Greqi, AtletikoB dhe Atletiko Mandrit A –Spanjë.

Roli në skuadër: Mesfushor

Ndeshje me ekipin kombëtar: tre (3)

Ndeshje me ekipet kombëtar të moshave: nëntëmbëdhjetë (19)

Hobi: Muzika dhe futbolli